Nga Jeni Zari
Si sot 28 vite më parë pushoi zemra e tim vëllai, i vrarë barbarisht nga ushtarët “vigjelent të sistemit Komunist”.
Shikoni hetuesit me duar në xhepa (foto si më poshtë), gjatë përpilimit të dokumentacionit që duhej dërguar Ministrisë së Mbrojtjes në Tiranë, për punën e lavdërueshme e të devotshme të njësitit kufitar si edhe të repartit ushtarak të kësaj Poste kufitare, që sigurisht do merrnin shpërblimin e duhur (1 javë leje për të shkuar në shtëpi të pushonin) nga shteti për punën e nderuar të tyre “vigjilente” për të mbrojtur nga “Armiqtë”,
“Atdheun e tyre të dashur”.
Trupi i tim vëllai është lënë gjithë natën e deri të nesërmen në vendin e ngjarjes deri sa të vinin “expertët” të shtjellonin këtë ndodhi në majë të malit pra vrasja është bërë në orën 12 të natës të datës 2 duke hyrë 3 shkurti i vitit ’90.
Historia e tim vëllai që ende nuk është gjykuar as me gjyq e as nuk ju dha familjes trupi i tij, por u hodh në një gropë provizore të malit dhe nuk i dihej as nami e as nishani më vonë, pra nuk u tha familjes që e kemi vrarë.
Ne ishim familja e parë në Tiranë që provuam shkopin e gomës në kokë dhe kamzhikun nga sigurimi i shtetit, e deri sot asnjeri nuk e njeh këtë histori, por u mbyll me dosjen e famshme “TOP SEKRET” ngaqë e kishin zhdukur tim vëlla pa lënë gjurmë. Im vëlla qe i pari që mori guximin të çante kufirin, pra shkëndja e parë e demokracisë që mesa duket e paska ndjerë që këtij sistemi duhej t’i vinte fundi, por fatkeqësisht askund nëpër media nuk njihet emri i tij si djalë guximtar e fisnik, një nga martirët e parë të kryeqytetit.
Nënë gjora dhe ne e gjithë familja përjetuam ngjarje nga më makabre që mund të mendohen se si dhe çfarë ka ndodhur më pas (unë dhe ime motër ishim larguar nga vendi), im atë dhe mamaja mesa duket kanë gjetur ngushëllim në ditaret e tyre duke shkruar çdo ditë se si kanë përjetuar dhe kanë rrjedhur ngjarjet e mëpasshme dhe torturat që ka hequr deri sa ka gjetur të birin dhe e ka zhvarrosur me duart e saj duke mos lënë pas edhe ndihmën e mbështetjen e njerëzve të ngushtë të familjes së saj dhe të babait tonë.
Nëna jonë me lot e me oiiiiiiiiiiii, të qarat e saj nëpër malet me dëborë ditë e netë duke kërkuar të birin dhe rënkimet me ditë, muaj dhe vite e bënë gjysmë njeriu. Sigurimin e kishim të pranishëm “NON STOP” në shtëpi, duke plaçkitur e kontrolluar të gjithë garderobën e tim vëllai e tonën si vajza e deri tek djegia e të gjitha pikturave të tij e penelave, e bojërave, e kornizat me libra që përfunduan para pallatit në zjarr të madh, e komshinjtë pas perdeve shikonin me lot në sy pa ditur ende ç’po ndodh me njerëzit dhe komshinjtë për të cilët kishin një respekt të veçantë.
Im atë burrë zotëri, që kish respekt për të një Tirane e tërë, u thinj brenda natës e nuk e njihnim të nesërmen nëse ish ai apo ndonjë burrë tjetër në shtëpi. Nuk e ngriti me kokën e të buzëqeshte deri sa u nda nga kjo jetë. Nuk i hyntë asgjë në sy vetëm kujtonte djalin e tij të mirë e të dashur që kish vetëm një ëndërr…të shikonte muzeumet e botës e të takonte Da Vincin, Rembrandtin, Gojen, Cezanne, Vermmer, Monet, Renoir…e lista vazhdon pa fund.
Ëndrra e një artisti, e një poligloti, e një nxënësi që në shkollën fillore e deri më tej nuk njihte nota të tjera vetëm 10 me yll e me fleta lavdërimi, djalë që vetëm buzëqeshte që ndihmonte çdo të moshuar që shikonte rrugës apo që i dilte para syve, çdo fëmijë të vogël, të rreckosur që shikonte nëpër rrugët e Tiranës atje ku punonte në “Kinostudio Shqipëria e Re” e që priste radhën sa t’i hapej vendi i punës që i ish premtuar si piktor…kjo ëndërr nuk ju realizua, megjithëse talenti i tij ishte i përtejshëm, dhe ja një ditë pa pritur e pa kujtuar i riu inteligjent humbi durimin dhe mori malet, atje ku ëndrra e tij u bashkua me qiellin, në parajsën e përjetshme, e në ditë si sot shohim qiellin e flasim me yjet…Njëri nga ata është djali im”, thotë mamaja jonë.
E gjora nënë, të gjorët ne të gjithë si familje që patëm këtë fat. Pse humbëm njeriun më të mirë të familjes, pse ja shuajtën ëndrrat këtij të riu që veç artin e librat kish pasuri edhe ato ja dogjën e nuk na lanë asnjë kujtim të të tij?!!!
Kjo është dhurata që na dha sistemi ynë i madhërishëm e që do ta marrim edhe në botën e përtejme si kujtim, është skalitur në cdo kockë të trupit tonë deri në përjetësi dhimbja…mjerë kujt i ka rënë për pjesë ta provojë mbi kurriz.
Në atë kohë të vrisnin po të mos kërcejë vallen e tyrë (të sistemit) sot të buzëqeshin para syve bëjnë premtime qesharake dhe populli përsëri ju jep votën, pra vetë ne zgjedhim fatin tonë, sa qesharake!!!
——————————
ZGJOHU SHQIPËRI!
I bëj thirrje të gjitha familjeve e nënave të shumë vuajtura të viktimave (lista e të vrarëve si më poshtë) t’u kërkojnë qeverisë në fuqi, për të cilën kanë votuar t’u kthehet nderi dhe respekti që meritojnë martirët të vrarë në kufi si dhe të mbështesin këto familje që e vuajtën mbi kurriz këtë akt çnjerëzor që ju la ish-sistemi Komunist. Ata nuk vranë vetëm një individ por thyen zemra nëne, e mijëra zemra të kësaj shoqërie.
Emrat e tyre të shoqëruara me dokumente përkatese si edhe foto duhet të jenë në muzeum të veçantë, për brezat që do vijnë, të mësojnë pasojat e sistemit dhe në çfarë fazash ka kaluar ky i mjerë popull që mbijeton me zemër të thyer edhe sot e kësaj dite.
Kur kërkohet nga vendet e huaja t’u kthehet dëmshpërblimi familjarëve apo vendit, të njihet hapur çështja kjo apo ajo padrejtësi apo akt genocid që i është bërë këtij populli, pse nuk filloni nga vetja, të dashur politikanë të vendit tonë?!
Ju lutem mendoni pak më thellë, logjikoni, analizoni e aresyetoni drejt e me maturi, filloni ju lutem të ndërgjegjësoheni, pra duke parë nga vatra juaj nga njerëzit tuaj nga ligjet tuaja, si silleni me problemet e njerëzve brenda konakut tuaj.
Nënat tona janë lodhur me mendimin që i është krijuar në dekada:
–Mos bëni si bëj unë, por bëni si them unë.
edhe sa kohë duhet të bëjnë nënat tona dhe i gjithë ky komb si thoni ju, deri kur dhe sa gjatë, është pyetja?!