Nga Luljeta Pogni
Deputeti Ben Blushi, ka drejtuar publikisht disa pyetje për kryeministrin Edi Rama, të cilat janë akuzë e fortë për të. Ben Blushi thotë se është kërcënuar nga kryebashkiaku socialist i Kavajës. Elvis Roshi është mik i kryeministrit Edi Rama, i marrë në mbrojtje prej tij përballë akuzave që vijnë nga opozita për të shkuarën e tij kriminale. Opozita në akuzat e saj pretendon se Roshi e ka ndërruar emrin nga Ervin që e kishte në Elvis. Për një deklaratë që lidhej me këtë detaj, Ben Blushi ka marrë kërcënimin e kryebashkiakut, i cili mbiemrin e ka të saktë, Roshi, ndërsa për emrin nuk dimë saktësisht, pasi edhe kryeministri tallet me këtë detaj, kur e merr në mbrojtje publikisht.
Këtë kërkoi sot publikisht Ben Blushi nga kryeministri Edi Rama: Cili është emri i vërtetë i kryebashkiakut të Kavajës, Elvis apo Ervin? Mirëpo Rama nuk i përgjigjet dot Ben Blushit, sepse është tallur me këtë detaj publikisht dhe është tallur me të gjitha pretendimet që Elvis Roshi ka të shkuar kriminale. Që kryebashkiaku ka kryer tashmë një akt të dënueshëm është fakt, sepse ka kërcënuar një deputet dhe për këtë Edi Rama nuk i përgjigjet dot Ben Blushit. Edi Rama nuk i përgjigjet dot Ben Blushit për asnjë pyetje. Sespe kryebashkiaku i Dibrës ia nxiu fytyrën vetes, por edhe Edi Ramës e si e tha Blushi “të dy bashkë ia nxijnë fytyrën Rilindjes”.
Edi Rama nuk përgjigjet dot as për deputetët e inkriminuar e as për kryebashkiakët e inkriminuar, nuk përgjigjet dot as për korrupsionin e krimin në nivele të larta drejtuese, nuk përgjigjet dot për ekonominë në krizë, nuk përgjigjet dot për skandalet që nuk po arrijnë dot të qëndrojnë në topic të mediave as një ditë se pasohen nga skandale të tjera. E tillë ka qënë java e shkuar, kur një drejtor i lartë i Rilindjes u shpall në kërkim i dyshuar si baron i drogës së Ballkanit. Lajmi nuk arriti të konsumohej, pasi një tjetër skandal i Rilindjes i dominoi mediat: ishte ai i videoseksit të kryebashkiakut socialist të Dibrës. Pa u konsumuar mirë plas skandali i përgjimeve dhe brenda ditës, kur po konsumohej ky skandal në media, plas një tjetër skandal: fëmijët e Jetimores së Shkodrës janë dhunuar fizikisht e seksualisht. Kaq shumë skandale në kaq pak ditë! Ndaj dhe kryeministri Rama nuk mund t’i përgjigjet Blushit. Por, drama është se kësaj gjuhe të Blushit s’ka kush tjetër t’i përgjigjet.
Në një shoqëri normale, vetëm një nga këto ngjarje që ndodhën këto ditë, do të mund të kishte shkaktuar reagime, të cilat mund të kishin çuar në përmbysje qeverish. Pa marrë parasysh faktin thelbësor se Shqipëria është i vetmi vend në botë, ku është pranuar e faktuar me ligj se në Parlament ka deputet me të shkuar kriminale, ndaj dhe vetë ky Parlament miratoi ligjin e dekriminalizimit. Kjo është thelbësore për të kuptuar se cili është niveli i demokracisë në Shqipëri.
Por, në Shqipëri nuk ka reagim, sepse në Shqipëri opozita është krejtësisht e paaftë, sepse ka në kurriz mëkate të mëdha afërsisht si ato të shumicës së sotme. Sepse në Shqipëri shoqëria civile është veçse garniturë e kësaj politike që prodhon vetëm varfëri krim e korrupsion. Media është inegzistente, sepse në shumicën e saj është e lidhur me politikën, populli është i skllavëruar në varfëri dhe mbahet peng me bukën e gojës së fëmijëve. Shoqëri e marrë peng nga elita e korruptuar.