Nga Adela Kolea
Për këngëtarë italianë që kanë ardhur në Shqipëri, është thënë: “Posi, vijnë në Shqipëri se ecin në vendin tonë këta! Se në Itali, vendi i tyre, nuk u jep rëndësi kush…!”. “Na këndojnë edhe shqip pale. Na mallëngjyen! Hë se për të marrë pikë, në mënyrë strategjike e bëjnë këtë!”
Për këngëtarë shqiptarë nëpër botë është thënë p.sh: “Kjo Eleni Foureira, deri sot mohonte që ishte shqiptare, ka ndërruar edhe emrin…! E ne, u dashka ta mbështesim në Eurovizion…!”
“Ermal Meta në Sanremo: pse, mos përfaqësoi gjë Shqipërinë? Ai përfaqësoi Italinë…Pse ta mbështes? Edhe po s’më pëlqeu muzika e tyre, duhet t’i mbështes se janë shqiptarë?”
Paraprakisht, theksoj se mbi shijet muzikore nuk diskutohet! E nuk dua keqkuptime. Dhe binomi “muzikë – kombësi”, (se është shqiptar apo jo artisti), nuk diskutohet, nuk imponohet asgjë natyrisht.
Këto janë të mirëqena. Por, nëse marrim guximin që të vëmë në diskutim detaje autobiografike të artistëve, nga jeta e tyre, atëherë, mundet që në mënyrë të tërthortë, të mbërrijmë, pse jo, edhe në lidhjen “artist-përkatësi kombëtare”.
Këto kompeticione artistike si Eurovizioni në këtë rast, zakonisht, edhe pse artistike e ku është arti pra, ai që duhet të jetë super partes, bëjnë çuditërisht që të flitet …
E zbritet – pa të drejtë – deri në detaje vetjake të artistëve, duke ngatërruar kahun e interesit tonë si publik ndaj tyre: nga ai profesional e artistik, në atë biografik e personal.
Nga njëra anë, është “demokracia e liria e fjalës” e natyrisht që gjithkush do të shprehet. Ama, se “si”, veç ai Zot e di.
Do të kemi gjithnjë për të komentuar: për artistë shqiptarë nëpër botë apo për artistë të huaj që vijnë në Shqipëri…
Për çështje profesionale, më qëllon të ndjek artistë shqiptarë në Itali dhe artistë italianë në Shqipëri.
Kur pata ndjekur nga afër për arsye pune, këngëtarë italianë që morën pjesë në X Factor Albania, edhe ngaqë ata vetë më patën kontaktuar, duke më shprehur entuziazmin e tyre për këtë eksperiencë artistike e kulturore – më shkruanin madje me eufori mbi shqipen që nga pak po e mësonin nëpërmjet muzikës dhe teksteve të këngëve shqip që po memorizonin – më tregonin për përshtypjet e bukura e pozitive që u kishte bërë Shqipëria, të cilën që nga Italia ata e njihnin apo ua kishin përshkruar krejt ndryshe, filluan komentet e para nga disa shqiptarë:
“Posi, vijnë në Shqipëri se ecin në vendin tonë këta! Se në Itali, vendi i tyre, nuk u jep rëndësi kush…!”
“Posi, na këndojnë edhe shqip pale. Hë se për të marrë pikë, në mënyrë strategjike e bëjnë këtë!”
“Posi, ky këngëtari roman, na krahasoka Romën me Tiranën e thotë që i duken të ngjashme dy kryeqytetet…na e mbushi mendjen ky!”…
Sinqerisht, nuk di sesi t’ia vësh emrin kësaj mendësie. A mbahemi për mikpritës? Po pse pra, në mënyrë paradoksale e paragjykojmë të ardhurin nga jashtë, kur ai ka ardhur të tentojë fatin në një përvojë të re në Shqipëri? E çfarëdo profili qoftë ajo, në këtë rast, artistike.
Ç’të keqe i sjell Shqipërisë kjo? Po artistët shqiptarë që po shquhen në panoramën artistike në Itali, apo kudo nëpër botë, ç’duhet të thonë?
Apo natyrisht, edhe atyre jemi gati t’u nxjerrim “bishta”, – e me shprehje mjaft delikate – siç komenton dikush në hapësirat sociale:
“Ermal Meta tradhëtoi edhe babanë për karrierë, eci në Itali duke u viktimizuar…!” Në Sanremo më tej: pse, mos përfaqësoi gjë Shqipërinë? Ai përfaqësoi Italinë…Pse ta mbështes?”
“Kjo Eleni Foureira, jo po, na u bë kjo! Na e quajnë edhe “Beyoncé- ja greke”, pale! E deri sot mohonte që ishte shqiptare, ka ndërruar edhe emrin…! E ne, u dashka ta mbështesim në Eurovizion…!”
E kësaj të fundit, nuk ia fal shqiptari me sedër faktin e mohimit të nënshtetësisë e origjinës shqiptare për një kohë të përcaktuar!
Ia mban vath në vesh! Këtu, mekanizmi i memorjes së shqiptarit, aktivizohet çuditshëm! Kësaj, nuk ia harron shqiptari e ndërkohë, sipas rasteve, harron dhe historinë e tij apo e shmang atë, i bën dredhë sipas erës që fryn apo sipas çështjes që trajtohet…
Kjo këngëtare e Qipros nuk ka provokuar njeri. Ka punuar në anonimat deri më sot, ose më mirë, pa pohuar origjinën shqiptare, për shkaqe fundja mëse të kuptueshme nga ato anë, të dhimbshme – si plot shqiptarë të Greqisë me emra të ndërruar etj…fatkeqësisht kjo gjë për ta – dhe sot, doli haptas, kur karrierën e ka të afirmuar e kur, si greku apo gjithkush, e kupton se arti është i pavarur nga origjina e artistit.
Gjithsesi, bota ka probleme të tjera më të rëndësishme.
Ama, edhe këto kompeticione internacionale, duke mos qenë një gjë e zakonshme e që ndodh përditë fundja, e për më tepër, duke mos qëlluar edhe aq lehtë kjo rastësi e tre këngëtarëve shqiptarë aty, them se duhet të jenë më tepër shkas për nxitje pozitive për publikun shqiptar, të cilin shpesh e shoh të lodhur, të pakënaqur dhe me një sens mosbesimi e ankues ndaj gjithkujt, e kësaj radhe nuk bëhet fjalë ndaj politikanësh, por ndaj artistësh.
Kjo gjë flet për një shoqëri shqiptare të stresuar e që has vështirësi të kultivojë të bukurën.
Në dukje gjëra sipërfaqësore, eventet artistike apo kompeticionet sportive, kthehen në laboratorë antropologjikë.
Vënë opinionet e njerëzve në provë. Unë mbështes të bukurën dhe zakonisht opinioni im është i pavarur.
Në fakt, ky konkurs zanor, Eurovizioni, lind në 1956-ën me objektivin që të bashkojë Evropën. Sipas Guinness World Record, është kompeticioni muzikor ndërkombëtar për televizionin, më jetëgjati deri më sot.
I cilësuar si eventi artistik, jo sportiv, më i madh në nivel botëror, sipas organizatorëve është parashikuar që në mbrëmjen e sotme në finale, të ndiqet nga një publik global prej 200 milion teleshikuesish. Të kemi parasysh thjesht këtë dimension të eventit dhe thjesht ideja që aty gjenden dhe po interpretojnë tre këngëtarë shqiptarë, si asnjëherë më parë, që pavarësisht tre shteteve të ndryshme që përfaqësojnë, kanë në emërues të përbashkët origjinën shqiptare dhe muzikën universale, ky tregues, le të përbëjë një detaj të gëzueshëm për ne.
E le të fitojë më i miri!
Ah, përtej çdo modestie apo politically correct, mundësisht të na fitojë ndonjëri prej tyre, prej artistëve shqiptarë…!
https://sq.albanianews.it/opinion/tautogram-eurovizion-emigracion