Seanca e jashtëzakonshme e së hënës është thirrur për të miratuar disa ligje që kërkojnë shumicë të cilësuar, prej 84 votash. Partia Demokratike dhe LSI nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme të Kuvendit.
Sipas dy forcave politike të opozitës, shkak është bërë manipulimi i votimit për Teatrin Kombëtar, ku deputeti i LSI-së Vangjel Tavo rezulton që ka votuar pro, ndërsa nuk ka qenë fare i pranishëm në sallë.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho është shprehur që deri në zgjidhjen e kësaj situate, opozita nuk do të marrë pjesë në seancat e parlamentit.
Nga ana tjetër kryetari i grupit të LSI-së, Petrit Vasili, ka lexuar një deklaratë, në të cilën i ka bërë me dije kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi që nuk mund të bëjë sikur nuk ka ndodhur gjë në seancën e fundit, ku dhe ndodhi manipulimi i votës, pranda LSI nuk do të hyjë në Kuvend, derisa situata të sqarohet dhe rivotimi të kryhet.