memorie.al publikon një studim të panjohur për Çamërinë të botuar në revistën “Vatra Shqiptare” që nxirrte Radio-Tirana në vitin 1941, i cili është bazuar mbi ngjarje, fakte dhe dokumente historike, ku hidhet dritë mbi masakrat e gjenocidin e pashembullt grek ndaj popullsisë shqiptare çame autoktone, që e ka zanafillën qysh nga viti 1780, kur ajo ishte e gjitha e besimit ortodoks…
Në vazhdën e botimit të një sërë shkrimesh me karakter historik, Memorie.al do të vijoj të publikojë shkrime të ndryshme që lidhen me Çamërinë e historinë e saj të dhimbshme nën okupimin e shtypjen e grekëve, e cila ka vijuar në mënyrë sistematike në këto tre-katër shekujt e fundit. Në numrin e sotëm kemi përzgjedhur për botim, një artikull të gjatë studimor të bazuar mbi ngjarje, fakte dhe dokumente historike, të cilin e kemi shkëputur nga revista “Vatra Shqiptare”, që nxirrte Radio-Tirana në vitin 1941, në kohën e pushtimit italian. Në këtë artikull studimor (ku autori nuk ka vënë emrin e tij), edhe pse i shkruar në një kohë kur Italia ishte në luftë me Greqinë, e gjithë historia e marrëdhënieve të Çamërisë me Greqinë, trajtohet me një objektivitet shkencor, duke filluar nga viti 1870, kur ajo popullsi ishte e gjitha e besimit ortodoks, e deri në vitin 1941, kohë në të cilën është botuar edhe shkrimi në fjalë, të cilin po e publikojmë me disa shkurtime (për arsye vendi), dhe duke mos i bërë asnjë ndryshim në aspektin gjuhësor.
Shënime mbi Çamërinë, mbi historinë e sajë dhe mbi ambientin gjeografik
Çamëria qysh prej kohëve të lashta ka qenë gjithmonë Shqiptare dhe në historitë e vjetra çamërit quhen titanë, kurse gegët quhen viganë (me pa Odhisenë). Të gjithë shkrimtarët grekë i quanin barbarë sikur quanin barbaroglotë të gjithë të huajtë që fjaloseshin në gjuhë të huaja. Çamët kanë qenë gjithmonë të krishterë deri në kohën e Ali Pashë Tepelenës, por edhe në periudhën e muslimanzimit ka ekzistuar gjithmonë midis të krishterëve dhe muhamedanëve një bashkëpunim i plotë për mbrojtjen e interesave Kombëtare dhe për luftën kundra grekëve. Në 1913, kur Çamëria e shkretë u detyrua të pranojë sundimin grek iu imponoj ushtrive zaptuese kondidat që vijojnë:
Vetëm ushtrija e rregullshme kishte të drejtë të zaptonte vëndin.
Respektin e nderit dhe zakoneve të vendit.
Dorëzimin e armëve vullnetarisht. Por megjithëkëtë fatkeqësisht grekërit me të hyrë në Çamëri, filluan t’i bëjnë të padurueshme jetesën popullsive duke u munduar ta ç’kombtarizojnë. Një vjedhje e parë në dëm të shqiptarëve u paraqit nga plot 25.000 kokë bagëti përveç të hollave dhe sendve me vleftë; kryetarët me më rëndësi ose shpëtuan duke ikur mal më mal ose pyll më pyll ose u therën. Nuk është e mundur që të bëhet një listë e viktimave dhe ende sikur të bëhej kjo nuk do ta pakësonte rëndësinë e tragjedisë së tmerrshme, sepse grekërit u suallën krejt si barbarë edhe si njerëz pa pikë feje.
Masakrat greke ndaj çamëve dhe traktati greko-turk
Në prill të 1913-ës, me urdhër të Kolonel Ebitis, u arrestuan dhe u vranë barbarisht Subbi bej Dino, Pronjo-ja nga Paramithia dhe Alush Gjyzeli nga Margëlliçi në Nimize, arrestime dhe vrasje q’u bënë pa akuzë, pa gjyq, por vetëm pse ishin shqiptarë. Menjeëherë pastaj, në një pusi të vetme u masakruan 72 veta që qenë thirrur për t’u paraqitur autoriteteve në Paramithi. Në mes të tyre janë për t’u shënuar Mehmet bej Kasiqani, Resul Çene, Sadhua Dine, Adem Bedleni, Fejzo Nazisi, Jusuf Bezhani, Malo Kasëmi, Bego Kasëmi dhe Refik Tahiri. Martirizimi i popullit Çam arriti kulmin në mars të 1917-ës, aq sa 400 familje orthodhokse shqiptare , natyrisht u çuan në këmbë me armë në duar, i prenë komunikatat me Janinën dhe ndaluan çdo marrëdhënie me Qeverinë Greke, duke u prokllamuar indipendentë, gjë që kjo zgjati gjer në gusht të atij viti, d.m.th. gjer sa fuqitë italiane e pushtuan Janinën me tërë Epirin. Atëhere sulmet kundra grekëve u bënë më të shpeshta dhe më t’egra. Porse natyrisht spropocioni numerik dhe ay i mjeteve mbropjtëse dhe sulmonjëse dolli në krye, dhe kështu çamët, të mundur por të pashtruar, u shtërnguan të mjaftohen me luftime çetash. Në vëndin e Nistës në vitin 1915, një kompani ushtarësh grekë, që kishte vajtur atje për të çarmatosur popullin, nën komandën e Kapitenit Çiamankakos, meqënse filloi të përdorte torturat dhe sharjet, u çarmatos me turp nga popullata dhe u vu në tallje të përgjithëshme. Ndërkaq shqiptarët e Çamërisë, që ndodheshin në vendet e huaja, filluan t’i mbysnin kryeqytetet evropiane dhe sidomos Londrën, me protesta për mbrojtjen e kombësisë sqë tyre dhe të drejtat njerëzore të shkelura nga grekërit. Mbas traktatit greko-turk për shkëmbimin e popullsive, 10 mijë çamër u dërguan në Turqi me forcë, porse ky shkëmbim i poshtër u shtërngua të ndalohet mbas protestës së qeverisë së Tiranës, i mbrojtur sidomos nga Italia. Ishte në atë kohë më 1925 që u bë instalimi në Shqipëri i 1500 vetave të ikur mbas atyre persekutimeve greke.
Shtrirja gjeografike dhe veshjet karakteristike të Çamërisë
Pjesa e Çamërisë që ndodhet nën tiraninë greke kufizohet në Veri me malet e Nemërçkës, Muratit, Strugarës, Tsamantas, Konispolit dhe zbret gjer në Lindje me N/Prefekturën e Konicës dhe Janinën; në Jug me N/Prefekturën e Artës dhe shkon gjer në gjirin e Prevezës, kundrejt gjuhëzës lingueta të Aktios; në Perëndim me detin Jon. Vëndi është malor dhe është vazhdim i maleve politikisht dhe etnikisht shqiptare dhe Tsamantas. Lumë me rëndësi është ai i Kalamasë që, duke kaluar nëpër Kumenicë dhe Filat; përbën fushën e këtyre dy zonave dhe në të derdhën përroskat dhe përrenjtë e Çamërisë qendrore. Në dimër ky lumë nuk është i kalueshëm (guadabile); lumi Llur i maleve Olizika derdhet në Prevesan, duke kaluar nëpër Çamërinë e mesme gjatë fushave të Filipiadhës dhe të Prevazanit, Fusha e Filipiadhës është e gjërë sepse ajo ka një masë prej 30×18 km., ajo e Llahe Sulit ka një masë prej më shumë se 18 km. Komunikatat rrugore janë këto: Prevezan-Filipiadhë km. 43, Filipiadhë-Janinë km. 62, Filipiadhë-Artë km. 14. Janë duke u ndrequr rrugët Kumenicë –Janinë, Prevezë-Paramithi, Paramithi-Meninë, Menin-Filat, Filat-Sajadhë. Çamërit e rracës ilirike, d.m.th. shqiptarë gjaku të thjeshtë janë me paraqitje të lartë dhe të bukur, veshin kostume leshi të bardhë, qeleshe të larta dhe të bardha në formë fesi dhe opinga, mbathja klasike e maleve. Gratë mbajnë rrobe dhe këmisha të gjata të bardha me çorape të gjata po të bardha dhe të qëndisura në pjesën e larme me lloj lloj lule; në kokë lidhin një shami me ngjyra. Porse veshja e burrave po humbet dalë nga dalë, sepse të ashtuquajturat “tesha alla franca (perendimore), kushtojnë më lirë. Gjer në vitin 1780 popullsia e Çamërisë ka qenë e tëra ndjekëse e fesë greko-orthodhokëse, muslymanizmi filloi më vonë, dhe u përhap sidomos, ashtu siç thamë, në kohën e Ali Pashës. Është e njohur tragjedia e popullatës së Pargës, e cila emigroi duke i zbrazur vatrat stërgjyshore shekullore, që të mos heqë dorë nga feja e Krishtit, dhe u shpërnda në 7 ishuj që në atë kohë ndodheshin nën zotërimin e Francës (një pjesë e saj vajti dhe në Korfuz).
Trimëritë e grave të Sulit nga persekutimet çnjerëzore greke
Është e njohur dhe admirohet kudo bukuria heroike e grave të Sulit, të cilat me veshje nusërije, që të mos binin në duart e turqve dhe të mos hiqnin dorë nga feja e krishterë, duke kënduar këngë atdhetarije, iu dhanë vdekjes duke u hedhur në greminën e fshatit të tyre. Hyrja e propagandës greke filloi në 1880 me anën e Kishës greke të Stambollit, qëndër e pan-helenizmit, dhe u përhap me sistemet që dihet mbas vitit 1913. Simbas statistikave të vitit 1933-1934 u hapën 205 shkolla fillore me 14.050 nxënës dhe 7 shkolla të mesme me 795 nxënës. Me këto mjete me propagandën sistematike dhe me persekutimet çnjerëzore grekërit arrijtën t’a infiltrojnë gjuhën greke, t’a shtien në popull, por jo edhe ta bëjnë të harrojnë gjuhën e të parëve, d.m.th. Shqipen.
Satistikat e popullsisë çame sipas prefekturave
Me të gjitha këto fshatrat greke janë të pakta dhe përbëhen nga fshatarë të sjellun si buq në tokat e tyre nga bejlerët shqiptarë, simbas nevojave; këta katundarë janë bërë sot zotërit e tokave mbas aplikimit të Reformës Agrare në lidhje dhe me persekutimet e auktoriteteve greke, kryeneçe dhe të pamëshirëshme në vëprimtarinë e çkombtarizmit të Çamërisë. Fshatra me popullsi të përzier nuk ka, por ndodhen vende me popullsi të përzjerë, myslimane dhe të krishterë, të tërë të Kombësisë Shqiptare. N/Prefektura e Filatit ka 79 fshatra me 32.024 banorë në mes të cilëve 3.500 që përdorin gjuhërat shqipe dhe greke (bilingui); N/Prefektura e Paramithisë ka 47 fshatra me 15.8486 banorë, në mes të cilëve 5000 që flasin të dyja gjuhërat; N/Prefektura e Pogonit ka 33 fshatra me 13.888 banorë, në mes të cilve 6.200 grekofone, por janë edhe këta shqiptarë të greqizuar me forcë. N/Prefektura e Prevezarit ka 46 fshatra me 21.160 banorë, nga të cilët 10.000 janë grekofonë, edhe ata me origjinë shqiptare; N/Prefektura e Filipiadhës ka 31 fshatra me një popullsi prej 15.530 banorë, nga të cilët 4000 grekofonë si të parët. Gjithsejt janë 279 fshatra me 112.619 banorë, nga të cilët vetëm 20.200 janë grekofonë, por me origjinë shqiptare. Sidoqoftë, simbas statistikave greke të vitit 1937, 92.419 banorë janë shqiptarë njëmijë për mijë, ndërsa 8.500 janë folës të të dyja gjuhërave. Në këta banorë 33.000 janë shqiptarë muslymanë.
Pasuritë natyrore të Çamërisë
Çamërija siç e thamë është malore dhe e pasur në drurë ulliri që japin prodhime shumë të mira ulliri për të ngrënë dhe një vaj shumë të mirë; prodhon duhan shumë të mirë dhe kafshë të një race që s’është për t’u përçmuar, prodhon grurë dhe misër. Mbillen hardhinjë që prodhojnë rrush shumë të mirë. Para 1913 çamët rronin me prodhimet e tyre bujqësore dhe eksportonin edhe në Korfuz. Brigjet e Çamërisë në të cilat shtrihen shkëmbinjtë e maleve, përbëjnë lugina të rëndësishme si ajo e Prevezanit, Kumenicës, Murtit, Pargës, e Sajadhës, në mes të cilave kryesojnë Preveza dhe Kumencia, nga të cilat zotërohet Kanali i Korfuzit dhe hyrja e Adriatikut. I çmoj këto gjenia e Napolonit të I-rë dhe grabitësit inglizë, të cilët në fillim të shekullit të kaluar i pushtuan ato brigje detare. Bën pjesë të Çamërisë për arsye strategjike dhe për ato demografike edhe qyteti i Janinës me rrethet e tij. Mbi Çamërinë kanë shkruar shumë autorë, neve po tregojmë ata më të pak të njoftuarit. Interesante janë studimet e Valentino Chirol-it, që përshkruan një udhëtim të tij të bërë n’Epir më 1880 dhe në të cilin mburr patriotizmin shqiptar të çamërve; Hanry Holland, në librin e tij me titull “Travels in che Jonian isles, Albania, Thesaly, Macedonia”, Byron etj, Nuk janë për t’u hedhur në harresë Odhiseja XXX-315-385; Thuqidhidi, gjeografia botore greke, volumi B. 1937; Enciklopedia e Madhe Greke në Kapitujt e Epir-Janinë, ku sado që është përpjekur të falsifikohet e vërteta, ajo duket qartazi për atë që studjon me paanësi dhe drejtësi.
Shënime përmbi Epirin
Me gjithë se gjinden ndryshime opinioni t’auktorëve të motshëm dhe modernë, Epiri ose Shqipëria e Jugut, asht një krahinë në jug-perëndim të Ballkanit që ka trajtën e një trekardi baza e të cilit është e përbame prej lumit Shkumbin dhe maja gjindet në Prevezë ose në Nikopoli kah Jugu. Këjo krahinë përbën një njësi gjeografike, strategjike, ekonomike, dhe etnike. Paraqitja e saj asht e caktueme kjartësisht prej kufij të natyrshëm dhe të ndame krejtësisht prej Greqisë. N’anën tjetër të gjithë auktorët që kanë studjue Greqinë e motshme, janë njaj fjale tuj thanë se kufijtë të Greqisë nuk i kalojnë as Thesalën kah lindja, as Arkanjën nga perëndimi. Prandaj Epiri mbetet jashtë kufijve historikë të Greqisë. Në të vërtetë Epiri nuk mori pjesë në Luftën e Trojës, as në luftën e grekëve kundra persianëvet, as në luftën peloponesiane që pati një karakter vetyëm e vetëm grek. Epiriotët rradhë se u përzien në çështjet greke, kjo vetëm atëhere kur ata kjenë thirrë, porsi ushtarë të paguem, prej kolonive greke të Siçiljes dhe t’Italisë jugore. Sikurse thamë ma nalt. Epiri përherë kje pjesë e plotësuese e Shqipnis dhe i vetmi ndryshim me Shqipnin veriore gjindet në dialekt, tosknishte që dallohet pak sa prej dialektit verjuer të quejtun gegnishte. N’anë tjetër dy djalektet kuptohen të dyjat prej popullsisë që respektivisht i flasin. Këjo krahinë motit, sikurse sod, kje përcaktue nga lindja prej vargut të madh të maleve të Pindit, kah prendimi dhe kah jug-prendimi prej detit Jon, kah veri prej lumit Shkumbin, kah jugu prej Gjirit të Prevezës; ajo ndahej ndër sektorë që kishin secili një emën të veçantë emëna që janë këta, tue fillue nga veri dhe tu e shku nga jugu:
1) Tanluncja (krahina e Myzeqesë).
2) Antinatania (ndërmjet Vjosës dhe Osumit)
3) Desarceja (krahinë e Korçës)
4) Kaonja (krahinë e Gjirokastrës)
5) Thesprocja (Çamërija e sotëshme)
6) Mollosija (në të vërtetë Mulësija, krahinë e Janinës.
7) Atamnaja (krahinë e Pindit)
Prej këtyne shtatëve, katër sektorët e parë i kjenë caktua Shqipnis prej Kuvendevet të Londrës dhe të Firences, ndërsa tre të tjerët,d.m.th. Çamërija, grumbulli i Pindit dhe sektori i ndërmjetmë i Janinës, padrejtësisht i kjenë ngjitë Greqisë;
Etimologjia e vëndve
Megjithkëtë karakteri alogjen i këtyne tre sektorëve kundrejt Greqisë kontinentale mbetë i pacënueshëm; n’anë tjetër emnat e motshëm të tyne kanë një vështrim etimologjik tanësisht ilirik; Thesporot ose thes plot, donte me shënjue vëndin e frytshëm ; Mollosi ose Mulësi don me thanë vend malesh, në karasim me bregorën; Atamaniadon me thanë vënd i motshëm. Në të vërtetë auktorët grekë kur flasin për Thesprotsit ose për Mollosit, thonë se ata janë barbar, d.m.th. të huej kundrejt grekëvet, mbasi këta të fundit kishin marrë për të dallue grekët prej kombeve të tjera, këtë formulë: “Pas mi elin varvarios”, ose: kush nuk asht elen, asht barbar. N’asnjë periudhë historike as Epiri juguer as ai verjueri nuk kjenë zaptue prej grekëvet. Dinastija ma e famshmja e Epirit juguer kje ajo e Burrit që quhej “Lacide”; tye hjekun të memit grek, mbetë emni i përvetshëm “Laç”, që asht një emën tansisht ilirik dhe që sod asht i përdorun shpesh. Burri, në kohë të fëmijënis së vet kur kje ndjekë dhe dbue prej kundërshtarësh gjeti strehë në veri tu Mbreti ilir i Tanlancies, deri në rindërtimin e dinastisë së vet. Epiri juguer i ngjitun Greqis, motit dhe në kohën bizantine ka pasë influencën e kulturës greke vetëm për shkak të afërsisë dhe efekt të kristianizmës së Kishës lindore të Konstandinopolit. Por kjo lloj influence kje e përgjithëshme për të gjitha vendet kristjane të lindjes. Dhe ky fakt nuk krijon një titull në favor të zotnimit grek, pse në kohët e motëshme grekët, si popull, detar, tregtar dhe kolonizues, krijuan gjithhkë në bacilin (basenin, ujëmbledhës, këtu kupton Detin Mesdhe, shënimi ynë), mjesdhës. Tue përshi gjinat e mëdhaja të tija që janë Adriatiku dhe Deti i Zi, koloni që ushtruene një një lloj influence kulturore përmbi popujt e mbrendatokës, në mënyrë që gjuha greke kje gjuha kulturore e gjithë popujve të bacinit mjesdhës, sikurse gjuha latine kje gjuha kulturore e Europës prendimore në kohën e mesme (Mesjetë), dhe si gjuha arabe kje e botës musulmane. Mbasi ish Perandorija Otomane kje një Perandori teokratike që ndante popujt e nënshtruem zotnimit të saj në musulman dhe jo musulman, i konsideroi të gjithë të krishtenët orthodhoksëa porsi përkatësia e një rasës (racës) së vetme dhe i vendosi nën inflencën e patriarkatit grek të Konstandinopolit të cilit në të nesërmen e zaptimit të Konstandinopolit i dha privilegje të mëdha, në hir të cilave patriarkati pati një influencë zotërues e në favor të helenizmës.
Revolucioni grek i 1821, vepër e shqiptarëve
Për këtë arsye revolucjoni grek i 1821 për pavarësi muer porsi fjalë urdhëni “për besim dhe për Atdhe”: Ky revolucjon nuk i përdori fjalët “greke” ose “helen”, sepse shumica e luftëtarëve, o të thuesh ma të mirët, ishin shqiptarët, kuzovëllahët etj. Por tue u nisë prej asaj kohe, porsi rrjedhim ndjekës i revolucionit të madh të 1789-ës, kuptimi i kombësis u ngjall së pari në prendim dhe në gjysën e shekullit të XIX ndërmjet popujve të krishtenë të lindjes. Megjithkëta, Greqia moderne nuk don ta kuptojë këtë ndrim të madh historik. Ajo e ka përzie me qëndresë orthodhoksin dhe helenizëm dhe për këtë arsye lindja ballkanike kje një fushë lufte dhe luftimesh të përgjakëshme ndërmjet frymës së kombësis të popujve ballkanikë në njenën anë dhe të helenizmës në anën tjetër. Luftimi i bullgarëve kundër patriarkatit të Konstantinopolit nuk kje tjetër porsd lufta e kombësis bullgare kundra helenizmës artificiale të mbajtura nga forca shpirtnore e patriarkatit dhe prej krahit shekulluer të Perandorisë Otomane që mpronte një isnstitucjon të vjetruam. Në hir të ndihmës së Rusis panslave, bullgarët e nxorrën esarkatin e tyne dhe shkollat e veta në gjuhën bullgare. Në se lufta mori funt në të mirë të bullgarëve, për verin e Ballkanit e njëjta luftë vazhdoi ma e egër në Rumelinë Lindore dhe sidomos në Maqedonin. Mbas bullgarëvet u erdhi rendi kuzvëllahëvet dhe vetë shqiptarëve orthodhoksa.
Përpjekjet e grëkëve për asimilimin e çamërve
Dhe tash të shohim se si kjo luftë u zhvillue ndër shqiptarë në njënën anë dhe helenëve në anën tjetër. Lëvizja kombëtare shqiptare dhe vllahe, mund të thohet se filloi njëkohësiosht mbas Traktatit të Berlinit. Art. 24, protokoll Nr.13 i këtij traktati flitëte për një ndreqje të kufijve ndërmjet Greqisë dhe Turqisë dhe paragrafi i dytë i të njëjtit traktat shpjegonte se lindjen e Thesalis dhe në prendim, d.m.th. n’Epir, pjesa jugore, deri te lumi Kalamas do të ishte lanë Greqis; me këtë koncensjon Çamërija dhe vëllahët e grumbullit të Pindit do t’i veshëshin Greqis. Mbas botimit të kësaj dispozite të traktatit Lëvizja shqiptare e Janinës dhe e Çamërisë dhe lëvizja vllahe e krahinës së Thesalis dhe t’Epirit filluen me u paraqitë nëpërmjet të mbledhjeve të parisë dhe të protestimeve energjike pranë fuqive të mëdha. Vëllahët zotnojshin jo vetëm shpatijet jonike dhe adriatike në krahinën e Epirit por edhe shpatinën e egeut të Pindit. Greqia shpejt muer një qëndresë kundra shqiptarëve të Janinës dhe të Çamërisë . Kështu komiteti i mshehtë panelenikin i qyejtun “Ethniki Eteria” organizoi çeta të armatosuna dhe i dërgoi në Epir dhe Thesali. Komiteti Qëndror i Janinës caktoi të shuejë tre nga parsijt (prijësit) shqiptarë me banesë në Janinë të cilët kishin nxitë lëvzjen kombëtare kundra ngjitjes së këtij vendi me Greqi; tre nga parsijt kjenë Abdyl Bej Frashëri, Ragip Bej Frashëri, Myslym, Bej Frashëri. Tue pas kenë nis i pari kah veri ashtu që t’organizonte lëvizjen dhe të përhapte një frymë lirije dhe kombësije, dy të tjerët, që mbetën në Janinë dhe në rrethet e prnovet të veta, kjenë vra prej çetash greke, njeni në Qirjassovo, (pjesë e Konicës) dhe tjetri në Kranja,(pjesë e Mocovo). Shkas-dhanësi i lëvizjes vllahe Apostolo-Margariti, muer masa të nevojshme për t’u mbrojt prej sulmeve të fshehta të çetave. Megjithkëtë lëvizja shqiptare e Epirit kishte marrë gjithçka përfshinte vilajeti i Janinës, në mnëyrë që mund të lidhej me lëvizjen e verit (veriut) që kishte qëndrën në Prizrend. Greqia, për të krijue një punë të kryeme n’Epirin juguer, organizoi më 1879 një grup çetash shumë të fortë, që ishte i përbamë prej ushtarësh të shëndruem veshje dhe se bani të zbritëte papritmas në Sarandë. Por mbasi lëvizja shqiptare ishte tashmë më zgjim të plotë, lufta mer armë e dy anëve kundërshtare u zhvillue me një herë mbas zbritjes në Sarandë dhe në katundin e qyejtun Lekurë pranë Sarandës. Këjo luftë e egër mori funt me thyerjen e plotë të grekëvet.
Vrasja e shqiptarit Spiro Kosturi dhe përzënia e çamëve në Turqi
Mbas vjetës 1903 këto atentate kjenë të shumta, si kundra shqiptarëve orthodhoksë, si kundër vëllahevet. Këto flije mund të paraqiteshin me qinda; ndër të tjerët Spiro Kosturi, shqiptar orthodhoks, kje vra prej komitetit Grek të Salonikut në ndalohjën e atij qyteti në vjetin 1906. Qëndresa kundër këtyne delikteve të mnijshme (mërive-inateve), shkaktoi krijimin e çetave politike shqiptare-vëllahe për të marrë gjakun vëllazënve të ramë. Ky sistem salvimi shpirtnuer dhe kriminel ngjati deri në liftin ballkanike të 1912-13. Kur armata greke u vërshue n’Epirin juguer dhe verjuer, salvimet e para të luftës u shëndruene në kërdina sistematike jo individuale por me qinda. Porsa armata greke hyni në Çamëri, zgjodhi 72 persona ndër parësi shqiptare të Çamëris dhe kinse për t’i dërguar në Janinë, në gjys të rrugës kjenë masakrue prej gjendarësh zyrtarë grekë, për qëllim me shti mënerën. Për arsye të këtyne ngjarjeve tragjike delegatët shqiptarë protestuen pranë Kuvendit të Londrës që kje mbajtë mbas luftravet ballkanike të 1912-13. Delegacioni shqiptar për të pritë këso rasash tragjike i paraqiti ankesat e veta pranë Zotit Venizelos, Ministër i Greqis, i cili njohti mizorin e ngjarjes dhe premtoi se nuk do t’ua vërtetonte ma në t’ardhmen. Në të vërtetë këto ngjarje tragjike, në se pranë (pushuan së ndodhuri), mjaft herë mbas here u vërtetojshin veçorish nga ana e çetave dhe e gjendarmëvet pse, cubat për të mujtë më mbajtë mnerën, kjenë marrë në rrogë nga ana e autoriteteve greke dhe kjenë emnue porsi roje fusharake ndër katundet shqiptare. Salvimet greke kishin për qëllim të farosnin shqiptarët muslymanë dhe të shtërngoheshin orthodhoksët shqiptarë me anën e Kishës dhe të Shkollës tue mohue zyrtarisht që të flitej gjuha amtare. Arma ma e fortë e autoriteteve greke kundrejt shqiptarëve kje konfiskimi i pronave të mëdha krye nga ana e Shtetit dhe zaptimi i tokave individuale të shqiptarëve nga ana e grekëvet të rretheve nën mbrojtjen dhe në duresë t’autoritetevet. Gjithsija e këtyne masave kje aqë e rreptë sa një pjesë e madhe e shqiptarëve musulmanë që mbetën nën zotërimin grek, sa kje çashtja e shkëmbimit të detyrueshëm të popullsive ndërmjet Greqis dhe Turqis, u dekllaruene nënshtetas turq për të shpëtue nga një gjendje që s’mund të durohej. Kështu shqiptarët musulmanë të Konicës, të Janinës, të Prevezës, të Filipjadës dhe të Pargës, u nisën për në Turqi në 1924-25. Megjithë këto ngjarje tragjike dhe megjithë pakësimin e madh të popullsisë shqiptare dhe vllahe, porsi rrjedhën e salvimeve të mnershme të sipërthanuna, Vendi i Lindjes, d.m.th. Malcija e Pindit dhe e Prendimit, d.m.th. Çamërija e ruen ende karakterin shqiptar dhe vllah. Elementi grek dhe grekëzues mbetën vetëm në Janinë dhe ndër rrethet që përfshihen ndërmjet Çamërisë shqiptare dhe malcinë e naltë të Pindit banue prej vllhehësh.
“Çamëria është shqiptare dhe nuk ia lëshojmë Greqisë”
Deklarata e Ministrit të Jashtëm Britanik në Dhomën e Komunëve në Londër
Në artikullin e gjatë studimor të botuar në revistën “Vatra Shqiptare” që nxirrte Radio-Tirana në vitin 1941, autori i tij(nuk ka vanë emër), ndalet gjerësisht edhe në ngjarjet e viteve 1875-1881, kur Lëvizja Kombëtare Shqiptare i detyroi fuqitë e mëdha që ta merrnin seriozisht problemin e Çamërisë. Lidhur më këtë, në artikulin në fjalë, ndërmjet të tjerash shkruhet: “Posa Komisija Ndërkombëtare për caktimin e kufijve greko-turq n’Epir mrijti në Prevezë, shqiptarët e Çamërisë, myslymanë dhe të krishtenë të gjithë t’armatosun, zaptuen qytetin e Prevezës dhe penguenë që Komisija të mbërrinte në vëndin e kufinit të ri që ishte shestue. Komisari Otoman, Gazi Muhtar Pasha, tue pamë vështirësit e mëdha, që paraqitshin në qytetin e Prevezës, u msheh bashkë me kolegët e vet të 6 Fuqive të Mëdha përmbi kryqsorin ottoman që kishte lëshue spirancat në gjirin e Prevezës. Lëvizja kombëtare shqiptare vijoi prej vjetit 1875 deri më 1881 dhe i kundërshtoi me energji bashkimit t’Epirit juguer me Greqi. Ngjarja për këtë arsye u ba një çashtje diplomatike ndërkombëtare që përfundoi tue i lanë Greqis vetëm Thesaljën, tue ja lanë Epirin juguer Shqipnis. Sa zgjati shoshitja që u zhvillue në Dhomën e Komuneve në Londër, Ministri i Punëvet të Jashtëme britanik, mbassi kje pytë përmbi çështjen e kufijve greko-shqiptar, deklaroi se toka në fjalë kishte një karakter “shqiptar”, e nuk mund t’ja lëshonte, prandaj Greqis. Pra, me fjalë të tjera, karakteri shqiptar Epirit juguer-ngjitur Greqis në ndjekje të luftës ballkanike të 1912-1913-ës-asht i njohtun prej një vendimi ndërkombëtar. Mbas kësaj kohe Greqia hapi një tjetër ball lufte rrace kundra shqiptarëve dhe vëllehëvet që veprojshin krejt brenda caqeve të ligjës për rojën dhe shpëtimin e kombsis së tyne. Për të gjatë kësaj lufte çetash të fshehta, tash të hapta, Greqia përdori katër mjete. A) influencvën e Kishës nëpërmjet t”Episkopëve dhe klerit t’ultë. B) propagandën e konsujve të vet. C) tue ua mbushë mëndjen me dredhi autoriteteve otomane se lëvizja kombëtare shqiptare ishte një kryengritje kundra Perandorisë. D) tue vra, pa shikju hollë, personalitete shqiptare me anën e çetave t’ armatosuna, t’pagueme dhe t’organizueme prej Greqis dhe përgjithësisht të sunduese prej oficerësh të saj. Veprimi i kishës greke mbahej tuj rujt orthodhoksët shqiptarë dhe rastësisht, tue i dënue në një lloj burgu civil tue mos ua dhanë pagëzimin, bekimin, kungimin, ceremonitë besimtare të funeraleve të flijes së dënimit. Kur kjo armë shprtnore ishte e pamjaftueshme, Ipeshkvi grek ua paditëte flijet autoriteteve osmane porsi revolucjonarë kundra sovranitetit të Perandorisë. Nëse për fat një padi kësilloj ndeshej kundra inteligjencës dhe mëndjeshquetësis së Qeverritarit, çeta t’armatosuna ishin të ngarkueme pa tjetër për të shue flijet”.
/Memorie/