Nga Arlinda Guma
Një ditë do më ndjekë edhe mua, ashtu siç po bën me shumë të tjerë, si ai prindi që të ndalon ta duash…Por, lidhja me të është diçka që nuk mund ta zhbësh. Ti nuk mund të krijosh një atdhe tjetër…
Dhe sa gabojnë ata që mendojnë se e keqja më e madhe e tij janë politikanët që po e vjedhin dhe e plaçkisin përditë. Jo. E keqja më e madhe e këtij vendi janë oportunistët.
Ata janë shkatërruesit më të mëdhenj të tij.
Ata njerëzit e vegjël dhe meskinë që nuk ngrenë zërin kurrë kur shohin një padrejtësi.
Ata që thonë për çdo rast: “Ç’më duhet mua që të flas!”.
Ata të mirëllogariturit deri në cantinë në interesin e tyre vetjak…
Ata që të përgjojnë ty çdo status që shkruan, dhe të nesërmen kur i takon, t’i numërojnë të gjitha, aq sa çuditesh se si i mbajnë mend… më mirë edhe se ty që i ke shkruar…
Ata që e shohin lumturinë e tyre personale si të shkëputur nga kolektivja, të shkëputur nga mjedisi i përbashkët.
Ata që fusin kokën në rërë si struci për të mos parë gjërat që nuk shkojnë…
Ata që ruajnë të frikur deri në palcë atë punën e tyre të vogël e te trishtuar, duke mbajtur gojën mbyllur dhe duke u poshtëruar.
Ata që shpresojnë t’i dërgojnë nesër fëmijët e tyre nëpër shkolla jashtë vendit ngaqë këtu gjithçka u duket e padenjë dhe që i gënjen mendja se janë të paprekur nga injoranca e kolektives. E pastaj habiten kur fëmija i tyre që mbaron shkollën jashtë dhe kthehet t’u administrojë bizneset, fillon të drogohet… sepse nuk gjen një njeri të vetëm për bè me të cilin të shkëmbejë një fjalë për të qenë. Sepse e gjen nivelin e kolektives të degraduar, të rrënuar, në kufi të defiçencës, militantizmit politik dhe telenovelave turke. Degradim për të cilin janë përgjegjës ata vetë dhe heshtja e tyre.
Këta oportunistë nuk arrijnë të kuptojnë se nuk mund të ketë kurrë emancipim vetjak të shkëputur prej mjedisit të përbashkët. Sepse herët a vonë ata “parvenu-të” e paedukuar do të vijnë ta shqetësojnë edhe “lumturinë e tyre të vogël”, “shtëpinë e tyre të vogël”, “biznesin e tyre të vogël”, “ëndrrat e tyre të vogla”…
Më dhemb në shpirt ky vend! Por atij dashuria ime nuk i hyn në punë…