E paralajmëruar prej ditësh, ka nisur protesta e thirrur nga opozita ku mijëra qytetarë shqiptarë janë mbledhur në shesh prej orës 11:00 përpara kryeministrisë.
Ora 15: 35 Ministria e Shëndetësisë: 15 persona të shtruar në spital, ndër to dhe 2 gazetarë
Rreth 15 shtetas, ndër ta 5 policë dhe 2 gazetarë janë dërguar në spital për shkak të gjendje së rënduar shëndetësore nga përplasjet e dhunshme para Kryeministrisë ditën e sotme.
Ora 15:05 Rama nga Vlora: Do përgjigjen të gjithë para ligjit
Teksa protestuesit në Tiranë po mësynin godinën e kryeministrisë, kreu i qeverisë Edi Rama nga Vlora, tha se aksioni i opozitës vjen për shkak të frikës nga drejtësisë e re. Rama kishte edhe një përgjigje për akuzat e artikuluar nga Kryetarja e LSI për blerje të votave.
Rama: Na tregon ne doktoresha blerjen e votës, nëse ka në Shqipëri një fabrikë që ka blerë votën dihet se kush është, na tregojnë ne kanabisin, ata janë vrasësi që bërtet kapeni vrasësin. Ata janë në panik, ata votë nga populli nuk marrin dot dhe kanë hallin tjetër që drejtësia e re po vjen dhe shumë prej tyre do të përgjigjen para drejtësisë.
Ora 14: 30 Mediat e huaja pasqyrojnë LIVE protestën e opozitës në Tiranë
Mediat e huaja transmetojnë live protestën e opozitës. Euronews, Zëri i Amerikës, DW etj., kanë pasqyruar hap pas hapi çfarë po ndodh në Tiranë. “Skena të tensionuara në Shqipëri mes protestave anti-qeveritare”, shkruan Euronews në faqen e parë të saj. “Mijëra protestues kanë vërshuar në rrugët e kryeqytetit shqiptar Tiranë, për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Disa prej tyre thyen kordonin policor duke hedhur bomba tymuese dhe flakadanë dhe pastaj kanë tentuar të thyejnë derën e kryeministrisë”, shkruan Euronews.
Ora 13: 40 Rama flet për kërpudhën në kryeministri
Kryeministri Edi Rama ka bërë një reagim në twitter në lidhje me protestën e opozitës. Ai mbron kërpudhën pranë kryeministrisë, e cila është prishur nga protestuesit.
Rama: KEPURDHA – Vepër e Carsten Holler,pjesë e një cikli të ekspozuar në disa muze,dhuruar Kryeministrisë pas një vizite në vendin tonë, që e ktheu artistin e famshëm bashkëkohor në një ambasador të Shqipërisë e shqiptarëve.Ndjesë Carsten,kjo s’është Shqipëria këta s’janë shqiptarët
Ora 13:10 Berisha: Çadra ishte lule, prisni dhe shikoni ç’do bëhet
Ish- kryeministri Sali Berisha, nga protesta bën thirrje Edi Ramës të japë dorëheqjen. Ai thekson se shumë shpejt do të merret vesh se cili do të jetë hapi i protestuesve, ndërsa thekson se krahasuar me këtë që pritet të ndodhë, çadra ishte lule.
“Rama ka afat deri në darkë. Uroj që gjer në darkë të japë dorëheqjen. Të mos harrojë që kanë dhe datën e zvarritjes dhe kur vjen puna shqiptarët dinë të zvarrisin. E ka në dorë të vet.. Mos harro sepse duhet të jesh skllav i të gjitha veseve që të mos japësh sot dorëheqjen para këtij cunami të paparë. Dhuna ishte skenar kryekëput i Edi Ramës. Ishte skenar se policia hapi kordonin. Kush i hodhi bombat me gaz.. Sot firmosën historinë. Fundin e kakistokracisë. Edi Ramës i them se më 20 shkurt Ramiz Alia të mori me pizhama e të çoi në Zall Herr, por tani nuk ka kush të çon në bunker por jep dorëheqjen për të mos pasur fatin e Enver Hoxhës. Protesta nuk ka mbaruar misionin e saj. Do ta shikoni. Çadra ishte lule. Thirrja ime për policinë është bashkohuni me popullin. Mos mbroni mbatharakun bashkohuni me qytetarët që kanë idealet më të larta”, tha Berisha.
Ora 13: 05 Basha: Opozita e vendosur për të qëndruar në protestë
Ndërkohë që policia po bën thirrje që protestuesit të tërhiqen nga aktet e dhunshme, kreu i PD, Lulzim Basha thotë se policia ka shkelur ligjin. Basha tha se protestuesit u provokuan nga policia, pasi ata nuk erdhën për akte dhune.
“Protesta është thirrur me një qëllim. Qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme. Kjo është protesta më e madhe në 30 vite. Asnjë protestues nuk erdhi për të bërë akte dhune. Ata u nxiten dhe u provokuan nga policia. Opozita e vendosur për të qëndruar në protest. U kërkoj qytetarëve të qëndrojnë të bashkuar për të drejtat e tyre. Sa do vijojë protesta atë e dinë qytetarët”, tha Basha.
Ora 13:00 4 protestues dhe 2 policë të plagosur
Pas shpërthimit të dhunës në protestën e opozitës 4 protestues dhe 2 policë janë nisur drejt spitalit, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë pasur probleme si gjendje të fikti si dhe lëndime trupore. Ky informacion është përcjellë QSUT “Nënë Tereza” ku bëhet e ditur se: “Dy policë, të lenduar me mjete të forta, në kokë dhe në kurriz, janë transportuar për trajtim të specializuar në spitalin universitar të Traumes, ku po marrin trajtimin e nevojshëm.”
Ora 12: 30 Rama: Bashkëqeverisja në Vlorë, politika e dalë boje në Tiranë
Kyeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në instagram lidhur me protestën e opozitës para godinës që ai vetë drejton dhe takimit të mbajtur prej tij sot në Vlorë. “Bashkëqeverisja me njerëzit në Vlorë dhe Politika e dalë boje në Tiranë”, shkruan Rama në Instagram ndërsa publikon edhe dy foto të takimeve në Tiranë e Vlorë.
Ora 12: 20 Policia-protestuesve: Ruani qetësinë, po bëni vepra penale
Policia u ka bërë thirrje me megafon qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos përdorin dhunë, duke i paralajmëruar se po kryejnë vepra penale. “Ndërprisni veprimet e dhunshme, ruani qetesinë,. Veprimet që po kryeni përbëjnë vepër penale, Policia do të zbatojë ligjin”, thotë policia.
Ora 12:05 Raportohen qytetarë të plagosur, mes tyre një gazetar
Për shkak të përplasjeve ka pasur disa protestues të lënduar, mes tyre dhe një fotoreporter, të cilit i kanë dhënë ndihmën e parë qytetarët .
Ora 12:00 Apeli i Presidentit: Vetëpërmbahuni
Pas episodeve të dhunës dhe përplasjeve mes policisë dhe protestuesve tek Kryeministria, ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta. “Duhet vetëpërmbajtje nga të gjithë për evitimin e konfrontimeve e dhunës. Ndërsa qytetaret duhet të protestojnë të lirë duhet të respektohen institucionet“, shkruhet në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit të Presidencës.
Ora 11: 52 Hidhet gaz lotsjellës drejt protestuesve për t’i zbrapsur nga Kryeministria
Ora 11: 49 Protestuest hedhin objekte drejt atyre që ndodhen brenda Kryeministrisë
Ora 11: 44 Protestuesit kanë hipur në skelën e vendosur para Kryeministrisë
Protestuesit kanë tentuar të futen dhe brenda Kryeministrisë nga dera. Po hidhen dhe tymuese. Ndërkohë punonjes të gardës ndodhen mbi tarracë.
Sali Berisha: Ai ia mbathi, ndërkohë policisë i tha ti provokojë dhe grishi provokuesit. Të rrinte në zyrë te mos bente antimiting ne Vlore. Po të qe burrë duhej të rrinte në zyrë dhe jo tia mbathte. Edhe atje do të kertë një dron nga ajri që do të kërkojë arrestimin e Edi Ramës, simbolikisht Protestues hipin në shkallët e kryeministrisë dhe po ngrisin mbulojën. Hedhin zjarr
Ora 11: 37 Protesta, përplasje mes protestuesve dhe kordonit të policisë në Kryeministri.
Ora 11: 30 Opozita proteston, zjarr e tym te Kryeministria
Ora 11:00 Nis protesta opozitare, mijëra qytetarë nga e gjithë Shqipëria në shesh.
Ora 10:30 Basha mbërrin në selinë blu, e lë enigmë skenarin e protestës
Kreu i PD-së Lulzim Basha ka mbërritur para pak minutash në selinë blu, ku është takuar me simpatizantët që kanë qenë të pranishëm aty. Basha pritet që të marshojë drejt kryeministrisë rreth orës 11:00, i shoqëruar nga një grup të rinjsh.
Kreu demokrat nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment për gazetarët, ndërsa mbetet ende mister si do të vijojë protesta. Ndërkohë që tek kryeministria pritet që të jenë sot rreth 1500 punonjës të policisë dhe të gardës.
Zëra thonë se mund të ketë një skenar për djegien e mandateve të deputetëve, ose një skenar të përsëritur të çadrës dhe ngujimit.
Ora 10:00 PD: 50 mijë qytetarë nga rrethet drejt Tiranës për të protestuar
PD ka dhënë një informacion paraprak në lidhje me numrin e protestuesve të saj që janë nisur nga rrethet.
Sipas selisë blu, më shumë se 50 mijë qytetare dhe simpatizante demokratë kanë udhëtuar nga qytete të ndryshme të Shqipërisë për të qënë në protesten para kryeministrisë.
PD madje ka dhënë edhe shifra konkrete të simpatizanteve të saj të nisur për çdo qark.
Qarku Shkodër – 8000 qytetarë
Qarku Lezhë – 6800 qytetarë
Qarku Kukës – 4000 qytetarë
Qarku Dibër – 3500 qytetarë
Qarku Durrës – 9100 qytetarë
Qarku Elbasan – 7500 qytetarë
Qarku Berat – 3000 qytetarë
Qarku Fier – 4800 qytetarë
Qarku Vlorë – 4500 qytetarë
Qarku Gjirokastër – 2000 qytetarë
Qarku Korçë – 4200 qytetarë
Ora 09:30 Prishet autobusi i Laprakës, bllokohen protestuesit në trafik
Një autobus i linjës Qendër-Laprakë ka pësuar difekt në rrugën Tiranë-Kamëz, duke bllokuar për disa minuta qarkullimin. Kjo situatë ka shkaktuar kaos në trafik, por edhe nervozizëm te një pjesë e mirë e mjeteve me protestues, që janë duke ardhur drejt kryeqytetit.
Ora 09:00 FNSH dhe RENEA “blindojnë” Kryeministrinë
Policia, FNSH dhe RENEA janë dislokuar në ambientet e brendshme të kryeministrisë për të përballuar ndonjë situatë të tensionuar nga protestuesit.
Ora 08:40 Policia nuk lejon transmetuesit e televizioneve të vendosen pranë Piramidës
Policia e Shtetit nuk lejon transmetuesit e televizioneve të vendosen pranë Piramidës, për të pasqyruar protestën e opozitës. Është hera e parë që Policia ndalon mediat të transmetojnë një protestë për të qenë transparentë me publikun
Ora 08:30 Shkodër, policia kontrollon protestuesit
Mëngjesin e sotëm në Kryebushat të Shkodrës policia ka zhvilluar kontrolle tek personat, të cilët janë nisur për të marrë pjesë në protestën e opozitës në Tiranë.
Ora 07:40 Flamur Noka: Sot politika hesht, do flasin qytetarët
Deputeti demokrat, Flamur Noka tha nga Shkodra se sot është dita e qytetarëve. Para nisjes për në Tiranë, me protestuesit e Shkodrës, Noka tha se politika sot do të heshtë. “Siç e shihni janë disa pika ku niset qytetarët drejt Tiranës. Masiviteti është i paparë. Janë mijëra qytetarë që po vërshojnë drejt Tiranës. Sot është dita të flasin qytetarët. Sot do flasin shkodranët, do flasin shqiptarët. Sot politika hesht. Është dita e tyre. Sot pritet ajo që qytetarët e dinë vetë. Sot është fjala e tyre jo e politikës”.