Sa e vështirë të shërohesh atje ku mungojnë barnat, shtretërit, ambulancat dhe familjarët që bëjnë punën e personelit mjeksor
Nga Alma Nikolli
Para syve kam pamjet e një dite të zakonshme në Spitalin Ushtarak. E para gjë, me të cilën përballesh është forma klasike e transportimit të pacientëve me mjete rrethanore, sepse mungojnë ambulancat, por edhe vigët. Familjarët i sjellin pacientët nga shtëpia, por edhe nga spitalet e tjera me automjetet e tyre dhe shpesh ju duhet të përdorin batanije në vend të vigëve. Ka raste, kur të sëmurët kapen nga këmbët e duart për t’u vendosur në një shtrat në spital, gjithmonë, kur je me fat për të gjetur një të tillë në dhoma, sepse mund të përfundosh edhe në korridor.
Dhimbja që një familjar përjeton përzihet me stres, pafuqi dhe indiferencë, të cilën e has që tek ndihma e parë…që nuk të jepet. Bëre si bëre dhe zure diku një shtrat. Në një dhomë me zëra që rënkojnë prej brengës së sëmundjes dhe tërbimit që askush nuk i vë re. Ky është fillimi. Nuk e di sa rëndë duhet të jesh që një mjek të të marrë seriozisht. Kështu, varfëria bëhet shkaku i çdo simptome: ajo të sëmur ty dhe çdo familjar të pa sëmurë.
Familjarët janë ata, pa të cilët nuk mund të mbijetosh në një spital të modeluar kështu çrregullt edhe pse rregullorja parashikon që ata të mbeten jashtë, përveç orareve të caktuara. Ka një arsye që kjo pikë e rregullores nuk zbatohet, paçka se praktikisht është e lehtë: një roje që nuk të lejon të futesh jashtë orarit të vizitave dhe kaq. Por, nëse nuk do të ishin të afërmit kush do të kujdesej për pacientin, kush do t’i blinte ilaçet, çfarë do të ndodhte vallë? A e bën spitali këtë? Realiteti ka një trajtë tjetër, në dhoma në dyert e të cilave shkruhet me shkronja kapitale: ‘’Nuk lejohet më shumë se një familjar për pacient’’, ka mbipopullim të vazhdueshëm. E jo vetëm aty.
Solidaritet bashkëvuajtësish gjen në korridore ku nëpërmjet bisedave të rastit dhimbja e revolta bashkëndahet disi. Ai që pret jashtë reanimacionit pasi merr lajmin se gjithçka shkoi mirë nis betejën i ngarkuar me batanije, çarçafë, pije freskuese e ushqime në kërkim të një krevati apo përkohësisht të një stoli…për të sëmurin!
Ndërkohë të moshuar, të harruar e të rraskapitur presin nëpër shtretër të sajuar mbi stola. Në shkallë lëvizje pa pushim. Në dritare ca të tjerë përballë pamjes së një spitali privat. Çfarë duhet të ndodhë atje vallë? Sëmundja është kudo. Edhe në mendjet e zemrat e të gjithë atyre që përjetojnë vuajtjen fizike të të dashurit të tyre dhe vuajtjen shpirtërore të vetën dhe të ngjashmit të vet.
Problemet e spitaleve janë sa të njohura e të thëna, aq edhe të nevojshme për t’u rithënë. Një realitet ku ka shumë gjasa që secili ta shohë veten një ditë. Sa e vështirë të shërohesh aty. Edhe ata që të rrinë afër në mungesë të ndihmës spitalore, duke u bërë “mjekët” e të afërmve të tyre, sëmuren bashkë me ta brenda atyre mureve spitalore.
Ndërkohë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj vazhdon e jep pa u ndalur tendera për ilaçet dhe mjetet e tjera spitalore. I fundit ishte në vlerën 410 milion lekë të reja. Se për çfarë jepen këto tendera e ku shkojnë ato para nuk dihet, sepse nëpër spitale nuk mbërrin asgjë.