Nga Ermal Mulosmani
Vladiku, një artist i famshëm i humorit rus, para se të ikte përfundimisht nga Rusia i shkroi një letër Presidentit Putin ku i kërkoi të jepte dorëheqeje. Ndërmjet të tjerave ai i shkruante:
“Është koha për të shpëtuar miliona njerëz nga kjo shtirje e pushtetit. Çfarë roli mund të ketë në këtë vend për një artist performues humori kur për të parë një skeç arti grotesk mjafton të shohësh lajmet në televizor?”
Vladiku ishte mundur nga lajmet.”
Pas kësaj letre Vladiku e braktisi mëmëdheun. Të vetmen herë që ai foli seriozisht shoqëria u gajasA.
Këtë fragment e kam lexuar në librin “Asgjë nuk është e vërtetë, gjithçka është e mundur” e autorit Peter Pomerantsev. Libri në fjalë është një skaner i shoqërisë ruse, jo vetëm të sotme por sidomos asaj të sotme. Në qendër të librit është pushteti absolut i Presidentit Putin, kthimi i shoqërisë ruse në shoqëri të spektaklit që dominohej nga lotët, emocionet, spiritualizmi, humori dhe magjistarët e ekranit, një propagandë dinake për të mbajtur popullin sa më larg politikës dhe squllur nervin e protestës.
Presidenti dirigjonte gjithçka përmes kryeteknologut politik të Rusisë, asistentit të tij personal për 20 vjet, Vladislav Surkov. Surkovi kontrollonte agjendën televizive, lajmet, spektaklet, komentin politik, ishte ai që formonte partitë politike dhe caktonte opozitën dhe disidencën.
Surkovi ishte i pari që futi në ligjërimin politik konceptet “këndvështrim rus” i realitetit si opsion ndaj realiteti objektiv si dhe “demokraci sovrane” si opsion rus i demokracisë: “Modeli ynë rus i demokracisë quhet demokracia sovrane”.
Kontrolli mediatik është i plotë dhe i gjithpranuar. Drejtuesit e mediave dhe producentët e programeve paguheshin mjaftueshëm për të realizuar ato programe që mallëngjenin, mahnisnin ose gajasnin njerëzit. Të gjitha palët ishin të kënaqur. Rusi i sotëm është një zgjatim i rusit të djeshëm sovjetik, një qenie e dyzuar mes korrektësisë politike të paradites dhe cinizmit disident të pasdites.
Pavarësisht shumë paraleleve që ndokush mund të gjejë mes “demokracisë sovrane ruse dhe kësaj demokracisë sonë jo edhe aq sovrane, mua më duket se ne jemi rast “sui generis”.
“Demokracia sovrane” e Surkovit do të mbeste gojëhapur përpara Kryeministrit tonë marifetçi!
Surkovit kurrë nuk do t’i shkonte në mendje fjala vjen që të themelonte televizionin VPTV (Vladimir Putin Televizion). Ose edhe mund ta bënte por sigurisht do ta quante Presidenti TV përderisa aty do të pasqyrojë aktivitetin ditor të Presidentit.
Edi Rama dhe Kryeministri i Shqipërisë janë dy entitete qartësisht të ndara. Edi Rama është një njeri me biografi të caktuar që për momentitn ka edhe pozitën e Kryeministrit ndërsa Kryeministri i Shqipërisë është institucioni më i lartë i qeverisë. Nëse do të ndërtosh një media për të promovuar agjendën qeveritare duhet ta bësh me emrin zyrtar të Institucionit dhe ai emër e ajo media i takojnë Kryeministrit pasardhës. Siç ua dorëzon dhuratat zyrtare (një gjest për tu përshëndetur) Kryeministrave pasardhës, ashtu u duhen dorëzuar edhe mediat që u bënë të famshme për arsye të qenies Kryeministër.
Edi Rama nuk ka asnjë të drejtë që audiencën e fituar nga qenia Kryeministër apo Kryetar i Partisë, ta marrë me vete, në Surrel, ditën që nuk do të jetë një më në ato funksione. Ngatërrimi i emrit të Kryeministrit me postin e tij është një ngatërresë e qëllimtë, djallëzore, për të përfituar në të ardhmen, është një konflikt i pastër interesi. Të kesh një dritare komunikimi me 1.3 milionë ndjekës, me emër personal, të krijuar nga nevojat e njerëzve për informacion qeveritar, kjo do ta bënte me turp edhe Surkovin.
ERTV është thelbi djallëzor i propagandës së Ramës. Ndërtimi i një mediumi qeveritar, në të cilin ai del sa herë t’i teket për komunikim, është uzurpimi më i madh dhe i hapur që i është bërë ndonjëherë hapësirës publike të komunikimit.
Kryeministri i Shqipërisë rri çdo ditë, me orë të tëra, në faqen private të qytetarit Edi Rama me intervista online me gazetarë. Të gjitha mediat marrin sinjalin e transmetimit publik nga media private e qytetarit Edi Rama. Jo vetëm kaq. Statuset informative, publike, të Kryeministrit publikohen në faqen e qytetarit Edi Rama dhe po aty ndodh një debat i vazhdueshëm mes qytetarëve të Shqipërisë dhe Kryeministrit të tyre. Surkovit nuk mund t’i shkojë ndër mend që Kryeministri mundet të bëjë gallatë me qytetarë në Fb gjithë ditën e media të pasqyrojë me detaje këtë debat.
Faza tjetër që pritet të ndodhë është: Qytetari Edi Rama, me petkun e përkohshëm të Kryeministrit, të hyjë në profilet individuale të shtetasve dhe t’i demaskojë! Tu shkruajë replika tallëse, të nxisë ndjekësit e tij të raportojnë profilin, t’i bulizojë…. Mediat të pasqyrojnë konfliktin, gallatën, batutat. Nuk mendoj se do të jetë e largët dita kur të ndodhë. Televizionet informative ta pasqyrojnë “live” gallatën ndërsa ato gjeneraliste të na e risjellin në formën e spektakleve të humorit.
Te ne Vladiku është Kryeministër.
Ne qeverisemi nga Facebook-u. Kryeministri ynë ka të paktën që nga Shtatori që mban takime të gjata, monotone, të përditshme me gazetarë, viziton fatkeqë të dëmtuar nga tërmeti, mbikëqyr vaksinimet, rindërtimin, spitalet, del në aeroport e pret vaksinat, na merr në telefon orë e pa orë për të larë duart, na paralajmëron për fatin e madh që kemi ne që kemi atë në krye… Të gjitha mediat i transmetojnë “live” deliret e tij prej babai të kombit. Dritarja e tij ERTV quhet si “Breaking News”, nuk ka televizor që e braktis. Ky është qerthulli ku janë futur ca nga qejfi e ca nga halli të gjithë kryeredaktorët e lajmeve televizive.
E ky është edhe kurthi ku do të zihet Edi Rama. Si Narcisi u mbyt në pusin ku po shihte pasqyrimin, i mahnitur nga bukuria e tij edhe fundi i Ramës do të jetë nga pangopësia mediatike dhe deliri propagandistik.