Nga Andrea Grampsi
Arbërorët e Deftereve
…”Kush e çliroji Morenë, të gjthë shqiptarë qenë”…
Pikësëpari autori i atyre vargjeve gabohet, nuk ishin të gjthë shqiptarë dhe as 90% siç thuhet lartë e poshtë, por ama ishin goxha! Gjithashtu duke marrë shkas nga shpallja e këtij viti nga Shteti Shqiptar, si viti mbarëkombëtar i Skënderbeut, mendova të risjell ndopak në vëmendje një çështje thelbësore nga pikëpamja historike e qenësore e kombit shqipar.
Viti 1454 , More/Peleponezi Mesjetar
Fisniku Arbëror Petro Bua udhëheqës i 30.000 arbërorëve, prin kryengritjen kundër vëllezërve Thoma e Dhimitër Paleologu për shkak të taksave të rënda te caktuara nën trysninë e pushtuesve Osman ( sipas të dhënave të përftuara nga dokumentat Veneciane). Fisniku Bua bashkëkohës i Kastriotit, gati në mynyrë të sinkronizuar organizon Qëndresën luftarake kundër padrejtësive të prijësve Moraitë dhe hordhive otomane ( këtu më duhet të përmend shkrimin përkujtimor të Jorgos Seferis, kushtuar atyre 800 arbërorëve që u bënë ndër martirët e parë në luftë kundër hordhive turko-selxhuke ), gjithashtu një tjetër pinjollë i Buajve ( Theodhor Bua) u bë arkitekt i një tjetër kryengritje anti-osmane më 1481.
Shekulli i XV në kontekstin Ballkanik, mund të quhet si shekulli i kryengritjeve arbërore. Pra le të ndalemi paksa, e dimë mirë kush ishte Gjergj Gjon Kastrioti ( ose Gjorgje Jovan Kastriot, sipas J.Schmidt , dhe ca të tjerëve !!), por në lidhje me Buajt dhe arbëroret e Peleponezit, dimë pak ose aspak. Fara e pinjollët e Buajve të Moresë me gjasë ishin pasardhës të fisnikut Gjin Bua Shpatës, për të cilin një shtetas shqiptar, me nje shkallë arsimimi mesatarë, e ka të paktën një ide minimale se kush ishte e çfarë ka bërë
(personalisht shpresoj të jetë kështu), por le të përqëndrohemi më shumë tek aspekti kryesor i kësaj çështje.
Arvanitët\Arbërorët e Greqisë
Kush ishin shqiptarët ortodoksë mesjetarë që emigruan kryesisht gjatë shekujve IIV e XV, në drejtim të Greqisë.
Shkaqet pse emigruan? Kryesisht të karakterit ekonomik, në analogji të përkryer me emigracionin shqiptar në Greqi gjatë këtyre 27 vitet e fundit, sa janë sot, sa emigruan asokohe.
Ku përfunduan arbërorët?! Me këto çështje janë marrë gjërësisht vetë studiuesit arvanitë si K.Biri, P.Furiqi, M.Liapi, Pr.Tito Johala( çam ortodoks nga Rrapëza) i madhi Aristidh Kola etj. Ndër historianët shqiptarë mund të përmendim emrat e Pr.Dr Pëllumb Xhufit, Irakli Koçollarit, Pr.Kristo Frashërit, Pr.Jahja Drançollit, etj . Shumë është spekulluar , shumë është manipuluar, përballë janë ndeshur dy skaje të papajtueshme dhe akoma më shumë është pështjelluar e molepsur kjo çështje tejet e rëndësishme për të dy popujt tanë, siç ma përshkruajti njëhere një mik i imi grek, në një kuptim figurativ ( cit. e vërteta historike duket sikur endet nëpër këmbët e dy përbindëshave që nuk reshtin se përleshuri me njëri-tjetrin ). Kështu është katandisur Historigrafia në të dyja palët. Lejojmë emocionet primordiale e komplekset patetike të mbizotërojnë mbi arsyen e shëndoshë e qasjen mirëfill shkencore. Me gjithë përulësinë e respektin karshi korifejve të Akademise së Shkencave më duhet të nxjerr në pah disa fakte kryekëput të karakterit shkencor në përcapjen për të zbardhur ndopak këto tematika problematike .
Vitet 1460/63 , osmanët për arsye fiskale bëjnë regjistrimin e popullsisë së Moresë/Peleponezit
I ashtuquajturi “Defter-i Livā- Mora” i ndarë aktualisht në dy pjesë, e para që ndodhet në Sofje, Bullgari ( kod.1/14662) që përfshin pjesën veri-perëndimore të Moresë, fragmenti i dytë (kod.TT10) që përfshin pothuajse gjithë pjesën tjetër të Moresë, ndodhet në Arkivat e Stambollit, pjesa që ndodhet në Sofje në Librarinë Kombëtare të Bullgarisë të Universitetit “Shën Kirilli e Metodi” përkthehet e botohet në vitin 1977, nga bullgarët P.Assenova, R.Stojkov dhe shqiptari Th.Kaçorri. Veçoria e parë që vërehet në këtë Defter është ndarja në dy kategori e popullsisë “çemaat i Rumyan“ përkthimi nga osmanishtja “nga populli i Romejve/Grekëve” dhe “çemaat i Arnavudan” përkthimi nga osmanishtja “nga populli i Arbërorëve/Arvanitëve”, kjo për një shkak të thjeshtë ekonomik, diferenca në pagesën e ispenxhese, grekët paguanin 25 ispenxhe ndërsa arbërorët 20 ispenxhe, prandaj lindte nevoja në dallimin e vëndbanimeve kryesisht tregtare-bujqësore të Romejve/Grekëve dhe e atyre kryesisht blegtorale ‘Katundet’ Arbërore.
Shkronjësit e këtyre Defterëve kane pasur afërmëndsh përkthyes që zotëronin të dyja gjuhët për të bërë të mundur veçimin e nevojshëm, gjithashtu edhe për të transkriptuar në osmanishte nga pikëpamja semantike-fonetike antroponiminë specifike të të dyja popullësive. Rezultatet e para që përftohen nga botimi i pjesës së parë, janë si vijon:
-Në 148 katunde Arbërore , me nje numër mesatar familjesh që luhaten nga 10-12 syresh, kemi gjithsej 1821 kryefamijarë Arnavudan\Arbërore, ndërsa në 44 vëndbanime Romeje\Greke me një numër mesatar familjesh që luhaten nga 50-60 syresh kemi 1742 kryefamiljarë Rumiyan\Greke.
Në sajtin e studiuesit greko-arvanit Dhimitris Lithoksou (Lithoksou.net), është publikuar lista e plotë e vëndbanimeve Arbërore dhe e antroponimisë së kryefamiljarëve arbëror të marë nga botimi i sipërpërmendur ( ref. Ονοματεπώνυμα των Αλβανών (Αρβανιτών) της βορειοδυτικής Πελοποννήσου τον 15ο αιώνα ). Osmanologu turk Levent Kayapinar në bazë të hulumtimeve të tij në të dyja fragmentet e Defterit gjatë vitit 2009, arrin në këto përfundime (nga 567 fshatra gjithësej në të gjithë Peleponezin, 411 banoheshin nga arbërorë ndërsa 152 fshatra banoheshin nga grekë, gjithashtu 4 fshatra ishin me popullësi të përzier, numri i kryefamiljareve del përkatësisht: Arbërorët me 4769 familje dhe Grekët me 6473 familje nga ku 57,58% rezultojne Romej\Grekë dhe 42,42% rezultojnë Arbërore\Arvanitë) ‘ref. The Ottoman Conquest of the Morea (1387 – 1460), f.9-14’.
Osmanologu grek Georgios Liakopoulos duke përvijuar shqyrtimin e këtij Defteri në të dyja pjesët e tij arrin në këto rezultate matematikore, që janë ndjeshëm më të përplotësuara e më tëpërpikta në krahasim me kolegun turk.
Pra nga 12003 familje gjithësej, 7103 janë Romeje\Greke dhe 4900 Arnavudan\Arbërore , me një raport 58\59 % grekë dhe 41\42 % arbërore, gjithashtu pritet së shpejti botimi i plotë i Defterit “Livi-i Mora” i viteve 1460/63 , nga ana e G.Liakopoulos, paçka se botimi i këtij libri është shtyrë e zvarritur me vite tanimë, për arsye që merren me mend lehtë, thjesht sa për t’iu ilustruar ndopak thelbin e problematikës, ky libër është katërcipërisht i ndaluar të botohet nga çfarëdo Shtëpi Botuese greke …prandaj edhe dritën e botimit me gjasë do ta gjejë në Londër e Stamboll (ref. A Study of the Early Ottoman Peloponnese in the Light of an Annotated editio princeps of the TT10-1/14662 Ottoman Taxation Cadastre (ca. 1460-1463) (London, The Royal Asiatic Society – The Gingko Library).
Pra në lidhje me Morenë ekzistojnë të dhëna koncize matematikore që pasqyrojne gjendjen etnike, gjithashtu na paraqesin një raport të përpiktë etniko-demografik mes grekëve dhe arbërorëve, kësisoj këto rezultate në mynyrë mbresëlënëse konfirmojnë edhe burimet veneciane që flasin për një numër prej 30.000 arbërorësh të Moresë, po të bëjmë një përllogaritje të thjeshtë, 4900 familje x 5\6 ( numri i përafert i anëtareve për familje), arrijmë përafërsisht në të njejtin rezultat që haset në burimet veneciane.
Peleponezi është vetëm një pjesë e Greqisë , por le të vështrojmë me imtësi Defteret e tjera, më konkretisht studimin nga osmanologia greke Evangelia Balta në lidhje me defterin e ishullit të Eubesë viti 1474 , (ref. L’Eubée à la fin du XVe siècle: Economie et population, les registres de l’année 1474) ku në bazë të kriterit dallues antroponimik vërejme që vëndbanimet nga zona e Kalkidhës e Aliverit ( Eubea qëndrore) e mëposhte banohen nga një shumicë absolute arbërore, gjithashtu duke ditur që historikisht e tradicionalisht krahinat e Atikës e Beotisë kanë qënë e janë banuar nga një shumicë arbërore (sa për ilustrim, Kryepeshkopi i Athinës e gjithë Greqisë Hirësia Jeronimos ‘Ioannis Liapis\Ιωάννης Λιάπης , shq. Jani Labi’ është një arvanit\arbëror shqipfolës nga fshati arbëror Oynofita i Beotisë), sërish në konfirmim të këtij fakti na vjen në ndihmë botimi tjetër i osmanologes Evangelia Balta , Defteri i Talantës e Mudunicës i vitit 1466 ,(ref. «The region of Atalanti and Moudounitza in the Ottoman Period (15th-16th Century) in: Pax Ottomana. Studies in Memoriam Prof. Dr. Nejat Göyünç, (ed.) Kemal Çiçek, Haarlem-Ankara 2001, Sota-Yeni Türkiye, 151-182. – gjeografikisht përbën Lokris-in lindor, pjesa skajore verilindore e Beotisë ) , ku përseri si në rastin e Moresë kemi nje veçim të karakterit ekonomik-etnik, ku vëndbanimet arbërore cilësohen si “Katuna Arnavudan\Katundet Arbërore” dhe ato greke si “Karye-i Rum\Fshat Grek” rezultatet si vijon ( në 28 vëndbanime kemi gjithësej 1320 familje nga ku 582 jane arbërore dhe 738 greke ).
Disa punime të zonjës E.Balta , do më duhet t’i cek më tutje, duke vazhduar më tej me itenerarin nëpër Greqi duke u bazuar në të dhënat e përftuara nga Defteret e Shekullit të XV, pashmangshmërisht del në pah puna e vyer e osmanologes Melek Delibasi me kryeveprën e saj përkthimin e “Hicri 859 Tarihli Suret-i Defter-i Sancak-i Tirhala” (kod.MM10), Sanxhaku i Trikallasë i viteve 1454\55 që përfshin gjithë Thesalinë e sotme, zonën e Agrafa-së, zonën e Pindit në Epirin lindor dëri poshtë në Naupaktos\Nafpaktos, informacionet që përvetësojmë nga ky Defter, janë jashtëzakonisht interesante për shkak të të vërtetave që evidentohen.
Përgjithësisht zonat me popullësi arbërore konsiderohen ato të sipërpërmendurat, Morea, Atika, Beotia dhe disa ishuj të Egjeut perëndimor. Thesalia në këtë kuadër, cilësohej si vend tranzit\qëndrim i përkohshem i farave arbërore të dokumetuara që më 1325 , dhë që më pas në vitet 1380\81 u zhvendosen në Atiko-Beoti e më tutje. Ky version përbën mitin e radhës që Defterët e hedhin poshtë bindshëm nëpërmjet fakteve kokëforta.
G.Liakopoulos përktheu në greqisht një fragment të Sanxhakut të Trikalla, atë të trevës së Kravarit që administrohej nga pasardhësit e arbërorit Muriq Kravari nga katundi çam Kravari\Ano Rachos i Prevezës , kjo krahinë përfshin pothuajse gjithë pjesën veriore të Naupaktos\Nafpaktos me rreth 50 vëndbanime të regjistruara, ku nga 500 kryefamiljarë gjithsej, në bazë të antroponimisë tipike që mbartin rezultojnë pothuajse gjysma Arbërore duke pasur parasysh edhe lidhjet e gjakut (ref.‘Η απογραφή των Κραβάρων στο οθωμανικό φορολογικό κατάστιχο ΜΜ10 (1454-1455)’, Ναυπακτιακά 15 (2007-2009), 415-561).
Gjithashtu Osmanologu Levent Kayapinar në bashkëpunim me studiuesin e zellshëm grek Kostas Spanos, vitet e fundit përgatisin e publikojnë në revistën historike “θεσσαλικο ημερολογιο” pjesë të ndryshme të shkëputura po nga vepra e M.Delibasi “Sancaki-i Tirhala”, më saktësisht onomastikën e banorëve të mëhallave të Larisës, Trikallasë, nga ku të dyja këto qytete kanë secila mëhallat ‘Arnavudan\Arbëror ‘) dhe disa fshatrave kryesisht të skajit verior të Thesalisë ku elementi arbëror haset më rrallë, qëllimshmëria e kësaj qasje është më se qartë, gjithsesi paraqitja e një liste toponimesh të vëndbanimeve përreth qyteteve të Trikallasë, Kardhicës, Kallabakës etj (ref. ΘΗΜ – Τόμος 70ος – ΣΕΛ. 273 – 306 – ΣΠΑΝΟΣ-ΚΑΓΙΑΠ_Θεσσαλικό Ημερολόγιο – Τόμος 70ος ) kryesisht të zonave fushore të Thesalisë qëndrore-perëndimore pothuajse rreth 50 kilometra në veri të zonës së Kravarit të sipërpërmendur, hedh dritë mbi përbërjen etnike të kësaj treve, për të konkretizur këtë pikë po paraqes një listë me toponime;
Mashkullor,
Picarë,
Matrangë,
Lëkurës,
Gjonçe,
GjinLalzi,
Kalenxhi,
Capuge,
Kolëza,
Koçohir-Arnavudan(arbëror),
Muzak-Arnavudan(arbëror),
Ljosha(Losha),
Kurtesh,
Katundari,
Kaznec,
Kanber,
KondostavloArnavudan(arbëror)
Plasa\Plesa,
Haykal,
Murgu,
Pisha,
Malakas,
Kranya,
Mirash-Nikola(Mosnikola),
Gjerbës(Gerbes),
Muzak-Mashkollor,
Gjurka(Gurka),
Mirush,
Magul\Mëngul-Zot\Kurtesh\Grigor ,
Koçi-Mëngula etj etj,
Pra toponimia dëshmon qartë përkatësine e banorëve, ndërkohe që një pjesë e toponimeve pasohen nga cilësimi etnik Arnavudan (Arbërore), e vetmja gjë që mbetet për të bërë ( ashtu si në rastin e trevës së Kravarit e pergatitur nga G. Liakopoulos ) është përkthimi i të gjithë Defterit “Sancak-i i Tirhala”, edhe në shqip mundësisht, në mynyrë që të qartësohet njëhere e mirë ( ashtu si dhe në rastin e Moresë të vitit 1460, Beotias të vitit 1466, Eubeas të vitit 1474 etj), kontributi real etniko-demografik i Arbëroreve Mesjetarë në Greqinë e shekullit XV.
Me këtë rast i bëj thirrje qarqeve përkatëse Akademike ( osmanologë, historianë, kërkues shkencorë etj) , t’i kushtojnë vëmendjen e rëndësinë e duhur këtyre dokumentave me vlerë të jashtëzakonshme shkencore, të cilat na bëjne të mundur përftimin e provave të mirëfillta e të pakundërshtueshme, fundja kur “Faktet flasin , gjithçka tjetër hesht”.
“Sanxhaku i Trikallasë” së 1454, ku renditen fshatrat mes Kardhicës dhe Trikallasë, si Mataranga, Gjonc, GjinLalzi, Gjerbes(Kibris), Kalenxhi, Kaznec, Malakas , Picar, etj.