Nga Diana Çuli
“Pranvera sapo ka bërë këmbë në këtë mars të vitit të 13-të të këtij shekulli, që ende nuk ka lëshuar rrënjë. Është mot i mbarë dhe shirat e kanë ngopur mirë tokën. Humusi lëshon avull, ndërsa njerëzia sheh gjithë gaz punëtoret që janë mbushur nga sythat e parë. Burrat kanë nisur të shartojnë pemishtet e duket sikur nëpër qyteza e katunde ka dasmë. Martohen portokajtë me shegët, domatet sizare me ato zemërkau. Gëzon dhe fëmija që lag këmbët, tek bredh nëpër fushat e lara nga bryma…”
Ky është një paragraf nga romani “Gurët e vetmisë” i dytë i shkrimtarit Tom Kuka (alias Enkel Demi), pas romanit “Hide mbi kalldrëm”, që u botua para disa vitesh. Tashmë pseudonimi nuk ka më misterin e zbulimit, por gjithsesi, droja që Enkel Demi pati për të dalë si shkrimtar para publikut, pasi kishte punuar shumë gjatë si gazetar, nuk u justifikua. Ai do të ishte pritur njësoj si u prit, me entuziasëm dhe vlerësim, gjë që do të thotë se kur vepra përmbush synimin e autorit, lexuesi, në mënyrë instinktive – të cilën shpesh nuk e kuptojnë mediokrit e ngritur artificialisht – e pëlqen pa u ndikuar më shumë se ç’duhet nga emri i njohur apo i panjohur i autorit. Sa vepra letrare, gjatë këtyre viteve kanë marrë çmime prestigjioze dhe janë harruar? Nuk janë shitur? Sa vepra të tjera, përkundrazi, pa shkrime e pompë nëpër gazeta kanë mbijetuar, kanë kaluar dorë më dorë dhe kanë patur jetën e tyre të gjatë. Ky është dhe rasti i romaneve të Tom Kukës/Enkel Demit.
Që me librin e parë “Hide mbi kalldrëm” më tërhoqi vëmendjen ky autor i panjohur, Tom Kuka, të cilin shtëpia botuese PEGI ma dërgoi ta lexoja pa ma treguar identitetin e tij të vërtetë. Më mbërtheu menjëherë stili i gjallë, origjinal, subjekti thriller, interesant, i parrahur në ëtë mënyrë në letërsinë tonë, Tirana e viteve ’30-të të shekullit të kaluar, e përshkruar me njohje të thellë, plot ngjyra, karaktere të spikatur, krejt të ndryshëm nga njeri tjetri e përsëri të ngjashëm nga vula e kohës në të cilën jetonin. Një Tiranë që e sheh si film, me rrugicat, kafenetë, banorët e saj të jashtëzakonshëm, ku takon intelektualin e lartë, hetuesin që ka studiuar në Europë, gruan pa shkollë, por të zgjuar, gruan e pazgjuar, qytetarin injorant, fshatarin dinak, djaloshin e fatkeq, librarinë e famshme, të gjithë atmosferën e një kryeqyteti që vlon në ditë të mira e të këqija dhe që përpiqet të kapërcejë kufirin e caktuar duke u zgjeruar dhe ndryshuar dita ditës.
Me “Gurët e vetmisë” – ndoshta nuk është thjesht rastësi që të dy titujt lidhen me gurë e me rrugë – duket sikur personazhet e Enkel Demit duan gjithsesi të kenë një tokë të fortë ku të shkelin. Ndoshta kjo metaforë ka më shumë kuptim në librin e dytë. Ndërsa në të parin përfytyrojmë hijet e dyshimeve që bien mbi kalldrëmet e rrugicave tiranase, tek i dyti gurët e rrugës, gurët e maleve e të brigjeve të lumenjve shoqërojnë vetminë e një popullate që për fatet e padrejta historike iu desh të merrte arratinë nga tokat e të parëve.
Besoj se për autorin nuk ka qenë e lehtë ndërmarrja e këtij romani të dytë, ku në qendër është fati i popullsisë çame që nga viti 1913 e në vazhdim, deri në Luftën e Dytë Botërore. Romani është krejt i ndryshëm nga i pari. Këtu fryma epike përshkon fund e krye rrëfimin, duke u hedhur si tis i rëndë në çdo shpalosje tablosh kohore, që përfshijnë disa breza. A mund të quhet “Gurët e vetmisë” një roman historik ? Por, para se t’i japim përgjigje kësaj pyetjeje, duhet të ngrejmë një pyetje tjetër: po çfarë është romani historik ? Mund të jetë e lehtë të përgjigjemi e të themi se i tillë mund të konsiderohet një roman që ka në qendër personazhe dhe ngjarje të një kohe të shkuar, të paktën të një kohe kur shkrimtari ende nuk kishte lindur. Por a është i saktë ky përcaktim? Sa për të dhënë një shembull, beteja e Vaterlosë e përshkruar nga Stendali tek “Manastiri i Parmës”, apo nga Hygoi tek “Të Mjerët” a i bën këta libra të zhanrit historik, apo ata nuk luajnë aspak një rol të rëndësishëm në subjektin e romanit? Por, për të dy këty romane të shquar nuk na shkon mendja të themi se janë romane historikë. Vështirësia e këtij përcaktimi ndjehet menjëherë. Aq më tepër që tek romani i Enkel Demit nuk kemi përcaktime të qarta historike të ngjarjeve, por nënkuptime të tyre. Lexuesi e percepton historinë që rjedh si shtrat i ngjarjeve dhe lëvizjeve të personazheve, por ajo nuk shuqhet përmes emrave të përveçëm apo ngjarjeve të shënuara në kalendare. Lexuesi e merr me mend se “kjo” duhet të ketë ndodhur në 1913-ën, se kjo masakra tjetër mund të jetë e 1923-shit, se ky grup ushtarakësh i përket bandave sulmuese të kundërshtarit.. Madje, duke ecur në këtë shteg përsiatjeje, mund të themi se romani i Demit, për shkak edhe të kthimeve pas në kohë, të marrëdhënieve të personazheve me njeri tjetrin mund të quhet fare mirë edhe një roman psikologjik. Po edhe si një hetim racional i iracionales që ndodhi ndaj popullsisë çame. Sa e kuptuan krerët e fshatrave, të fiseve, të qytezave renë e zezë që po u kanosej? Sa u përgatitën, sa u organizuan, çfarë aleancash ngritën?
Demi nuk ecën drejtpërdrejt në këto shtigje. Ai e kërkon përgjigjen në traditat, në mënyrën e jetesës e në zakonet – të gjitha që i njeh shumë mirë e në thellësi – njohje kjo e trashëguar, e përvetësuar, e përftuar dhe e filtruar më pas në letërsi. E shpreh përmes personazheve të jashtëzakonshëm që ndeshim në faqet e librit, të burrave e grave, vajzave e djemve, fati i të cilëve pothuajse asnjëherë nuk është më në dorën e tyre për shkak të rjedhave të papritura që merr historia.
Dhe përsëri këtu na duket se rikthehemi në terrenin e romanit historik, i cili lind përmes imagjinatës, duke iu referuar një të shkuare të njohur, që e vë në shërbim të reflektimit mbi fatin njerëzor. Romani i Enkel Demit është një kërkim, një ndjekje e fatit njerëzor, përmes frymës epike dhe vullnetit të autorit për të kuptuar pasojën e ngjarjeve, shpesh të precipituara nga shpejtësia e evolucioneve që u imponohen. Autori nuk e ka zgjedhur rastësisht këtë periudhë historike për të studiuar karakteret e kohës, për t’u zhytur në atmosferën e kohës, për t’i vënë në tesion personazhet e tij përballë pikëpyetjeve ekzistenciale dhe provave fizike e morale. Autori përshkon sëbashku me lexuesin momentet tragjike të së shkuarës, për të zbuluar tiparet më thelbësore të individit, në rrethana të caktuara.
Padyshim, periudhat historike tragjike i japin dorë shkrimtarit për të dhënë momente të forta, për të përthithur vëmendjen e lexuesit e për t’i mbajtur atij frymën, ai shkon dhe prek kufinj që jeta e përditshme në paqe nuk t’i mundëson. Enkel Demi ka shfrytëzuar të dyja këto mundësi: ai i jep historisë një vend në sfond, ndërkohë që personazhet e tij herë pas here, përpiqen të jetojnë jetën normale, e cila zgjat fare pak, sepse një tjetër furtunë u bie mbi krye. Të tjera fusha me të vrarë dhe gra që kërkojnë burrat mes kufomave, të tjera karvane të nisur pas një periudhe që dukej e qetë, kur mund të rriten fëmijët, të bëhen martesa, të ndërtohet jeta familjare. Stili i përshtatur nga Demi, mjaft i ndryshëm në këtë roman të dytë në krahasim me të parin – padyshim për shkak të epicitetit të domosdoshëm, reflekton temperamentin e secilit personazh, por edhe frymën e kohës. Nanë Zisja, Hëna, Avduli, Abedini, Serveti, Fuati, Feriku, Muharremi, Mulla Aliu apo Gjeneral Kranjai si edhe shumë të tjerë që mbushin galerinë e habitshme të personazheve të këtij romani, kanë secili jo vetëm karakterin e tyre origjinal, por edhe gjuhën e tyre, të folmen e tyre që për+on njëkohësisht mendësinë sunduese të kohës dhe të shtresave shoqërore që ata u përkisnin. Përveç historisë, njohja e thellë e gjuhës së kësaj krahine nga ana e autorit, e traditave, e karaktereve, e tipareve përgjithësuese të dy tre brezave, e bën romanin mjaft të pasur në frazeologji e fjalor, risjell në vëmendje forma të harruara, por gjithnjë të mrekullueshme të shqipes, proverba, thënie të mbushura me mençuri popullore e pasuri folklorike të një treve që iu shkëput trungut, por që e ruajti në mënyrë virtuale pasurinë e saj shpirtërore.
Romani “Gurët e vetmisë” është një tjetër “gur” që Enkel Demi vendos në rrugën e tij në letërsinë shqipe. Një gur që zë vend e nuk lëviz lehtë.