Në Uashington duke nisur nga data 25 qershor deri në 29 qershor mbahet Konferenca Botërore për Gazin, një nga organizimet më të rëndësishme të industrisë globale të gazit. Në këtë konferencë, e cila zhvillohet çdo tre vjet ishte i pranishëm dhe ministri shqiptar për Infrastrukturën dhe Energjinë Damian Gjiknuri.
Ai u pyet gjatë kësaj interviste në lidhje me akuzat sipas të cilave qeveria shqiptare po favorizon disa kompani të lidhura me kompaninë ruse Gazprom.
“Nuk e di, nuk jam i sigurtë”, ka qenë baza e përgjigjieve të ministrit, i cili është vënë jo pak në vëshirësi nga këto pyetje të drejtëpërdrejta që përbëjnë interes të madh publik.
Pjesë nga intervista
Zëri i Amerikës: Meqenëse po flasim për kushtet e BE-së që kërkon ndër të tjera efikasitet në luftën kundër korrupsionit. Zoti ministër, në Shqipëri është drejt finalizimit marrëveshja në fushën e hidrokarbureve për tre vendburime të naftës atë të Cakran-Mollajt, Gorisht-Koculit dhe Amonicës. Ministria juaj 9 maj ka urdhëruar ngritjen e një grupi negociator për lidhjen e marrëveshjeve hidrokarbure me kompaninë Transoil Group AG. Por në shtyp janë hedhur dyshime, falë dhe investigime të kryera se ju po favorizoni në kompani të lidhur me kompaninë ruse Gazprom. A keni ju ndonjë koment lidhur me këtë?
Damian Gjiknuri: Kjo përzgjedhje është bërë në bazë të një procedure të hapur ndërkombëtare. Së dyti, kompania Transoil, që ju përmendni, ka një veprimtari në Shqipëri qysh në vitin 2011-12, në mos gaboj, si një kompani e regjistruar në Zvicër. Pra, kjo nuk është një gjë e re. Së treti, nuk kam një informacion të tillë dhe doja t’iu thoja, që nëse do të ishte e tillë, ju mendoni që zyrtarët amerikanë, të cilët bashkëpunojnë shumë afër me qeverinë shqiptare në sektorin hidrokarbur do të kishin mundësi të takoheshin me mua dhe të mirëprisnin në një aktivitet kaq të madh ndërkombëtar, nëse interesat amerikane do të viheshin në dyshim? Besoj se kjo pyetje nuk ka nevojë për përgjigje, pasi gjithçka që është bërë aty është transparente, është diçka në proces, sepse negociatat nuk kanë përfunduar. Në marrëveshjet hidrokarbure duhen pranar termat që dëshiron qeveria shqiptare dhe që mund të pranohen nga investitori. Por në dijeninë time, nuk kam asnjë provë që mund të ketë akuza të tilla. Për herë të parë, Shqipëria po zhvillon procedura të tilla transparente në fushën e naftës, sepse më parë jepeshin në mënyrë direkte.
Zëri i Amerikës: Lidhja sipas investigimit në media është vënë re tek një letër që përfaqësuesi në Shqipëri i Transoil Group AG Shefqet Dizdari i ka bërë zv/drejtorit të zhvillimit të biznesit ndërkombëtar të Gazprom Neft, pas shfaqjes së interesit në 2017 të kompanisë “Jurimex Kommerz Tranzit Ges”, për këto tre vendburime.
Damian Gjiknuri: Së pari, unë nuk e di se çfarë komunikimesh kanë kompanitë. Gazprom është një kompani e madhe që operon me shumë kompani në Europë. Por nuk di dhe jam i sigurtë për këtë, që nuk ka një interes të Gazpromit direkt, apo një kompani e lidhur direkt me Gazpromin, që të mund të shtjerë në dorë këto fushat e naftës. Sa komunikime ka Gazpromi me kompani të tjera unë nuk mund të hamendësoj. Nga ana tjetër, duhet të kuptojmë, që nga ana ligjore nuk ka ndonjë ndalim për kompanitë ruse apo nga shtete të tjera për të marrë pjesë; nuk ka ndalim ligjor. Është tjetër gjë se çfarë mund të bëjë qeveria shqiptare brenda autoritetit që ka dhe brenda klauzolave të sigurisë kombëtare për të refuzuar një ofertë ose jo, por nga ana ligjore nuk është se origjina e kapitalit ndalohet përveçse kur ndonjë kompani është në listën e sanksioneve të SHBA-ve dhe të tjerë.
Zëri i Amerikës: A i dini ju se cilët janë pronarët e Transoil Group AG?
Damian Gjiknuri: Është një kompani me shumë pronarë e regjistruar në Zvicër, sepse është kompani aksionere, pra është e tregtuar në bursat e atij vendi. Origjina e kapitalit nuk ka ndonjë rëndësi themelore, për aq kohë sa nuk ndikon në procese që mund të vënë në diskutim sigurinë kombëtare. Kompanitë publike që tregtohen lirshëm, se ju e dini mirë, se jetoni këtu në SHBA, se ato që tregtohen lirshëm në bursa, origjina e kapitalit nuk ka rëndësi, sa kohë që është e rregullt nëpërmjet sistemit financiar ndërkombëtar, unë e quaj të pranueshme. Kompania në fjalë, me aq informacione që kam dhe nga artikulli që ju përmendët, është regjistruar në shtetin zviceran, dhe së dyti, ka operuar në Shqipëri, përpara se të bëhesha unë ministër.
Zëri i Amerikës: Në Shqipëri Transoil Group operon nëpërmjet Transoil Sh.a e cila prej 2012, punon në një tjetër fushë naftëmbajtëse atë të Visokës. Zoti ministër pse për këto tre vendburime është zgjedhur një kompani (Transoil Group) e cila ka detyrime të praprambetura në para apo sasi nafte ndaj Alpetrolit apo ka shkelur afate që i shërbejnë punës së saj? Ju kujtoj, se këto tre vendburime u tenderuan pasi u prinshën para afateve marrëveshje me të tjera kompani për shkak të akumulimit të detyrimeve finaciare apo apo nafte bruto ndaj Albpetrolit.
Damian Gjiknuri: Në marrëdhënie kontraktuale, kompanitë krijojnë detyrime. Në informacionet që kam dhe në dokumentacionin që më është vënë në dispozicion, ka një marrëveshje mes Albpetrolit dhe kësaj kompanie për shlyerjen e këtyre detyrimeve. Mbi të gjitha ka patur vështirësi nga Albpetroli për të tërhequr një sasi nafte në kohë për shkak të ngarkesës së depozitave. Heqjen apo prishjen e marrëveshjeve të kompanive të tjera kanë ndodhur përtej afateve, kur palët kanë rënë dakord për marrëveshje. Pra, një debitor i jepet mundësia dhe bëhet një marrëveshje; kur kalojnë afate, madje kur kalojnë edhe 6 muaj shkelje materiale dhe nuk janë korigjuar, atëherë jemi në kushtet e prishjes së marrëveshjes. Në rastin e Transoil nuk jemi në këto kushte. E rëndësishme është pyetja bazë që shtrohet: Si u përzgjodh kjo kompani? U përzgjodh në bazë të një procedure të hapur ndërkombëtare dhe këtë e ka bërë qeveria shqiptare qysh nga viti 2014 e deri sot. Më parë se 2013 asnjë fushë nafte nuk e kemi me procedura konkurimi.