Drejtuesit e Partizanit janë ankuar vazhdimisht gjatë këtij edicioni për mbështetjen e pakët të tifozëve të tyre në shkallët e stadiumeve, kryesisht në “Qemal Stafa”, me logjikën se kanë ndërtuar një skuadër konkurente dhe nuk e meritojnë këtë lloj indiference. Por edhe kur ata janë prezentë më të shumtë në numër, kryesisht në ndonjë derbi, apo kundër Skënderbeut, bilanci midis entuziazmit që ofrojnë dhe dëmit që shkaktojnë anon dukshëm nga e dyta. Partizani është ndoshta klubi më i gjobitur nga Komisioni i Disiplinës pranë FSHF-së, kryesisht për hir të sjelljes së tifozëve. Edhe pas ndeshjes së fundit ndaj korçarëve, për hedhje të sendeve në fushë nga njerëzit e shkallëve, klubi i kuq duhet të paguajë edhe 2 milionë lekë (të vjetra) gjobë. Në atë takim u flak gjithçka drejt fushës, që nga letrat, flakadanët, çakmakët, madje edhe një celular, ndërkohë që si zakonisht, policia kishte rrethuar gjysmën e qytetit.