Nga Arlinda Guma
Nga kronikat e gazetarisë “poliglote”
Sot startoi Panairi i Librit -Nëntor-2017.
Shkrimtarë dhe poetë nga të gjitha regjionet e Shqipërisë dhe më gjerë, jane shumë të kontentuar me prezencën në stendat e shtëpive botuese, ku do të ekzibicionohen masterPisat e tyre.
Shkrimtarët dhe poetët do të jenë prezentë në këtë ekzibicion spektakolar, prej orës 5 të mëngjesit, e deri në 12 të mbrëmjes, ndaj që ta bëjmë të qartë që tani, asnjë vizitor nuk do shpëtojë prej autografëve të tyre. Ato do t’ua japin edhe po të mos i kërkoni… Nuk del njeri gjallë prej Panairit pa marrë me vete një autograf!
Shkrimtarët, për çdo rast janë pajisur me bukë me vete, batanije e piumone, sepse në e dashtë puna, edhe do ta gdhijnë në Panair.
Nga ana tjetër mediat vizive jane involvuar full time për ta prezantuar live këtë fiera të librit, në mënyrë sa më prestigjioze.
Do të konfidohen me persistencë para kamerave, botuese që sapo kanë qepur fustanin e ri, apo autorë që sapo kanë ndyshuar lukun, apostafat për këtë event…
Në ditën e fundit të Panairit të Librit do të proklamohen edhe çmimet si më poshtë;
Best-autograph
Best-Dress
Best-Selfie
Ministria e Kulturës vendosi ta shkurtonte për këtë vit çmimin për librin më të mirë, pasi ai është fare i panevojshëm. (- Nuk ka asnjë ekzigjencë në lidhje me këtë premio, – theksoi ajo.)
Me çmimet e mësiperme, fare mirë mund të kontentohen xha, shtresa më të gjera të popullsisë; si stilistë, fotografë, manikyristë dhe grafologë.
Gjithashtu në ditën e fundit, Ministria e Kulturës do të mbajë një diskurs mbi implementimin dhe involvimin e librit në shkollat shqiptare, si nje ekzigjencë adekuate dhe imediate për futuron.
Ju ftojmë të involvoheni në ditët në vazhdim!
Tirana lexon!
Tirana “u strapacua” së lexuari!
______
Në shkrimin e mësipërm, i dashur lexues, përtej notave të humorit, jam përpjekur të përdor të gjitha fjalët që hasim shpesh nëpër kronikat televizive, për ta vënë edhe një herë theksin te masakra që po i bëhet gjuhës shqipe.
Them se të ruash dhe të kujdesesh për gjuhën tënde, është më patriotike se sa të vizatosh në shpatull shqiponjën apo flamurin.
Ka qenë një kohë kur flamurit tonë i shtuan dy sëpata, pastaj ka qenë një kohë tjetër kur ia hoqën ato, pastaj një tjetër kur i vendosën një yll… dhe një tjetër kur ia hoqën. Por vetëm gjuhën nuk kanë mundur kurrë të na e zhbëjnë. Ajo na dallon prej kombeve të tjerë. Ne mbijetuam si komb prej saj. Dhe të përpiqesh ta ruash atë është një akt i pastër politik.
Le të fillojmë duke e dashur më shumë gjuhën, duke e shpluhurosur prej kohërave dhe shpërfilljes (mbi të gjitha të mos i vendosim sëpata), sepse kështu kemi kryer edhe një akt dashurie ndaj te parëve tanë që e kanë folur, ndaj gjyshërve dhe gjysheve, njerëzve që sot nuk jetojnë më.
E, sa për Panairin e Librit, lexues, do të të jepja një mendje… të zgjedhësh libra, për autorët e të cilëve nuk flitet në asnjë televizion…
Ah, po!
Për pak harrova…
Tirana nuk lexon e dashur Ministre!
Tirana është varfëruar në tejskaj, lexuesit nuk i përballojnë dot çmimet e librave, dhe projektet që ju u financoni miqve tuaj, apo miqve të miqve tuaj, janë dritëshkurtër dhe qesharakë.
/konica.al/