Nga Elma Doresi
Sot në mëngjes, në kafe erdhi një grua, ndoshta jo shumë e vjetër, por që hallet e kishin vjetërsuar dhe transformuar.
“Shikoje atë Elma, e kam parë përherë në Myslym Shyr“, tha Fabiola. U ktheva dhe e pashë. Ajo qëndronte jashtë barit, me sytë e përhumbur e xhup të rreckosur.
“Nuk e di Elma si e ka historinë ajo grua, por më duket se e ka braktisur familja“, vazhdoi Fabiola.
U trishtova edhe më shumë. Në ato momente do doja të kisha botën në duart e mia dhe t’ia dhuroja. Por, botën nuk e kishim. Kishim vetëm disa para, të cilat mund t’i shërbenin për vaktin e ditës. Nuk e menduam dy herë dhe dolëm për t’ia dhënë.
U afruam, i dhamë paratë, më saktë ia vendosëm në duart e saj. Ajo na pa, pastaj pa duart ku dukeshin paratë, i futi në heshtje në xhep dhe kthehu shikimin e saj diku bosh. Nuk foli, por shikimi i saj foli sa për një mijë fjalë dhe na trishtoi edhe më shumë…
Kuptova se ajo nuk donte para, paratë nuk e mbushnin zbrazëtinë e shpirtit të saj, ajo priste dikë… Ika me trishtimin që m’u mblodh në fyt dhe me acarimin se ku përfundoi njeriu sot. Në ç’qënie të pështirë u transformua sa të braktisë atë që i fali jetën.