Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit në Davos të Zvicrës, ka vazhduar takimet me liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, në kuadër të sesionit të Forumit Ekonomik Botëror me temë “Përshpejtimi i zhvillimit afatgjatë të Ballkanit Perëndimor”.
Viti 2018 është përcaktues në avancimin e axhendës evropiane për të gjitha shtetet e rajonit që janë të përkushtuara në procesin e anëtarësimit.
“Pritjet tona janë që kjo strategji të paraqesë një perspektivë të qartë për Kosovën, sepse kjo do të mundësojë zbatimin e reformave dhe përshpejtimin e hapave në procesin e anëtarësimit. Kosova mbetet e përkushtuar për procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në këtë aspekt, është e domosdoshme arritja e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për paqe dhe normalizim”, ka thënë Thaçi.