Nga Ergys Mërtiri
Festivali Europian i Këngës po degradon prej kohësh në një event tallava, ku jo vetëm që këngët janë përgjithësisht të dobëta, por edhe ato që fitojnë, janë kryesisht më të dobtat prej tyre. Kritikat e shumta për këtë produksion sa vijnë e shtohen dhe përmbledhin, jo vetëm nivelin e ulët të këngëve, sistemin e votimit, por edhe korruptimin e organizatorëve dhe jurive pjesëmarrëse. Në njëfarë mënyre, ashtu si edhe UEFA e madje edhe vetë BE-ja, Eurosong-u është një spektakël që shfaq bjerrjen e vlerave të shoqërive moderne, duke filluar nga politika, kultura, arti, e deri tek vetë njerëzit.
Kënga fituese ishte mjaft e dobët: me muzikë të dobët, tekst banal, mesazh vulgar dhe e interpretuar në mënyrë të shëmtuar. Ishte një këngë e tipit “gam gam style” që ka fuqinë të çajë tregun, pikërisht për shkak të profilit të ulët artistik, që arrin të ekzaltojë turmat në vanitetin e tyre. Autori është munduar ta mbështesë çelësin e suksesit tek ripërsëritja ritmike e fjalëve pa kuptim, e tipit kupamekapak kupapakak, e hasur rëndom kjo në shumë produkte të POP-it komercial, si tek Shakira, Rajhana, Rita Ora etj.
Pati disa diskutime se kënga u vlerësua më shumë për mesazhin, duke qenë se, sipas tyre ajo evokon rebelimin e grave për të mos qenë kukulla të burrave. Është e trishtë të mendosh se mesazhi që paska prekur europianët është ai që del nga këngë karamele me zënka banale dashuriçkash, ku një çupëlinë revoltohet se partneri i saj e trajton si lodër. Vargu kryesor që shërben si moral i fabulës në këtë këngë ishte: I’m not your toy, you stupid boy.
Ajo që po ndodh me Eurosong-un, është sëmundja tipike e një shoqërie spektakli, të karakterizuar nga një nevojë e ethshme për të prodhuar të veçantën dhe për ta ulur sa më shumë nivelin e produktit, në mënyrë që të bëhet i pëlqyeshëm nga masat, të cilat vijnë duke u varfëruar gjithnjë e më shumë kulturalisht. E vetmja vlerë që të jep sot kuotim në bursën e inflacionit të shijeve është të qenit ndryshe, e cila në fakt, nuk përbën kurrfarë vlere. Për këtë arsye, artistët, politikanët, gazetarët, janë sot nën presionin e papërballueshëm të nevojës për të tërhequr vëmendjen me gjëra pa kuptim. Kjo është ajo që Bourdieu e quan, rutinizimi të veçantës, një proces ku e veçanta bëhet e përgjithshme duke u shndërruar në të vetmin kriter për sukses.
Të qenit ndryshe është e vetmja vlerë sot. Vlera nuk kërkohet më tek kënga, por tek këngëtari, tek mënyra sesi ai shfaqet. Vetë shfaqja e tij vlerësohet, jo për ndonjë vlerë në vetvete, por për mënyrën sesi ajo spikat ndaj të tjerëve, sesi ajo arrin të bjerë në sy. Të biesh në sy, në këto kushte, arrihet vetëm duke shpikur një budallëk gjithnjë e më të madh.
Nga ky kuptim, këngëtarja izraelite spikati, pikërisht me diçka që përbën një nga gjërat më të padëshiruara tek femrat, sidomos në botën e ekranit: Mbipesha. Ajo arriti ta marketizojë “defektin” e saj, duke e shndërruar në vlerë komerciale. E përdori këtë për të rënë në sy, e konvertoi në aksesor të mesazhit dhe ia doli të triumfojë. Kjo tregon se Eurosong-u ka humbur çdo kuptim dhe se, të triumfosh atje, duhet të harrosh çdo kriter profesional mbi muzikën.
Prej këtej, mund të themi se Festivali Shqiptar i Këngës ka një problem “serioz”. Pavarësisht se është degraduar nga të gjitha drejtimet, ky nuk është një problem. Problemi qendron se nuk ka ditur të degradojë në drejtimin e duhur, për të qenë konkurrues në një event komercial si Eurosong-u. Organizatorët e festivalit shqiptar në RTSH, kanë mbetur në disa klishe të vjetra mbi muzikën dhe nuk kanë arritur të adaptohen me trendet e reja të degradimit të tingullit dhe mesazhit. Festivali ynë është i paaftë të komercializohet për t’iu përshtatur kritereve vulgare të Eurosong-ut.
Nëse marrim në analizë këngën tonë përfaqësuese mund ta vërejmë qartazi këtë. Megjithëse tashmë muzika rock ka filluar të gjejë pëlqim tek shumë njerëz, përsëri ne kemi mbetur tek roku klasik, i ezauruar tashmë prej dekadash në perëndim.
Kënga e “Mall” e Eugent Bushpepës u vlerësua si një këngë e mrekullueshme nga opinioni publik në Shqipëri. Në fakt, nuk është se ishte një këngë e keqe, por për këdo që e njeh sadopak muzikën rock, ajo nuk sjell ndonjë gjë të re dhe asgjë që të entuziazmojë një dëgjues të mirë të kësaj muzike. Kënga nuk ka asnjë risi, asnjë sofistikim interesant, asnjë origjinalitet për t’u vlerësuar. Ajo thjesht ndjek struktura standarde të rokut klasik të viteve 80-90, pa eksperimentuar asgjë të vetën. Kjo e bën këtë lloj muzike të jetë e konsumuar, por nga ana tjetër, e bën atë lehtësisht të kapshme për një pjesë të masave dhe të marketueshme tek një dëgjues i thjeshtë, që e ka familjarizuar disi veshin me muzikën rock.
Nga ky kuptim, produkti i Bushpepës është një rock tipik për festival, që kapet lehtë dhe ngjit menjëherë tek dëgjuesi, ndonëse nuk mbetet dhe nuk mbahet mend gjatë. Pra, kufizimet profesionale të saj, nuk e penalizojnë aspak. Përkundrazi, problemi i vetëm për të qenë konkurruese qendron tek fakti që kënga nuk i ka shkelur dot disa barriera profesionale, pasi Bushpepa, sidoqoftë, mbetet një muzikant profesionist. Kjo e bën një këngë të mirë për një festival pa ndonjë prurje interesante, siç është Eurosong-u, por ama deri këtu. Ajo nuk ka aftësinë për të konkurruar me fituesit, të cilët, nëse i hedhim një sy viteve të fundit, nuk kanë shfaqur ndonjë vlerë profesionale.
Në këtë mënyrë Shqipërisë i mbetet vetëm një shanc që të luftojë për vendet e larta: Të dërgojë në Eurosong Zogun e Tunës, apo gjithëfarësoj zogu si ky. Në mos, Big Mama nuk do ishte keq. Këtë sugjerim e kam për të gjithë ata të kompleksuar që e kanë shqetësim rezultatin në një event inferior si ky. Personalisht nuk më shqetëson aspak vendi që zemë në renditje dhe do të preferoja një rezultat më të dobët me një këngë më të mirë e më profesionale.
http://www.civitas.al/opinione/nese-doni-fitore-dergoni-zogun-e-tunes-ne-eurosong-nga-ergys-mertiri