Nga Ilir Babaramo
Një agresion i paparë propagandistik ka nisur në të dyja anët e Drinit. Hashim Thaçi dhe Edi Rama po përpiqen të bindin gjithë hapësirën shqiptare se marrëveshja që ata të dy kanë arritur me njeriun e Moskës në Beograd është një zgjidhje jo vetëm historike, por dhe e favorshme për shqiptarët.
Duket paradoksale, por është tërësisht e vërtetë; projekti kriminal Rama-Thaçi, që i fal Serbisë veriun e Kosovës, ka bashkuar ndoshta më shumë se kurdoherë shqiptarët. Taboret tashmë janë rreshtuar përballë. Rama, Thaçi dhe gjithë banda kleptokrate, provinciale e klanit “Pronto” kanë bërë bashkë në mënyrë instiktive gjithë opinionin publik dhe politik shqiptar.
Si çdo krim dhe ky projekt është ndërtuar mbi një gënjeshtër. Thaçi përpiqet ta shesë si një hartë të vizatuar nga komuniteti ndërkombëtar , mbi të gjitha nga Shtetet e Bashkuara. E kundërta është e vërtetë. Dinamika e ngjarjes është krejt tjetër. E para, ky projekt nuk është zbuluar nga “gjenitë” e sotëm shqiptarë. Eshtë hartuar nga një prej dy tre më antishqiptarëve në krejt historinë e Ballkanit. Ish-kryetari i Akademisë së Shkencave të Beogradit, Dobrica Qosiq, ia ka nisur Rugovës 25 vjet më parë, këtë projekt si një “zgjidhje historike”. Ndonëse në atë periudhë, thuajse askush nuk i imagjinonte bombat e NATO-s mbi Serbi dhe Rugova kontrollonte vetëm dhomën e tij të gjumit në Velani, Presidenti e refuzoi këtë projekt. Ky projekt u harrua deri sa Beogradi u përfshi në një garë idiote, goditjet që i bënin njëri-tjetrit nën brez Thaçi dhe Rama se kush do ishte përfaqësuesi i shqiptarëve në bisedime me Serbinë. Vuçiç e risolli në tryezë këtë projekt . Dy përfaqësuesit e shqiptarëve ranë dakord. Me premtimin që Serbia do njohë Kosovën pranuan. Si Vuçiç dhe Thaçi u ulën në bisedime me nga një hall mbi shpinë. Vuçiç duhet të heqë përfundimisht barrën e Kosovës si kushtin më të rëndë që Serbia të anëtarësohet në BE. Thaçi, pasi dështoi të zhbënte në parlament Gjykatën Speciale, shpreson se biletën vetëm vajtje për Holandë nuk do ia presin. Gjithmonë ka çuar të tjerë aty, por laku po ngushtohet. Shkon me shpresën që duke shkuar në Bruksel për të negociuar nuk mund të përshkojë të njëjtin itinerar si ai që kanë nisur disa ish-komandantë të UÇK. Vuçiç pati intuitën se nuk po negocionte me një njeri të lirë, se kishte përballë një peng. Në këtë konteskt u rikthye ideja e Qosiq, ide që i volit kaq shumë dhe Moskës në skenën globale; Krimeja në rend të parë. Pasojat dihen. Që kur u fillua të flitet publikisht për këtë zgjidhje, Beogradi ka shtuar agresionin diplomatik kundër pavarësisë së Kosovës dhe 15 shtete kanë tërhequr njohjen.
Dy presidentët ranë dakord për ndarjen, të cilën Thaçi e quan me eufemizëm korrigjim kufijsh. E para u lebetit Merkel. I paralajmëroi se është totalisht kundër. Në Departmanetin e Shtetit fillimisht i dëbuan bashkë me projektin si dy të marrë. Por, Thaçi e Vuçiç nuk u tërhoqën. Gjetën një zgjidhje. Të dy paguajnë një lobues të përbashkë në Washington D.C., Lewandovski quhet. Madje të tre, përfshirë Ramën, kanë gjithashtu një polster të përbashkët, një farë Hasaf. Ingranazhi u vu në lëvizje. E vërteta është fare e thjeshtë. Zgjidhja nuk u hartua në SHBA. U paraqit si draft nga palët.
Kush ka lexuar librin e Bob Woodward : “Fear, Donald Trump at White House” e ka fare të qartë si funksionon administrata aktuale amerikane. “Deal”, është fjala magjike. Le ta marrim të mirëqenë se presidenti aktual amerikan mbështet projektin . Shtrohet pyetja : përse tani kjo marrëveshje?
Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk janë partner strategjik i shqiptarëve. Janë shumë më tepër se kaq. Historia jonë 100 vjeçare na ka mësuar se Uashigtoni është aleati ynë jetik, ekzistencial. Vetëm një komb mund të jetë kaq proamerikan si ne, Izraeli. Në historinë 71 vjeçare të shtetit të Izraelit ka patur momente kur kanë kundërshtuar Uashigtonin. Sigurisht, jo për mustaqet e Erdoganit, siç ka bërë Rama disa herë, por për interesa jetike të kombit hebre. Do ishte marrëzi që autoritetet e Prishtinës të sillen Bibi Netanjahu me Barak Obamën. Mjafton të përgjërohen: jo, jo këtë marrëveshje nuk mund ta firmosim.
Askush nga karafilat që mbrojnë marrëveshjen nuk thotë se si do jetë në SHBA konjuktura, qasja ndaj Ballkanit pas dy ose qameti pas 6 vjetësh. Të gjithë e dinë, por pak vetë e thonë. E pra, në histori dy vjet zgjasin sa një frymëmarrje. Le të presim. Përse ky ngut për të mbyllur çdo gjë deri në qershor?
Ndoshta më mirë se kushdo, thelbin e këtij “deal” e shpegoi dy ditë më parë kryeministri i Kosovës. Me çiltërsinë dhe zgjuarsinë e atij fshatarit nga Gllogjani që ka zbritur në pazar të Deçanit, Haradinaj i trajton si laro të gjithë ata thaçistë që duan t’ia shesin sapunin për djathë. Dhe ka të drejtë. Sepse, pjesa dërrmuese e opinionit publik në Serbi është e qartë. Ajo që tentojnë të mbajnë në Kosovë janë ose tregu ose manastiret, ose të dyja bashkë. Sigurisht nëse negociojnë me një njeri të lirë, jo me një president peng.
Thaçi dhe Rama po ua shesin shqiptarëve këtë pazar me Vuçiçin si fitore. Mburrja e tyre është e ngjashme me atë të dikujt nga fshati i origjinës së Ramës. Fshatarit i mbeti i vrarë vëllai në përplasje me armë me fshatin fqinj. Gjithësesi arriti t’u merrte një dele. Kaq mjaftoi që në darkë, në klubin e fshatit t’i binte gjoksit: “kokë lashë, kokë mora”.