Përmes një deklarate për shtyp Partia Demokratike ka publikuar disa dokumente ekskluzive që tregojnë përfshirjen e Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm në rafikun e lëndëve narkotike.
PD deklaron se Agron Xhafaj është dënuar si pjesë e trafikut ndërkombëtar të drogës. Sipas PD, ai ishte pjesë e një marrëveshjeje për trafikun e 50 kg heroinë me 300 kg hashash. Sipas dokumenteve të ardhura nga Italia , rezulton se vëllai i ministrit të Brendshëm është i dënuar me 7 vjet e dy muaj burg në shtetin fqinj.
I pyetur se ku ka qenë vëllai i Xhafajt para 2013-tës, Alibeaj tha se vendimi i formës së prerë është marrë në shtator 2012.
“Xhafaj gënjen dhe është plotësisht në dijeni se vëllai i tij Agron Xhafaj, alias Goni është dënuar me vendim gjyqësor në Itali dhe se nuk ka vuajtur asnjë ditë nga dënimi i dhënë, duke jetuar nga 2013 e këtej në Shqipëri. Xhafaj ka jo vetëm përgjegjësi politike e morale, por dhe ligjore. Sipas legjislacionit në fuqi një nga detyrat kryesore të policisë së Shtetit është identifikimi i personave të dënuar me vendim gjyqësor në mungesë. Është detyrë e ministrit të Brendshëm dhe vartësve të tij në policinë e Shtetit të identifikonin Agron Xhafaj dhe të arrestohej për të vuajtur dënimin. Opozita ia ka bërë me dije ministrit të Brendshëm që vëllai i tij është i dënuar po ky i fundit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim”, tha deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj.
Pyetjet e PD për ministrin Xhafaj:
1) A e ka përfshirë Fatmir Xhafaj vëllain e tij Agron Xhafaj në listën e personave me rekorde kriminale?
2. Pse ai jeton i lirë në territorin shqiptar, ndërkohë që rezulton i dënuar për trafik droge në Itali dhe nuk ka vuajtur asnjë ditë të dënimit të tij?
3. A është ai person i skeduar dhe nën vëzhgim nga Policia e Shtetit për shkak të aktivitetit të tij të mëparshëm në trafikun e drogës?
4. A është familja “Xhafaj” një nga familjet mafioze që veprojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë?
5. A ka operacioni “Forca e Ligjit” ka efekt mbi vëllain e Ministrit të Brendshëm Agron Xhafaj të dënuar për trafik droge, apo ai është i paprekshëm sa kohë Ministër i Brendshëm dhe drejtues i operacionit është Fatmir Xhafaj?
6. Pse nuk ka përmbushur përgjegjësitë e tij ligjore Ministri i Brendshëm, për të kërkuar identifikimin e këtij shtetasi dhe për të verifikuar nëse është apo jo i dënuar?
7. Pse nuk ka kërkuar nisjen e procedurave për arrestimin dhe më pas ekstradimin e tij në Itali, siç ka vepruar për shtetas të tjerë?
https://www.facebook.com/partiademokratike/videos/10156279526659909/