Nga Kujtim Xhaja
Kjo është historia e të riut shqiptar, i cili trajnon prej vitesh, ata të cilët do të jenë pretendentët e ardhshëm për sportistë të klubit të famshëm francez AJ Auxerre.
Si një ish-futbollist i skuadrës kombetare shqiptare, U19, Serxhio Kuqo, rrëfen përvojën me klubin e madh francez. Çdo ditë atij i duhet t’i bëjë gati, t’i mësojë, t’i trajnojë e organizojë vogëlushët 10-16 vjeçarë për t’u bërë futbollistë profesionistë të së ardhmes.
Ai na tregon më poshtë, në intervistën tonë disa fakte, përjetime, copëza jete nga një mundësi, e cila, për të qenë të sinqertë, të vjen vetëm një herë në jetë…
1-Serxhio si është të jesh një trajner i moshave të vogla në një skuadër si ajo e A.J.Auxerre ?
Për ta filluar, thjesht ndjesia që vesh të njëjtën fanellë të futbollistëve të Ligës 1, të cilët luajnë me AJ AUXERRE, më bën mua të ndihem krenar. Krenar që jam pjesë e një familjeje me një histori të madhe mbrapa saj. AJ AUXERRE është rankuar një nga 5 akademitë më të mira të futbollit në Francë, e cila përkthehet në përgjegjësi për mua. Mënyra e trajnimit të fëmijëve duhet të jetë tejet profesionale dhe me pritshmëritë e duhura. Një nga gjërat që më bëjnë të lumtur është besimi që ata patën tek unë. Ky besim më lejoi mua të trajnoi skuadra si U10, U11, U12, U13, U14 dhe të jem trajnues për të gjithë akademinë e moshave nga 6 deri 16 vjeç.
2-Si sillen grupmoshat e vogla me ju? Është e vështirë të merresh me ta, t’i menaxhosh veprimtaritë, sjelljet ?
Këtë vit po trajnoi fëmijë të grupmoshave nga 10-16 vjeç, pra është më e thjeshtë për mua në krahasim me vitin e shkuar, ku kisha të bëja me fëmijë të vegjël të moshave 4, 5, 6 vjeç. Në atë rast më duhej të isha më i qetë dhe i duruar me ta. Gjithashtu duhet të sigurohesha që edhe ata të ndiheshin mirë me mua edhe me klubin në tërësi. Gjëja e parë që kam mësuar, kur fillova të punoj për AJ AUXERRE ishte si të ndërtoja një marrëdhënie respekti mes meje, « mentorit » edhe fëmijëve.
3- Sa e vështirë ishte për ju të ishit pjesë e një skuadre të madhe franceze? Më flisni pak për peripecitë që keni kaluar për të qenë aty ?
Ne e dimë, që të kesh sukses duhet të punosh fort dhe të bësh shumë sakrifica. Në moshën tre-vjeçare, familjes time i duhej të shpërngulej për arsye personale nga Shqipëria drejt Greqisë, vend në të cilin u rrit tek unë ëndrra dhe pasioni për futbollin. Punova dhe u trajnova fort çdo ditë. Nuk dilja shpesh jashtë, nuk i frekuentoja kafenetë-bar-et si të gjithë bashkëmoshatarët e mi. Isha i përqëndruar tek arritja e qëllimit tim, e të qënit një futbollist profesionist. Të gjitha sakrificat dhe mundi mu shpërblyen në moshën 17-vjeçare, kur Foto Strakosha më zgjodhi të bëhesha pjesë e skuadrës kombëtare të futbollit dhe të luaja për vendin tim. Kjo më dha forcë të vazhdoja më tej dhe të përpiqesha më fort për të ardhmen time dhe të kuptoja se asgjë nuk është e pamundur.
4-Keni ndonjë pasion tjetër veç sportit? E gjeni kohën për ta ushtuar?
E dashuroj kërcimin! Kam filluar të kërcej, fill pas këshillës të trajnerit tim, i cili më sugjeroi të frekuentoja një shkollë kërcimi për të pasur më shumë fleksibilitet. Ai më tha se duhej të isha më i shpejtë në pritjen e golave dhe duhet të përmirësoja aftësitë e mia. Kjo ka ndodhur tetë vite më parë dhe tani kërcimi është kthyer në dashurinë time të dytë, pas futbollit. Është shumë e vështirë t’i kombinosh të dyja në një kohë kur jam edhe trajner edhe futbollist. Shpesh nuk kam shumë kohë të lirë, por kur jam në shtëpi dhe dëgjoi muzikë kërcej, sepse kjo më qetëson shumë.
5-U keni mësuar ndonjë kërcim lojtarëve të vegjël?
Marrëdhënia midis trajnerit dhe lojtarëve në një moshë të vogël duhet të jetë shumë miqësore. Nuk duhet harruar se brenda çdo fanelle qëndron një fëmijë, të cilin trajneri, mentori duhet ta bëjë të ndihet i sigurtë për të shprehur veten e tij dhe të ndihet rehatshëm me gjithë fëmijët e tjerë. Është kjo arsyeja pse jam treguar aq i afërt me fëmijët, duke e ndjerë punën timë si një familje të dytë. Çdo herë para se të nisim trajnimin, kemi 20 minuta kohë të flasim dhe të bisedojmë në dhomat e ndërrimit. Eshtë ky momenti, kur fëmijët më pyesin që t’iu tregoi atyre ca mënyra kërcimi. Ata kënaqen pa masë kur unë lëvroj «kërcimin e robotit ».Sa herë që më shohin kur kërcej ata përpiqen të imitojnë lëvizjet e mia. Ata janë shumë të lezetshëm !
6. Ju keni qenë edhe pjesë e skuadres shqiptare të futbollit në kategorine U19, si portier. Më flisni pak për këtë eksperiencë…
Mendoj se për çdo futbollist arritja e tij më e madhe është të luajë me kombëtaren. Është një dashuri që ndjej ndaj kombit tim, i cili më ka dhënë mundësinë të luaj me ngjyrat e tij.. Foto Strakosha, ish trajner i skuadrës kombëtare shqiptare të kategorisë U19 më dha mundësinë të përfaqësoj vendin tim në shumë ndeshje futbolli, qoftë ato miqësore dhe zyrtare ndërkombëtare. Përrvoja me skuadrën kombëtare ishte më e mira. Ajo më bëri një person më të fortë. Përmirësova të gjitha aftësitë e mia dhe më e mira nga të gjitha, realizova kështu ëndrrën e tim eti, kur luajta me ngjyrat e skuadrës time dhe këndova himnin shqiptar.
9. Më mirë portier në Shqipëri apo tranjer në Francë ?
Është shumë e vështirë të zgjedhësh mes të dyjave. Të jesh trajner është ndryshe nga të qenit futbollist. Në kohën kur isha portier për skuadrën kombëtare shqiptare krijova shumë kontakte me shumë futbollistë si Rei Manaj dhe Qazim Latsi, të cilët i njoha kur isha në kategorinë U19, por të jesh trajner dhe pjesë e skuadrës AJ AUXERRE që prej moshës 20- vjeçare është një arritje e madhe, ndaj besoj se të jesh mentor në Francë të jep më shumë mundësi për një të ardhme më të mirë!
10. Keni qenë pjesë e ndonjë artikulli të të përditshmeve franceze ?
Kemi qenë në shumë turne kombëtar rreth e përqark Francës si dhe në të tjerë ndërkombëtar me fëmijët. Shumë gazetarë janë interesuar për skuadrën tonë. Cilësia e trajnimit dhe e lojtarëve e bën këtë skuadër kaq speciale, ndaj shumë herë kam qenë i intervistuar live nëpër televizione dhe të përditshme këtu në Francë.
11. Si të duket kultura franceze, njerëzit aty?
Nuk kam asnjë ankesë nga njerëzit këtu. Të jesh emigrant është shumë e vështirë, por kur ka njerëz, të cilët të ndihmojnë, të suportojnë asnjë gjë nuk mund të mposhtë. Familja është arma ime dhe arsyeja ime për të vazhduar përpara dhe t’mos dorëzohem kurrë. Kam bërë shumë miq, kur erdha fillimisht në Francë, ata më ndihmuan vërtetë shumë. Franca është një vend shumë mikpritës dhe miqësor, e cila iu fal shumë mundësi njerëzve të rinj dhe emigrantëve nga e gjithë bota, të cilët vijnë në këtë vend për një të ardhme më të mirë.
12. Më përshkruaj ndonjë detaj funny nga përgatitjet me lojtarët e vegjël.
Kam shumë histori për të treguar, sepse shpenzoj një kohë të madhe me fëmijët. Objektivi im nuk është vetëm t’i shndërroj ata në futbollistë të kompletuar, por edhe t’ia kalojmë sa më mirë në trajnim dhe të qeshim gjatë gjithë kohës. Është një ngjarje humoristike që na ka ndodhur, të cilën nuk do ta harroj kurrë. Ky incident ka ndodhur 2 vite më parë, kur unë nuk e flisja aq mirë sa duhej gjuhën frënge. Isha me skuadrën U12 (fëmijët nën moshën 12 vjeç) dhe si skuadër, ne kemi një traditë: çdo herë që fitojmë ndeshjen, të gjithë do këndojmë së bashku njëzëri më zë të lartë në dhomën e ndërrimit. Mbaj mend që unë dëshiroja të bëja një video live dhe iu them fëmijëve të këndojnë në gjuhën shqipe, por fjalët që iu thashë fëmijëve shqip në frëngjisht kishin një tjetër kuptim. Kështu,ne e mbyllëm videon duke ofenduar skuadrën kundërshtare franceze. (qesh).
11. Sa i vlerësuar/ i privilegjuar ndiheni qe ju janë besuar për të trajnuar pretendentët e ardhshëm për sportistë të klubit AJ Auxerre?
Çdo trajnues ndihet krenar kur sheh fëmijët e tij të rriten dhe të përmirësohen dita-ditës. Ai sheh progresin dhe arritjen e çdo qëllimi. Të jesh një mentor, është si të jesh një baba, sheh kënaqësinë e suksesit me sytë e tyre. Do të isha i kënaqur dhe i gëzuar nëse fëmijët që janë trajnuar me mua do të bëhen futbollistë profesionistë në të ardhmen.
Së fundmi, çfarë duhet të ketë një i ri shqiptar, i cili ëndërron të jetë pjesë e një ekipi të huaj, të jetë aty ku jeni ju?
Mbi të gjitha ai duhet ta dojë futbollin dhe çdo gjë që ka lidhje me futbollin, duhet të jetë pasioni i tij. Nuk është e thjeshtë të lësh çdo gjë prapa, të sakrifikosh një jëtë me familje, miq e të njohur thjesht për të ndjekur një ëndërr në një vend tjetër. Duhet të jesh me këmbë në tokë dhe të punosh fort. Ky është një test të cilin duhet ta bësh me veten tënde për të parë deri ku shkojnë caqet, kufijtë e tu. Vetëm atëherë do të kuptosh cfarë je i aftë të bësh. Unë mendoj, besoj se ne, shqiptarët mund të përshtatemi me çdo rrethanë, kusht, sepse të gjithë ne jemi njerëz punëtorë dhe me mundësinë e parë, ne mund të bëjmë diferencën.