Nga Armand Plaka
Foto shumë të njohura për serbët, por edhe historiografinë europiane. Ata e cilësojnë si tragjedia më e madhe në historinë tyre, jo vetëm atë moderne, ndërsa humbën 1/3 e ushtrisë, humbën jetën 200 mijë civilë e regjistruan shumë rekorde të tjera.
Tërheqjen plot vuajtje në territorin shqiptar në dimrin e ashpër të 1915-1916 për t’u rigrupuar sërish nga brigjet shqiptare të Adriatikut në Itali, e së andejmi në Korfuz drejt Selanikut e të nisnin rikthimin në Serbi, e shohin edhe si “golgota serbe”.
Por, për shumicën e shqiptarëve kjo histori nuk dihej thuajse fare deri pak vite më parë. Nga ana tjetër, paradoksalisht shumë pak serbë ka që mund t’a pranojnë se pikërisht shpëtimi u erdhi nga një vend si Shqipëria. Çdo të kish ndodhur, nëse Shqiperia do kishte qenë as më shumë e as më pak se Bullgaria, një shtet i rregullt e i unifikuar e të kish nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Austro-Hungarinë e fuqitë e Boshtit? Serbia s’do kish patur shpëtim me ushtri që do ta sulmonin nga të gjitha anët duke mos i bërë dot ballë hakmarrjes teutone.
E vërtetë se Esad Pasha iu kthye në një aleat të çmuar duke i ndihmuar në udhëtimin e tyre, ndërsa një pjesë e madhe e shqiptarëve thjesht rrinin dhe vëzhgonin si spektatorë pasivë me sy të zgurdulluar për të kuptuar se ç’po ndodhte me fqinjët e tyre dikur kërcënues, agresivë të ekzistencës së tyre. Kishte dhe të tjerë që i qëllonin, u nxirrnin pengesa, por ishin raste sporadike. Armiku më i madh i tyre tashmë ishte dëbora, akulli, ftohti dhe uria. Iu kthye si një mallkim për “bëmat” që kishin kryer vetëm pak vite e kohë më parë ndaj shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike e më parë.
Sigurisht, se ata e kujtojnë tashme vazhdimisht atë periudhë, e cila si me pahir i bën të lidhen me Shqipërinë, me shqiptarët, aq sa në Beograd qysh prej asaj kohe gjendej një kafene e më pas një pallat me emrin “Albanija”, e madje në traditën e tyre gojore ka hyrë me kohë shprehja: “Nese do të kuptosh se ç’është vuajtja, kalo bjeshkët shqiptare!”.
E pra, dashje pa dashje, kjo ngjarje tashmë në prag të përvjetorit të 100-të të përfundimit të “Luftës së Madhe”, është edhe pjesë e historisë së Shqipërisë, paçka se në Shqipëri nuk gjen dot asnjë kafene me emrin “Serbia”, por gjen plot shprehje në traditën shqiptare që lidhen me fqinjët, që të kujtojnë bëmat e tyre.