Nga Armand Plaka
Si dukej një shqiptar fisnik në vitin 1581, pra pak a shumë në kohën e Skënderbeut?. Në një botim me titull “Zakone e tradita të disa popujve të huaj” (Habitus variarum orbis gentium) nën ilustrimet e francezit Boissard, Jean-Jacques, në seksionin për popujt e Lindjes, shqiptarët trajtohen veçmas me një identitet të qartë, duke u cituar si “epirota” në latinisht, “albanais” në frëngjisht dhe “Albaner” në gjermanisht, të cilat janë pra dhe tri gjuhët që përmban botimi në fjalë.
Përkrah shqiptarit, gjendet edhe një banor, fisnik i zonës së Marokut apo një berber ( shih majtas) dhe një grek ( shih djathtas nje stradiot dmth ushtar, por edhe fisnik grek).
Veshja e fisnikut shqiptar, nuk përcjell asnjë nga elementët, të cilat ne sot njohim në veshjet tona kombëtare, tradicionale, zyrtare, civile, ushtarake apo fetare, çka edhe pse mund të shpjegohet me faktin se ajo ka ndryshuar tërësisht pas pushtimit turk, duke mos lënë asnjë gjurmë, ai imazh mund të jetë përcjellë nga shqiptarët në shërbim të Venedikut me banim në Itali ( stradiotë apo fisnikë ) dhe jo nga shqiptarët brenda territorit shqiptar, edhe pse diçka e tillë nuk pohohet në botimin në fjalë, ardhur nga një vit vërtetë i largët.
Ajo veshje, nëse e sheh me vëmendje, afron shumë më tepër me atë të fisnikëve europiano-veriorë e perëndimorë, se sa me atë të traditës bizantine, orientale apo europianojugore, qoftë ajo edhe katolike. Përkundrazi, veshja e stradiotit grek, refleton qartazi elementë orientalë e bizantinë, duke e bërë edhe më të fortë dallimin mes të dyve.
Gjithsesi, gravura e sjellë në këtë botim mbetet një dëshmi interesante për të gjykuar mbi veshjen e shqiptarëve në atë kohë, edhe pse shkon shumë përtej imazhit që mund të ketë pasur shumëkush në kokë.