Nga Arben Llalla
Nga 6 deri në 7 qershori do të qëndrojnë në Tiranë ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Panajotis Kotzias (Koxhas) për të kërkuar zgjidhjen e menjëhershme për zgjerimin e varrezave të ushtarëve grekë të vrarë në luftën italo-greke më 1940-1941 dhe zgjidhjen e kufirit detar ose siç quhen Zonat e Interesave Strategjike.
Që të dy këto probleme Greqia kërkon t’i zgjidhë në favorin e saj duke dëmtuar rëndë Shqipërinë. Por, Nikos Kotzias nuk dëshiron aspak të dëgjojë për Çështjen Çame dhe emrin Çamëri.
Ky ministër ashtu si shumë presidentë e kryeministra të Greqisë rrjedh nga një familje që kanë qenë bashkëpunëtorë të nazizmit gjerman. Gjyshi i Nikos Kotzas quhej Kostandin Kotzias dhe nga viti 1934-1936, ka qenë kryetar i Bashkisë së Athinës, më 1936 ministër në qeverinë Metaksa, në vitin 1950 deputet dhe më 1951 sërish kryetar i Bashkisë së Athinës.
Kostandinos Kotzas ishte pro Gjermanisë naziste. Ai kishte marrëdhënie të ngushta familjare me ministrin e Propagandës, Joseph Goebbels. Që nga viti 1934 e deri 1940 Konstandin Kotzias ka vizituar disa herë Gjermaninë naziste, ku është takuar me krerët e lartë të saj. Ai gëzonte mbështetjen e qeverisë së Hitlerit për rrëzimin e kryeministrit Joani Metaksas dhe zgjedhjen e tij si kryeministër. Ky plan u zbuluan nga Joani Metaksa, me fillimin e luftës italo-greke, ndaj Kotzias iku për në Turqi i shoqëruar nga diplomatët nazistë. (Siç dihet Turqia në atë periudhë ishte një vend asnjanës, por që kishte marrëdhënie të mira me Gjermaninë).
Pas mbarimit të luftës Kostas Kotzias rikthehet nga jashtë vendit dhe zgjidhet më 1950 deputet, më 1951 kryetar i bashkisë së Athinës. Vdes pak muaj pasi ishte zgjedhur në këtë post. Një nga sheshet kryesore në Athinë mban emrin Konstandin Kotzias.
Në biografinë e tij ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Panajotis Kotzias e fsheh faktin se ka gjysh Kostandin Kotzias, i cili ishte pro nazizmit gjerman.
Familja Kotzias është arvanitase me rrënjë të vjetra nga Athina. Nikos Kotzias ka kushëri kryetarin e Partisë Demokracia e Re Qiriako Micotaqin dhe Dora Bakojanin.
Është mirë që Nikos Kotzias ta thotë të vërtetën dhe mos të fshihet pas gishtit se është nipi i Konstandinos Kotzias, ndaj diplomacia shqiptare nuk duhet të pranojë leksione nga Kotzias, i cili duhet të shprehet se çfarë mendon për zgjidhen paqësore të Çështjes Çame. Pa zgjidhjen e Çështjes Çame, asnjëherë s’do të ketë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë midis dy popujve.
Gjithashtu, Nikos Kotzias duhet të prononcohet qartë zyrtarisht se kur ka vendosur Greqia ta heqë juridikisht Ligjin e Luftës me Shqipërinë? Një ligj që mban të konservuara prej 75 vitesh pasuritë e patundshme të shqiptarëve në Greqi. Prandaj, vizita dy ditore e Nikos Kotzias nuk do të sjellë asnjë risi në marrëdhëniet diplomatike të dy vendeve, por do tregojë se Greqia dhe grekët kanë mbetur të njëjtët si në fillim të shekekullit XX.