Nga Raimonda Shundi
Çështja Çame… Si u përdor nga të gjithë?
Në këtë material, lexuesi do të ketë mundësinë të prekë shumë nga ngjarjet që tronditën një komunitet të tërë duke e bërë edhe më të domosdoshme zbardhjen e shumë mistereve që kanë mbetur të mbyllura e të pamundura për t’u trajtuar.
Gjenocidi i popullsisë çame është komentuar pak në raport me të pashfaqurën e heshtur për arsyet e situatës së vështirë midis dy akademive tona, greke dhe shqiptare. Situata jobashkëpunuese mes akademive tona shkencore e bënë të vështirë pasqyrimin e realitetit pasi dokumentacioni i masakrave ndodhet i izoluar në arkivat greke. Ky rrëfim i paraqet lexuesit fokuse të reja, parë nga sytë e vetë viktimave apo familjarëve. Ata do të sjellin në vëmendjen tuaj copëza të një realitetit të kyçur, duke u bazuar në arkiva personale. Familjet e tyre ishin pre e dhunës kolektive dhe gjithçka ata kanë, janë kujtimet.
Këtu do të njiheni me strategjinë që përdorën grupet speciale të torturave ku “në emër të paqes” u dëfryen me popullsinë e pambrojtur.
Si lindi Çështja Çame?
Çështja “çame”, problemi i minoritetit shqiptar në Greqi, lindi me vendimin e Konferencës së Londrës më 1913. Ajo e shkëputi këtë trevë shqiptare dhe ia aneksoi Greqisë. Që nga kjo kohë nisi kalvari i tragjedive vazhdimisht të pranishme, por të sfumuara a të maskuara me fasadat e ligjeve greke. Pas konferencës, ky presion u legalizua duke nisur një politikë sistematike të Greqisë dhe forcave të ndryshme ultranacionaliste për shkombëtarizimin e trevës. Për të arritur këtë qëllim, u përdorën të gjitha mënyrat: makabritete, depersonalizime, plaçkitje, tatime të rënda, grabitje të tokave, përjashtimi i popullsisë nga pjesëmarrja në administratën shtetërore, ndalimi i dhunshëm i arsimit në gjuhën mëmë, madje edhe në shkollat fillore, vrasje, burgime, dënime e deri në masakra të përgjakshme.
Fillimet e masiviteteve tragjike datojnë rreth viteve 1913, kur u krye masakra në përroin e Selamit (Paramithi). Mbi 72 krerë të Çamërisë si dhe qindra të tjerë u keqtrajtuan nga kapiteni famëkeq, Deli Janaqi. Por kalvari i persekutimeve po merrte përmasa të mëdha. Në përfundim të Luftës së Parë Botërore, më 1918, u përpilua plani i grabitjes së tokave të popullsisë çame: Ligji i së ashtuquajturës Reformë Agrare, i aplikuar vetëm për Çamërinë. Ky zhvillim iu dha mundësinë agresorëve për të rrëmbyer pronat shqiptare. Megjithatë, edhe sot vazhdon diskriminimi ekonomik i kësaj treve. Sot po zhduken gjurmët me toponimet çame, duke i ndërruar emrat e qyteteve dhe fshatrave. Por cila ishte Paramithia?
Paramithia (Tsamides)
Në lashtësi quhej Ajdonat (nga vitet 1200-1844). Mbas pushtimit nga osmanët do të merrte emrin që ka sot – Paramithi. Është qyteti ku u lindën dhe u rritën shumë heronj dhe krahina që jetoi dhe pa të dyja anët e medaljes: atë të parajsës, por edhe të ferrit.
Cili ishte qyteti i Paramithi–së?
Paramithia ishte qendra e Epirit të Jugut. Nga banorët përreth quhej “ballkoni i Çamërisë”. Kjo nga fakti se shtrirja e saj gjeografike ishte e tillë që të krijonte idenë e një superballkoni. Ajo të ofronte panoramën mahnitëse të një oazi ku tri malet e njohura të saj shkrihen me pamjen e qytetin në formën e hënës. Falë klimës favorizohen ullishtat, tokat pjellore, zejtaria, tregtia, blegtoria. Qyteti kishte mbështetjen dhe famën e tetë familjeve me emër në Thesproti e me gjerë, të cilat favorizoheshin edhe falë bekimit natyror.
Diskriminimi ekonomik: Mohimi i pronës
Pas vitit 1925 nisi diskriminimi ekonomik në Çamëri me ligjin famëkeq 3250. Ky ligj solli zhvleftësimin e tapive mbi 100-vjeçare, duke e zëvendësuar me reformën agrare. Ligji i ri aplikohej vetëm në Epir. Ai i rëndoi shumë familjet e pasura, sepse nuk lejonte shfrytëzimin e tokave mbi 70 dynymë, 200 rrënjëve ullinj apo agrumeve nga të zotët.
Masakra: Krimet u bënë në emër të paqes dhe qetësisë
Me tërheqjen e forcave gjermane nga Greqia në verë dhe në fillim të vjeshtës të vitit 1944, rajoni ndodhej në fazën e parë të një lufte të përgjakshme civile. Për të siguruar bregdetin jonian për furnizimet e tyre ushtarake, forcat britanike lejuan që njësitë e një komandanti vendas grek, gjenerali Napoleon Zervas (1891-1957), të pushtonin rajonin. Zervasi ishte themeluesi dhe udhëheqësi i Lidhjes Kombëtare Republikane Greke (Ethnikós Demokratikós Ellenikós Sýndesmos – EDES). Ai u bë i njohur për spastrimin e shqiptarëve të Çamërisë nga qershori i 1944 deri në mars të 1945.
Gjenocidi:
Burgjet famëkeqe janë një nga ndalesat më të përfolura nga i gjithë komuniteti për larminë e bëmave. Kaos, tmerr, vrasje, kërcënime, përdhunime e lëshime kundrejt pagesave të majme. Parajsa e krimit iu mori jetën 290 personave. Ishte vendi ku mbretëria e ferrit pushtoi gjithçka e kudo. Njerëz të depersonalizuar përpëliteshin të pashpresë duke iu dorëzuar tërësisht fatit. Shumë të mbijetuar kanë rrëfyer historitë e tyre rrëqethëse, të cilat nuk mundën të fshihen dot megjithë kalimin dhe harresën që vitet sjellin. Në Paramithi, nga data 28.6.1944, u krijuan dy burgje: I pari me nr. 1 ishte për burrat, ndërsa tek ai me nr. 2 qëndronin gratë.
Burgu i burrave u konsiderua si shkolla më e madhe e thertores. Këtu u therën dhe u vranë pa gjyq pjesa më e madhe e të mbledhurve në pabesi nga gjykata apo krerët me influencë të krishterë a tregtarët e Paramithisë. Në burgun e dytë ndodheshin gratë, fëmijët dhe pleqtë, të cilët qëndruan plot gjashtë muaj. Gjithsej ishin: 22 pleq, 35 plaka, 422 gra, 68 vajza, 37 fëmijë nga 1- 4 vjeç dhe 46 fëmijë mbi 4 vjeç. Ky numër me kalimin e ditëve zvogëlohej ndjeshëm.
Fakte dhe rrëfime: (Xhevat Muhedini – një nga pronarët e shtëpisë-burg, rrëfen…
Misionerët anglezë, duke i besuar komandantit Zerva, u gënjyen duke i lënë dorë të lirë grumbullimit të popullsisë, të cilët e bënë me qëllimin e shfarosjes masive.
Një ditë para se të niste masakra, tellalli kishte njoftuar që të gjithë myslimanët të mblidheshin pa përjashtim moshe apo gjinie. Për mbledhjen e gjithë fshatit, ushtarët gënjyen edhe parinë e Paramithis (pasi dihej ndikimi i tyre mbi popullatën), myftiun dhe prefektin për të qenë palë në ketë organizim.
Askush nuk mund të imagjinonte se si do të përfundonte ky grumbullim. As edhe komshinjtë grekë, të cilët i kërcënuan të mos u hapnin dyert myslimanëve nëse do të kërkonin strehim. Në të kundërt, i njëjti fund i priste edhe ata. Plani ishte menduar me detaje se si do të hynin 500 kalorësit zervistë në Paramithi me argumentin se ishin vetëm në emër të paqes dhe rendit. Therjet e para do të nisnin pikërisht me myftiun Hasan Avdullai, i cili me qetësinë që i falte besimi u dorëzua para tradhtisë së bërë duke vijuar me rrahjet, madje edhe të familjarëve. Prefekti Sali Muhedini pa se si ata po përpiqeshin të shkëpusnin atë nga duart e tyre, por para se ta ekzekutonin, u bë dëshmitar i kësaj masakre.
Rrëfen Nadirja, mbesa e familjes Zeqirjai
E njëjta skenë u zhvillua edhe në Filat. Kryemyftiu Muhamet Zeqirjai ishte njeri me influencë në këtë zonë dhe kishte lidhje të forta me intelektualët shqiptarë.
Zeqirjai kishte mbaruar shkollën e mesme Zosimeja në Janinë dhe të lartën për teologji në Stamboll. Mundësoi hapjen e një shkolle në gjuhën shqipe, e cila ia rëndoi më shumë agoninë e tij. “Nisën t’ia prisnin të gjitha gishtat, e më pas e dogjën te gjallë në furrë”, rrëfen mbesa e kryemyftiut, Nadirja. Me këtë demonstrim, popullsia e përgjysmuar nuk pati zgjidhje tjetër veç largimit nga shtëpitë e tyre.
Muhedini: Atje humba vëllanë, të cilin e gjeta vetëm në vitin 1990
“Në këtë burg, trajtimi ishte mizor, rrëfen Xhevat Muhedini.-Në ditën e parë, njerëzit e mi më thanë se në burg ishin 631 persona, por çdo ditë vdisnin mesatarisht 18 vetë”.
“Fillimisht ne shkruanim se kush vdiste, – i rrëfente mamaja e Xhevatit, – ndërsa me kalimin e ditëve, dikush që bënte punën e gardianit, na pa se çfarë po bënim dhe na i grisi letrat. Atje nuk ekzistonte njerëzorja; atje mbizotëronte dhuna e ferri. Çdo ditë, të sëmurët e rënduar nuk i kuronin më, por i ndanin nga tufa me pretendimin për t’i kuruar në spitale, e më pas… i mbysnin ose i vrisnin. Çdo ditë, njerëzit përgjysmoheshin”. “Kështu ndodhi edhe me vëllain tim, – thote Xhevati, – e morën për ta kuruar duke na thënë se vdiq, por e vërteta ishte krejt ndryshe; e kishte adoptuat një oficer andart pasi nuk kishte fëmijë. U desh të vinte viti 1990 që ne ta shihnim të gjallë dhe shëndoshë e mirë (i mbushen sytë me lot).
Ja një letër e grave që i mbijetuan terrorit zervist drejtuar komisionit T.U.N.O (1945). Përshkrimi i nënave, të cilat paguan për jetët e fëmijëve të tyre dhe nuk i shpëtuan dot, sekuenca tragjike të ngrira në memorien e trazuar, me shpresën se ishte koha për të marrë prehjen në paqen e drejtësisë. Por ja që kanë kaluar më shumë se 70 vjet dhe ende nuk kanë marrë atë çka dhuna ua hoqi papritur (ndër to edhe gjyshja ime e ëmbël, Emine Dervishi).
Jemi një grup grash emigrante të Çamërisë që jemi persekutuar nga ushtarët zervistë grekë në korrik të 1944 dhe tani jetojmë si EMIGRANTE në Shqipëri. Këtu poshtë do të përshkruajmë persekutimet, çnderimet dhe grabitjet, që na kanë bërë në vendin tonë ushtarët fashistë grekë.
Ditën e martë në mëngjes, bandat fashiste të Zervës të komanduar nga Lefter Strugari nga Paramithija Koço Bazako, Dino Barba e të tjerë, hynë në qytetin tonë dhe menjëherë filluan persekutimet, çnderimet dhe grabitjet. Ushtarët zervistë hynë nëpër shtëpi dhe filluan të arrestojnë burrat. Në shumë shtëpi vranë burra, djem, vajza dhe gra. Edhe nëpër rrugë vranë mjaft burra. Fashistët grekë nuk lanë grua dhe vajzë pa çnderuar e kjo mbi të gjitha ka qenë tmerri dhe barbarizmi më shtazarak kundër parimeve njerëzore. Tmerri dhe llahtaria te gratë dhe fëmijët arriti kulmin. Zervistët i vazhduan barbaritë e tyre tri ditë rresht.
Me urdhër të dhespotit të Paramithisë u mor nga shtëpia e tij myftiu Hasan Avdullahu, të cilin e vranë afër xhamisë. Ushtarët zervistë, Cil Kutupi, Dino Barba, Sotir Borcali, shkuan në shtëpinë e Qani Bollatit ku morën djalin e Isuf Bollatit, Fuatin dhe të birin e Naxhija Bollatiti për t’i vrarë. Për shpëtimin e djalit të së nënshkruarës Naxhije Bollati, me kërkuan të holla dhe unë i dhashë 25 lirat që më kishin mbetur. Fashistët i vranë me thika në oborrin e shtëpisë Fuatin, ndërsa i biri i Naxhijes, për të cilin pagoi edhe 25 lirat, vdiq nga torturat mbas 8 ditëve në burg. Ushtarët grabitën shtëpinë dhe vazhduan të çnderonin gratë dhe vajzat. Ditën e tretë mblodhën gratë dhe fëmijët në burgun e nënprefekturës. Burrat ishin të burgosur në shkollën e qytetit ku i therën me thika duke i prerë buzët, hundët dhe veshët dhe pastaj i hodhën nga tarraca e shkollës në rrugë. Ne të nënshkruarat që kemi vuajtur nga ushtarët grekë të Zervës dhe kemi parë gjithçka përshkruam më sipër, i lutemi komisionit hetimor të marrë në shqyrtim ankesën tonë dhe për të vërtetuar krimet e bëra nga ushtarët dhe fashistët grekë të shkojë në qytetin e Paramithisë.
Burgu
Vendi i dijes, gjimnazi unik 9-vjeçar “Dhimotiko-Scolio”, u përdor si kasaphana më e madhe që mund të ketë ndodhur me jetët njerëzore. Ishte AUSHVIC-i i popullsisë çame. Muret e këtij terreni kanë historitë më tronditëse të masakrave humane, të cilat edhe pse kanë kaluar më shumë se gjysmë shekulli, ende nuk janë sfumuar dot.
Burgu Nr.2 u bë shtëpia e Sali Efend Muhedinit. U vendos të transformohej në shtëpi-burg, pasi kjo ndërtesë kishte 36 dhoma, një oborr të madh si para ashtu edhe prapa. – Gjyshja e babait ishte gruaja e Sali Muhedinit. – thotë Xhevati. – Ishte ajo që më tregonte se çfarë ndodhte në shtëpinë e tyre të kthyer tashmë në burg, por edhe nëna e nënës, e cila pati fatin t’i mbijetonte masakrës.
Rrëfimi i së moshuarës
Dy gjyshet e mia, nëna e babait Fetija, si dhe nëna e nënës, Xhevrija, më kanë treguar shumë për kohën që shtëpia e tyre iu kthye në burg. “Në shtëpinë tonë, që tashmë emërtohej ‘Burgun nr. 2’, kishte vende të bollshme për t’u fshehur. Kishte çati dhe hatlla e një mori vendesh të përshtatshme për të qëndruar ne familjarët që e njihnin mirë ndërtesën tonë. Aty rrinte i fshehur babai im si dhe 4 persona të tjerë. Në ditën që shtëpia jonë u kthye në burg, cacet (hajdutët fshatarë), vinin të vidhnin plaçka. Nëna ime zihej me ta se nuk mund t’i linte të merrnin gjërat me vlerë.
Ndërsa nëna e nënës, nuse nga dera e Paramithisë, thoshte për personat e ekzekutuar: I kisha zili ato qe vdisnin nëpër burgje apo nga dora e andartëve (ushtarëve), pasi kjo që ne po jetonin përditë ishte edhe më e tmerrshme”, rrëfen Xhevati. Të fshehurit në asllat e shtëpisë nuk ishte zgjidhje pasi nuk mund të rezistoje në pafundësi pa ngrënë dhe pa pirë. Pas katër ditësh, kur etja dhe uria u kishte errur sytë dhe pasi panë se në burgje vinin inspektime nga anglezët, ata dolën dhe iu lutën t’i shpëtonin nga ky ankth. Dhe këtë radhë fati ishte me ta.
Pse u shpejtuar ikja e të moshuarve dhe fëmijëve? (sipas të mbijetuarëve)
Në burgje, muajt e fundit u shtuan inspektimet e anglezëve dhe të mjekëve. Këta të fundit, kur shihnin dhe mjekonin të sëmurët, i thanë grupit grek se nëse nuk do t’i linin të lirë gjithë të burgosurit, ato do t’i merrnin edhe ata në botën tjetër. Një epidemi mund të dilte jashtë kontrollit dhe atëherë këtij rreziku nuk do t’i bëhej më ballë. Ishte kjo një nga tezat që u përdor për të pushuar së ekzistuari këto burgje. Më datën 15, ushtarët grekë i lajmëruan që të gjithë se “do të shkonin te Xhexheja” (te gruaja e xhaxhait në Shqipëri). Kështu, pas 6 muajsh të ngujuar, të sfilitur, të sëmurë, të paushqyer, të paveshur dhe në kulmin e acarit e të të ftohtit, nisi një tjetër betejë, ajo e rrugëtimit për në Shqipëri. Udhëtim, i cili zgjati plot 3 ditë e dy net”, rrëfen Xhevati.
Udhëtimi për në Shqipëri i njërit nga karvanët
Dita e parë: Paramithi – Minin.
Dita e dytë: Minin – Filat.
Dita e tretë: Filat – Qafë Botë – Konispol – Delvinë.
Sipas të mbijetuarve, ndodhte që në Filat dikujt ia merrnin edhe plaçkat e trupit, xhaketën, pallton apo këpucët. Por ajo që i goditi më shumë se gjithçka, ishte ndarja fatale nga vendi, shtëpia, kujtimet. Shumë prej të moshuarve, kjo e fundit i mbylli tragjikisht jetët e tyre. Gjatë rrugës, karvanët hasnin shumë kufoma. Shumë nëna nuk mundeshin të mbanin fëmijët e tyre, shumë pleq nuk mundeshin të ecnin dot. Por shumë të tjerë nuk mundën as të shihnin më kurrë familjarët e tyre.
Mbërritja në Shqipëri – “Flori në këmbim të pritjes”
Me lot në sy, kthenin kokat e sërish qanin vendin e tyre që po e linin, njerëzit e humbur, pasuritë që u vodhën… pikëpyetjet e pafundme.
Në rreshtat e krijuara, shihje fytyra, të cilat qanin pa zë, e nëpër dhëmbë belbëzonin “lamtumirë Paramithi dhe ti nana Çamuri”. “Nuk mund ta harrojmë largimin nga Çamëria, – thoshin gjyshet, nëna, motra ime që atëherë ishte 7 vjeç. – Ecnim e ecnim, pa e ditur se ku dhe se si ishte Shqipëria. Mbërritëm në të ngrysur në Delvinë. Na sistemuan 10-15 vetë në një dhomë. Ishim të mbaruar dhe prapë gjumi nuk na zinte. Si do t’i nisnim jetët tona nga zero? Nga jashtë u dëgjua një zë. Ishte gdhirë. U çova të laja sytë, por çfarë po shihja,– rrëfen gjyshja ime -…një prift.
U ktheva me vrap dhe u thashë të mive: prift lamë, e prift po gjejmë në Shqipëri. Më pas na vizituan Delvinjotet, na erdhën edhe partizankat. Nuk harroj njërën, e cila na kërkoi se mos kishim flori. Sërish tmerri po niste të shfaqej dhe iu përgjigjëm se ato që kishim na i mori greku në 6 muajt e burgut. Më pas na thanë se do të vinte një i madh i qytetit të Delvinës dhe vërtet ai erdhi. Ishte Edip Cuci që më vonë në Tiranë do ta kishim edhe komshi. Na pyeti për hallet, për rrugën. Njërës nuk iu durua dhe i tha se një nga ato ushtaret (asqere) i kërkoi flori. Edipi i rreshtoi vajzat dhe tha: Cila nga këto e ka bërë? Ne nuk folëm, ndërsa ajo ishte bërë si limon.
Fshehja e qëllimtë e dosjes çame nga të gjitha sistemet.
Në sistemin e E. Hoxhës, dosjet e çamëve u mbajtën në terr në arkiva të mbyllura, pasi këto dosje i sillnin telashe fqinjit tonë. Ndërsa në sistemin demokratik, qeveritë kanë bërë sikur e kanë përkrahur komunitetin çam. E vërteta e pathënë është që pa përjashtim, të gjitha qeveritë kanë bërë si kanë dashur me këto dosje, duke i përdorur në politikat me shtetin grek. Sa herë që qeveria jonë ka pasur tension politik me fqinjin tonë, kanë nxjerrë nga arkivat “kartën e artë të Çamërisë” duke i kujtuar “ja pasuria dhe masakrat çame! Do t’i përdorim?”.
Dhunë më 2004 me rastin e rezolutës çame, ndërsa në 2013 në muajin prill thanë se – ‘kjo rezolutë është votuar qe më 2004, por ka ndenjur e fshehur nga partia në pushtet e asaj kohe, pra, ajo socialiste’. Nëse ky zhvillim është fshehur nga partia në pushtet, pse nuk e bëri me dije qeveria e PD-së, por qëndroi në heshtje? Kjo ngrirje nuk i intereson këtij komuniteti, i cili sot përbën rreth 8% të popullsisë së vendit me rreth 250 mijë banorë. Teksti i rezolutës është votuar në Parlamentin shqiptar në vitin 2004. Megjithatë nuk u njoh si dokument, për shkak se rezultatet u manipuluan.
Ai e pa dritën e botimit në Fletoren Zyrtare pas takimit që kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi, pati me ministrin për Marrëdhëniet me Parlamentin, z. Ilirian Celibashi. Mediat kanë publikuan zhvillimin e ri të qeverisë Rama ku rezoluta çame u rishfaq në Fletoren Zyrtare. Por ligji i luftës i mbajtur forcërisht nga qeveria greke pengon vazhdimësinë e normalitetit midis dy vendeve tona. Kjo rezolutë përbën çelësin e vazhdimësisë së zbutjes të kësaj tragjedie, pasi kërkon rikthimin e pronave çame, riatdhesimin, marrjen e shtetësisë. Shefat e diplomacisë greke sistematikisht e mbyllin këtë temë, ku deklarojnë se qeveria greke e ka zgjidhur këtë çështje me të ashtuquajturin traktatin e miqësisë të datuar më 1987.
Teza e bashkëpunimit me fashizmin vazhdon ende të diskutohet në mënyrë absurde. Deklaratat se “çamët kanë qenë bashkëpunëtorë të nazistëve” në një kohë kur sistemet diktatoriale i kanë flakur prej vitesh “fajësitë kolektive”, tregojnë se klima dhe mendësia e diplomacisë greke vazhdon të jetë po ajo.
* Një falënderim për Xhevat Muhedinin, Nexhat Merxhushi, për mundësimin e disa materialeve.