Nga Enkel Demi
Një film i realizuar gjithë shije i rrymës së realizmit socialist (dhe këtu kam parasysh realizmin e sotëm të PS-së) çeli siparin e Kongresit të PS-së. Nga ky film i kururar gjithë merak mësova që check up-i falas të shpëton jetën, kurse barnat kushtojnë nja 20 herë më lirë se në kohën e doktorit vampir. Mësuam me shumë dëshirë që spitalet kanë ndërruar si nata me ditën dhe shëndetësia falas shkon deri tek transplanti i veshkave. Në spitale ka ilaçe për të gjithë, mjekë, infermierë plot gazmend, sanitarë që e mbajnë xixë ambjentin, aparatura që punojnë si orë zviceriane dhe asnjë i afërm të sëmurësh nuk bën turni i tretë për të blerë barnat e munguara në farmacitë private. Na rrëfyen që tek sallat e kirurgjisë nuk ka munguar kurrë anestezia dhe jo më që hallexhinjtë të shkojnë ta blejnë në farmacinë e babit të një ministri si u shpif nga 27.al para ca javësh. Madje, kaq bukur janë thurrur punët e qeverisë sa edhe kur sëmuren vetë pushtetarët, nuk shkojnë të operohen në spitale private, por në shtet, se atje mjekët i kanë të tëra kushtet dhe e kanë marrë reformën në gushë.
Kineasti na tregoi që një nënë ishte qetësuar, kur çoi të birin në gjimnaz, sepse policia ka kryer pastrimin e drogës së opozitës në Lazarat. Qysh atëherë nuk ka asnjë të vrarë në qendër të ish-Bllokut për punë droge dhe policia italiane nuk kapi para nja tre ditësh 7 kuintalë bar në skafin që nisej nga brigjet e shqipes. Na treguan se bujqësia po lulëzon dhe falë granteve po ndërtohen pika grumbullimi, ndaj katundarët nuk e hedhin më prodhimin në kanal si ndodhi me bujqit e Korçës para ca muajsh.
Sa shumë gjëra të mira na treguan dhe që i paskemi. Shkëlqyeshëm ekonomia, njerëzit të gëzuar po paguajnë taksat që janë të ulëta shumë më tepër se në kohën e vampirit që thithte gjakun e popullit. Njerëzit grinden në kafene kush ta paguajë faturën, pasi kaq shumë para kanë nëpër duar. Shtëpitë tona nuk kanë më nevojë për lloz, dryn a çelës. Rendi është vendosur dhe askush nuk prek gjë me dorë. Nuk ka kund makina që shpërthejnë, kallëpe dinamiti apo cënim të pronës. Jeta është e gëzueshme, fëmija është i lumtur, ekonomia e gjithkujt zhvillohet, FNSH-së i është rritur paga, mësuesëve kushtet e paret, Shqipëria është bërë një kopësht me lule, paqe e lumturi.
Tash, duhet vetëm ta gjejmë kineastin të na tregojë ku është ky vendi, duhen viza për atje apo të presim rradhën si refugjatët sirianë?