Nga Dashnor Kaloçi
Përhapja në masë e aparateve televizive në fillimin e viteve ’70-të në familjet shqiptare, ishte një nga dritaret e vetme për të parë botën e jashtëme në atë izolim të plotë ku ndodhej vëndi nën udhëhqjen diktatorit komunist Enver Hoxha, për të cilin thuhej, se; diku me njerzit e bashkëpunëtorët e tij të afërt, Enveri ishte shprehur se kishte bërë gabim që kishte lejuar futjen në masë të televizorëve në Shqipëri.
Përtej asaj se sa të vërtetë ka rreth kësaj, është fakt se jo vetëm që aparatet televizive u futën në masë, por deri nga viti 1973-1974, kur dhe filloi godita ndaj të ashtuqajtur “Grupi liberal në art e kulturë”, me në krye Todi Lubonjën dhe Fadil Paçramin, stacionet e huaja televizive, kryesisht ato italiane dhe jugosllave, si dhe pak ato greke në Jug të Shqipërisë, shiheshin në masë dhe pa asnjë problem.
Nuk ishin të lejuara, por as të ndaluara. Ndalimi i tyre filloi pas vitit 1974-’75, kur propaganda zyrtare njoftoi për aksionin, apo më saktë “për nisiativën” heqjes së antenave të televizorëve për stacionet e huaja.
Por asnjëherë kjo gjë nuk u bë me masa represive, pasi vetë regjimi u kujdes që ta “zgjidhte” atë gjë me anë të zhurmuesëve televiziv, të cilët asokohe mbinë kudo në të gjitha qytetet e Shqipërisë duke i vënë ato në lartësi të objekteve të ndryshme.
Aparate të cilat shkodranët me ironinë e tyre therëse i etiketuan si “kafazë pllumbash”. Keto aparate zhurmuese, në Tiranë komandoheshin nga Radio-Televizioni Shqiptar, ndërsa nëpër rrethe nga persona të veçantë të autorizuar nga RTSH-ja.
Aparatet zhurmuese fikeshin vetëm gjatë emsioneve të lajmeve, të cilat thuhej si i ndiqte udhëheqja e lartë si dhe i shërbenin RTSH-së për ndonjë regjistrim. (Kishte vetëm një përjashtim, ku zhurumesit televiziv duhet të ndizeshin menjeherë edhe gjatë emisionit të lajmeve, kur anonçohej ndonjë lajm për kreun e Vatikanit, Papa Gjon Palin e Dytë).
Por edhe vendosja e aparateve zhurmuese përsëri nuk e “zgjidhi” problemin e madh që i kishte regjimi komunist i Enver Hoxhës për “ndalimin e propagandës dhe ideollogjisë së huaj”, pasi edhe pse i detyroi familjet shqiptare që të hiqnin antenat që kishin në ambientet jashtë banesave, si taraca, ballkone, çati etj, u gjet zgjidhja me antena të vogla “dhome” brenda ambienteve të shtëpive, apo me “kanaçet’ e famëshme të cilat njiheshin ndryshe edhe si “grup sekonde”.
Mirpo edhe me zhurmuesit kishte “probleme”, pasi personat që ishin e autorizuar për ndezjen dhe fikjen e etyre, ndonjëherë “gabonin” me minuta duke e lënë të fikur aparatin zhurmues më tej orarit të lajmeve të kanaleve italiane e jugosllave, apo aparateve ju ndërpritej energjia, gjë e cila nuk kalonte pa pasoja për drejtuesit e Radio Televizionit Shqiptar.
Por problem apo më saktë herezia më e madhe ishte mos ndezja e aparateve zhurmuese, kur në ekran do dilte figura e Papa Gjon Palit i Dytë, gjë për të cilën ishte caktuar në Radio-Televizionin Shqiptar një “person roje” që monitoronte në 24 orë panderprerje emisionet e lajmeve.
Por edhe pse me këto masa të rrepta, përsëri ndodhën “gabime njerzore”, ku zhurmuesit nuk u ndezën kur në ekran doli papa Gjon Pali i Dytë.
Kjo gjë shkaktoi “tërmet” dhe puna shkoi deri tek Enver Hoxha, i cili nuk ngarkoi Ramiz Alinë që të merrej me problemin në fjalë që i përkiste sektorit të tij të propagandës, por ai thërriti Hysni Kapon “për ta ndjekur atë gjë”.
Lidhur me këtë bën fjalë edhe dokumenti që po publikohet për herë të parë në faqet e këtij libri, ku më 26 mars të vitit 1979, zhurmuesi kryesor në qytetin e Tiranës nuk ka funksionuar dhe Hysni Kapo i ka tërhequr “veshin” shefit të Shtypit të Komitetit Qëndror, Miti Tona, i cili gjithashtu u “ka tërhequr vëmëndjen” drejtuesëve të Radio-Televizionit Shqiptar.
Gjë e cila e ka detyruar drejtorin e përgjithshëm të RTSH-së, Çajup Rusmajli, që të përpiloj një informacion për Komitetin Qëndror, duke raportuar me detaje lidhur me problemin e aparateve zhurmues që ishin vënë asokohe në Tiranë.
Ashtu si dhe pjesa më e madhe dokumenteve të këtij libri, edhe ky botohet i plotë.
LETRA E MITI TONA PER HYSNI KAPON
Shoku Hysni
Ashtu sikur na thatë ju zhurmuesi kundër programeve jugosllave të televizionit më 23 mars nuk ka funksionuar. I tërhoqëm vëmëndjen shokut Çajup dhe kërkuam që kjo të mos përsëritet më.
Bashkangjitur tregohen masat që u muarrën e do të merren.
Miti Tona
26.3.1979
……………………………………………………………………………………………………………………………………………………………..
I N F O R M A C I O N
MBI VENDOSEJN DHE FUNKSIONIMIN E PENGUESAVE TE PROGRAMEVE
TELEVIZIVE JUGOSLLAVE DHE ITALIANE
NE TIRANE
1.Në datën 23.3.79 penguesi i propgarmit të dytë dhe të parë jugosllav, të vendosur në Hotelin e madh nuk ka funksionuar.
U konstatua se pajisjet ishin në rregull, por mungonte energjia elektrike. Ushqimi elektrik në këtë hotel nuk është stabilizuar dhe ndërrmarrja e montimit nuk e ka dorzuar akoma kabinën elektrike.
U bisedua me ndërmarrjen e montimit, e cila akoma s’e ka dorzuar veprën që të mos lejojnë ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa një inxhinier i yni u ngarkua që të ketë në vëzhgim të përhershëm penguesit.
- Megjithëse ne kemi vendosur gjashtë penguesa të programit të parë jugosllav (1 në fabrikën e Bukës, 2 në Kodrat e Kamzës, 1 në Hotelin e madh, 1 në Spitalin Civil, 1 në Pallatin e Kulturës), përsëri në disa zona të Tiranës i shikojnë programet jugosllave. Ne kemi kontrolluar efektin e penguesave me antena të jashtëme të televizorëve dhe kemi konstatuar se programi jugosllav pengohet, por ka teleshikues që shfrytëzojnë antetna të brendëshme si dhe disa veti të përhapjes së valëve e në këtë mënyrë ulin efektin e zhurmave.
Ne brenda datës 1 Maj do të vendosim edhe 3-4 penguesa të tjerë që të rrisim efektin e pengimit të programit të parë jugosllav.
Për pengimin e kanalit të dytë të Jugosllavisë kemi vendosur dy pengues të cilët në përgjithësi kanë efekt të mirë, por megjithatë ka zona, sidomos në anë të Tiranës, që nuk arrijmë t’i pengojnë.
Kemi parashikuar të vendosim dhe 2-3 penguesë të tjerë, por deri tani nuk i kemi realizuar, sepse s’kemi patur llampa të fuqishme. Për këtë kemi biseduar me shokët e Ushtrisë, të cilët na kanë premtuar, por akoma s’kanë mundur të na e sigurojnë.
- Programi Italian në kanalin E5 shihet me antenë të mirë kryesisht në pjesën e sipërme të Tiranës e sidomos në muajt e verës. Pengimi i këtij programi nuk mund të bëhet sepse do të pengonte edhe ritrasmetimin e lajmeve të Italisë me anën e ripërsëritësve si dhe regjistrimin e disa programeve që ne i bëjmë nga Italia për nevojat tona.
Në këto kushte, kemi mendimin që ky kanal të mos pengohet.
Çajup Rusmajli
Tiranë, më 26.3.1979
http://www.gazetatema.net/2018/03/24/dossier-shkrimtaret-dhe-artistet-nen-diktatin-komunist-zbulohet-raporti-sekret-i-drejtorit-te-rtsh-se-mbi-zhurmuesit-per-kanalet-e-huaja/