Në vitin 1999 grekofonët dhe grekofilët dolën nëpër ekranet televizive greke duke akuzuar UÇK–në si organizatë terroriste. Ata dolën hapur në përkrahje të ushtrisë barbare serbe të Millosheviçit.
Nga Arben Llalla
Presidenti Meta deklaroi dje me rastin e festës kombëtare greke: “Minoriteti grek dhe komuniteti shqiptar në Greqi janë ura shumë të forta lidhëse në marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale, por edhe mjaft premtuese mes dy popujve tanë.
Shqiptarët dhe grekët meritojnë të jetojnë gjithmonë në bashkëpunim, harmoni e begati. Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-greke!”.
Por, dje gjatë paradës së ushtrisë greke në Thesali u këndua kënga për aneksimin e Jugut të Shqipërisë dhe Himni për Veriun e Epirit. Ironia është që Greqia asnjëherë s’ka falenderuar Shqipërinë për kontributin e shqiptarëve për Mëvetësinë e saj. Dëshira dhe dashuria e Ilir Metës për marëdhënie të shkëlqyera greko-shqiptare është e njëanëshme, sepse Greqia dhe grekët nuk na duan as për fqinj, as për aleatë, por gjithnjë kanë kërkuar vdekjen e shqiptarëve.
Teoria, sipas të cilës “mërgimtarët shqiptarë në Greqi dhe minoriteti grek që jeton në Shqipëri janë urë lidhëse midis dy vendeve” bie poshtë si e pa vërtetë. Mërgimtarët shqiptarë janë pengje, urë e minuar që shpërthen sa herë që Tirana nuk i bindet Athinës, kur kjo e fundit me “fshesat e veta periodike të hekurta” kthen me forcë në heshtje ose me bujë mijëra njerëz të halleve, njerëz të bukës së gojës që nuk merren me politikë.
Sa herë që Shqipëria do të kërkojë të drejtat e mërgimtarëve në Greqi dhe ngritjen në forumet dhe asambletë botërore për zgjidhjen e drejtë të Çështjes Çame, aq herë Greqia me satelitët e saj minoritarë do të kërkojnë autonomi të “Vorioepirit”, madje ndihmën e NATO-s për ndërhyrje ushtarake në Jug të Shqipërisë për shpëtimin e minoritetit grek.
Çfarë ruan historia për “Miqësinë” greko-shqiptare më 1999?
Drejtuesit e shoqatave të grekofonëve të Shqipërisë dolën hapur kundër shqiptarëve të Shqipërisë në periudhën e vështirë të luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Kur populli shqiptar i Kosovës vritej dhe digjej i gjallë dhe opinioni gjithëbotëror përkrahte dhe ndihmonte popullin e shkelur të Kosovës, shoqatat e grekofonëve protestonin duke gjuajtur me gurë dhe vezë mbi Konsullatën e Përgjithshme Shqiptare në Selanik, duke kërkuar autonominë e të ashtuquajturit “Vorio Epir”. Grekofonët dhe grekofilët dolën nëpër ekranet televizive greke duke akuzuar UÇK-në si organizatë terroriste. Ata dolën hapur në përkrahje të ushtrisë barbare serbe të Millosheviçit. Nuk lanë gjë pa thënë kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë, duke dhënë intervista nëpër gazetat e ndryshme greke dhe në revistat që botonin organizatat e minoritarëve grekë.
Revista e grekofonëve të Gjirokastrës “OAZI” e dhjetor 1998 – janar 1999 që botohej në dy gjuhë greqisht-shqip botonte një shkrim keqinformues, një shkrim keqdashës e që i shërbente urrejtjes dhe injorimit të kulturës shqiptare. Në një shkrim me titull: “Pozicioni i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në Ballkan” autori minoritar Pavllo Vllahos, sjell opinionin e tij për shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë. Ai shkruante: “Shqiptarët e Kosovës, por edhe të Shqipërisë guxuan të vënë dorë në djepin e kulturës serbe, në vendlindjen e heronjve popullorë të princave”. Ky minoritar na dilte atë periudhë mbrojtës i çështjes shoviniste të serbëve të Millosheviçit.
Deklarime kundër shqiptarëve të Kosovës atë kohë kishte edhe nga organizata e grekofonëve të “OMONIA”-s, të cilët deklaronin që refugjatët e Luftës të Kosovës nuk duhet të strehohen në qytetet e Jugut të Shqipërisë si Vlorë, Korçë, Gjirokastër, Sarandë, Ersekë, Pogradec, Tepelenë.
Pra, grekët, grekofonët na tregonin në vitin 1999 se deri ku guxojnë të vendosen shqiptarët e Shqipërisë së vërtetë, se ku duhet të strehoheshin njerëzit e ardhur nga lufta, të tmerruar nga krimet çnjerëzore të kryera nga ushtarët serbë të Millosheviçit.
Një enigmë ka mbetur ende, ajo e gushtit të vitit 1999, kur u vu një bombë në shtëpinë e konsullit të pëgjithshëm shqiptar në Selanik.
Në vitin 2002 nëpër rrugët e Selanikut shoqatat “Vorioepirote” shpërndanin fletushka kundër Shqipërisë dhe kërkonin ndërhyrjen e NATO-s për të “shpëtuar” rreth 80 mijë minoritarë grekë që jetojnë nëpër disa fshatra të Sarandës, Gjirokastrës nga gjoja “terrori” që ushtrojnë shqiptarët ndaj tyre.
Këto janë vetëm disa grimca të veprimeve antishqiptare të Greqisë, të ndodhura para disa viteve, pa folur për masakrën e Peshkëpisë, vrasjet e emigrantëve shqiptarë, për gjenocidin kundër çamëve më 1944, masakrat e viteve 1913-1914.
Fatkeqësia është se Shqipëria udhëhiqet ende nga politikanë të dobët përballë politikës dinake të Greqisë dhe grekëve. Sot, populli shqiptar dhe ai grek ndodhen politikisht shumë larg njëri-tjetrit. Lufta e Kosovës tregoi se grekët janë besnikë, avokatë të politikës raciste serbe, janë në anën e kundërshtarëve të kombit shqiptar.
Pa zgjidhjen e Çështjes Çame, pa njohjen e minoritetit shqiptar në Greqi, pa rikthimin e pronave, pa heqjen e Ligjit të Luftës, Greqia dhe Shqipëria asnjëherë nuk mund ta quajnë veten e tyre miq e fqinjë të mirë.
Prandaj, nuk do ishte keq që Ilir Meta të thoshte: “Zoti i ruajt dhe i bekoftë shqiptarët!”, se për grekët në hell na shkojnë të tërëve.