Nga Edison Ypi
Në Prishtinë e shkruajnë “Qajtore”, por është “Çajtore”. Në Tiranë e shkruajnë Bar, Kafene, Pub, por është “Qajtore”. Pronari i Qajtores së Tiranës 20 vitet e para të jetës ka ngrënë dy herë në ditë përshesh me kos. Tani mban zinxhira floriri rreth qafës së dhjamur.
Në Qajtore dy studente flasin pa u ndalur me sy e vetulla duke flakur sa majtas sa djathtas qafave të bardha floknajat e zeza duke i thënë njëratjetrës asgjë. Tre djem të rinj me mjekrra të vizatuara si parzmore mesjetare nga ata që s’kanë prekur kurrë femër me dorë, diskutojnë seriozisht për selfie dhe aventura sentimentale virtuale.
Një mesoburrë që lexon gazetat duke rrufitur kafenë përballë murit, bën reforma, thur e çthur me mendje parlamente e qeverira, dënon, fal, bllokon e çbllokon situata politike, juridike, ekonomike, gjeopolitike. Muzika e sfondit sipas shijeve të banakierëve shkatërron pa mëshirë kiminë e truve të qajtoristave.
Tre tipa “bëjnë biznes” përmbys mbi ca skica me shifra dhe vizatime që duken si harta yjore. Disa vogelushë i vërsulen një qajtoristi për t’i shitur të njëjtat paketa dhe çakmaqe. Fitimtari është gjithmonë një kërthi sykaltër qethur tullë. Të afrohet dikush që ta bën falas testin e budallallëkut. Të thotë rrëzë veshit se ka mbetur pa “miell”. Tmerrohesh se e mendon të uritur. Por vjen shpejt në vete, kupton për çfarë “mielli” është fjala, kur të thotë se ta shet për 10 mijë lekë të vjetra një zinxhir “prej floriri” që në fakt është prej bronxi.
Sa shumë Qajtore. Rogneri, Sheratoni, Grandi, qajtore luksoze. Gabi Qajtore që na vesh me zhelet dhe zhulat e dynjasë. Qajtore restorantat ku shqiptarët ngopin urinë e etërve me male mishi, bërxolla, tava dheje, rrëke dhjami nëpër turi. Qajtore dhe Vajtore Parlamenti plot me hajdutë e kriminelë.