Nga Behar Jacaj
Hamleti duhet të ketë qënë shqiptar ose të paktën me origjinë shqiptare (siç është bërë e modës të thuhet për çdo figurë të njohur botërore). E, nëse faktet kokëforta tregojnë se krijuesi, Shekspiri e nxorri Hamletin nga legjendat skandinave, atëherë dilema e tij është medoemos nga viset Arbërore. S’ka si të jetë ndryshe. Degët e asaj dileme lulëzojnë ende në Shqipërinë tonë të bekuar. To be or not to be? Sokrat i vuejtun apo derr i knaqun? Orienti apo oksidenti? Ballist apo partizan? Vrasje apo vetëvrasje? Majtas apo djathtas? 28-ë apo 29-ë? Puçiste apo revolucionare? Partinë apo Shqipërinë? Papunësi apo dembelizëm?
Përtej këtyre dilemave shtrihet një dilemë akomë më e madhe, të cilën, koha se ka tjerrë, por e ka trashur. E pra është dilema e fajit. Kush e ka fajin që Shqipëria po ecën barkas, babëzia dhe uria e pushtetarëve apo mentaliteti dhe sjella kryeneçe e popullit? Këtu mospajtimi është i thellë. Pala e parë akuzon të dytën. Të dytët akuzojnë të parët. Dhe kështu faji mbetet kopil me prindër që s’e pranojnë. Atë që rrinë në heshtje janë intelektualët. Ata heshtin, nuk dëgjohen ose nuk pranohen. Mendimet e tyre kushtojnë lirë (rrogat e tyre janë qesharake), megjithatë heshtja e tyre blihet shtrenjtë (dëmet e mosdijes janë gjithmonë të kripura). Nuk është e rastësishme mosvetja e intelektualëve. Ata nuk mund të bëjnë pazare përveçse me të drejtën dhe të vërtetën, sepse ndryshe nuk mund të jenë intelektualë. Në shumicën e rasteve, e drejta dhe e vërteta janë të tharta, të hidhura. Për të treguar mospërfilljen që u bëhet intelektualëve të mirëfilltë dua të rrëfej dy ngjare, në të cilat jam gjendur dëshmitar.
Para ca kohësh takova një të njohur që kisha kohë pa e takuar. Ai ndër të tjera, më tregoi se sa i lumtur ishte që kishte zbuluar një pasion të panjohur, gjeografinë. Paçka se kishte marrë liçensën për mësues të edukimit fizik, i njohuri im, pasionin për gjeografinë e kishte zbuluar së bashku me nxënësit e tij, të cilëve u jepte lëndën e gjeografisë. Më e rëndësishme se gjeografia është rroga, ndaj punë e madhe që një mësues gjeografie është diplomuar për fiskulturë.
Ditët e fundit mora pjesë në një takim që organizohej mbi sfidat e punonjësve socialë dhe psikologëve. Një zysh biologjie, e cila ishte bëre drejtore në një institucion të rendësishëm me detyra dhe fokus psiko-social, u fliste psikologëve dhe punonjësve socialë sesi duhet të kapërcejnë sfidat e tyre. Dreqi e mori, dikush që ka lexuar më shumë për butakët sesa për shpirtin dhe ndërtimin e personalitetit, flet për psikologji përpara pedagogëve të psikologjisë? Të qeshësh me lot dhe të qash me gaz. Dhe, zysha e biologjisë ankohej se nuk gjente dot profesionistë për t’i punësuar në drejtorinë e saj. Të gjithë këtë e thoshte para një auditori ku kishte dëgjues që ishin diplomuar në Oksford. E gjitha kjo dukej sikur të dëgjoje një sorrë që ankohet se peshqit nuk dinë të notojnë. Absurd.
Dua ta mbyll me një ndodhi që thuhet si anekdodë. Dikush që ishte diplomuar në Perëndim me nota shumë të mira, u kthye në Shqipëri dhe filloi të kërkonte punë. Institucionit të parë që iu drejtua nuk e la të hynte. I sapo ardhuri i tregoi me durim rojes që ishte një i ardhur nga jashtë dhe kerkonte punë.
“Ik or çun andej”,-ia ktheu roja- po të ishe aq i zgjuar sa ç’thua nuk do ktheheshe në Shqipëri.”
Pas kësaj, dilema Hamletiane bëhet vrasëse. Të jesh apo të mos jesh shqiptar i ndershëm? Të rrish apo të ikësh? Të ikësh apo të kthehesh? Të qëndrosh, të presësh, të vdesësh? Apo të ikësh me vrull, pa lënë gjurmë, të mos kthehesh kurrë?