Nuk po përpiqem të “damkos” apo të përkufizoj si të tillë, çdo politikan apo subjekt politik, por përgjithësoj rastin për të kuptuar sesa masiv është fenomeni. Edhe kur ka ndonjë apo disa politikanë që nuk pajtohen… e ndoshta ndoshta ngrenë krye… them se është pak, por e sigurtë që nuk e kanë të gjatë jetën në politikë.
Nga Alma Janka
Që krimi ka lidhje me politikën nuk do shumë mend për ta kuptuar, ndodh në çdo vend të botës, ndaj s’mund të ishte ndryshe edhe në Shqipëri. Nuk më habit aspak, dhe as nuk dua ta legjitimoj këtë fakt, por problemi qëndron në faktin se vendi ynë, jo vetëm që po nuk ngre krye për të dalë nga kjo problematikë apo plagë kaq e madhe, por duket sikur po “zhytet” gjithnjë e më tepër në një botë të errët, në hapat galopantë të krimit.
E gjithë kjo na bën të mendojmë, (them të mendojmë, sepse nuk dua përifrazoj shprehjen “kam bindjen”) se realiteti është shumë i hidhur, megjithëse jo gjithmonë del në pah fytyra e vërtetë e krimit. Me këtë dua të them që në shumicën e rasteve, asgjë nuk është thjesht ashtu siç duket, por gjithmonë ka diçka të patreguar, diçka të pazbardhur, diçka që nuk publikohet, por edhe në ato raste kur dosje të stërmëdha, emra “big” të politikës dhe jo vetëm, lidhje të dyshimta apo afera korruptive e kriminale bëhen publike, ende ka për të zbuluar. Kështu ka ndodhur e besoj kështu do të vazhdojë të ndodhë.
Krimi gjithmonë ka lidhje me politikën e cilësdo ngjyrë qoftë kjo e fundit. Krimi financon politikën e politika mbron krimin. Eshtë e pamundur të mos e thuash me “plot gojën” apo me zë të lartë që situata është kritike, por unë besoj se e tillë ka qenë në vijimësi, vetëm se hera-herës duhen disa “koka turku” për të fshehur ndoshta afera më të mëdha. Ndodh që në vendin tonë disa ngjarje qenkan të vështira për t’u zbuluar, por ja që po këto ngjarje mesa duket është më e lehtë për t’i zbuluar në vendet fqinje. Edhe në këtë drejtim nuk besoj se është e vështirë të kuptohet që në disa raste (në jo pak prej tyre) s’paskemi dashur t’i zbulojmë, s’e kemi lejuar të ndodhë, sepse kështu duhet dhe jo sepse nuk mundemi.
Paratë e krimit sponsorizojnë fushatat elektorale, e më pas shqetësohemi kur shohim një përfaqësim jo të denjë tonin në parlament, aty ku bëhen e prodhohen ligje, po prapë nga ata që në një farë forme e favorizuan direkt apo indirekt krimin, i çdo lloji qoftë ai.
Edhe nëse ligji ekziston, rrethanat, korrupsioni, intimidimi, pushteti e të tjerë faktorë e bëjnë atë të paqenë apo të pafuqishëm përballë përmasave që ka marrë krimi në vendin tonë.
Po të ishtë ndryshe, s’do të ishtë aq e lehtë që në mes të një qyteti e në një zonë të populluar të ekzekutoheshin pa të keq me breshëri dy të rinj… (po sjell vetëm këtë shembull për të mos e dramatizuar së tepërmi atë që dua të them e jo sepse rastet mungojnë).
Nëse ligji do të ishte aq efiçent, s’do të lulëzonte kaq shumë narkotrafiku apo trafiku i armëve, edhe pse pozita gjeografike e vendit tonë e favorizon së tepërmi këtë biznes, qoftë nga toka, ajri apo deti. Mendonim ose të paktën prireshim të besonim se “epoka” e bandave në Shqipëri ishte “harruar”, por jo vetëm që nuk ëshrë kështu, por bandat tashmë janë aq shumë të kualifikuara e të sofistikuara sa është e vështirë të kuptohen si të tilla në një vend si ky yni…, kur shikon që shumë ngjarje me përmasa të mëdha nuk zbardhen, kur sheh se si bandat në Elbasan “bëjnë ligjin” e s’u hyn gjemb në këmbë, kur sheh se… bandat shqiptare rivalizojnë ose konkurojnë edhe “simotrat” e tyre në vendet fqinje.
Bandat po i hasim në politikë, në sipërmarrje, në ekonomi, në shëndetësi, e madje dhe në sektorin kulturor.
Krimi me politikën janë në një marrëdhënie simbiozë, marrëdhënie interaktive ndërmjet dy organizmave të ndryshme që jetojnë ngushtësisht bashkë, dhe që kanë përfitime të ndërsjella nga njëri-tjetri, ku asnjëra nuk bën dot pa tjetrën aq me tepër kur behet fjalë për “etër” të politikës, për figura të konsoliduara në çdo fushë të jetës apo persona me pozita të forta në pushtet …
Në fakt, duhet dhe dua ta përshkruaj sa më saktë opinionin tim për këtë tematikë, për të qenë si i thonë një fjale “politikisht korrektë”, por kur e mendon më thellë këtë punë, kupton se politika si nocion s’ka qenë kurrë korrekte… dhe në fakt ku është parë e dëgjuar që politika të jetë e tillë??!!
Është e vështirë të mos kuptosh se nëse të duhet të mbash pushtetin (në cilëndo qeverisje) sa më gjatë, “të duhet” të bëhesh palë me krimin e në mos të pajtohesh plotësisht me të, duhet të mbyllësh njërin sy. Nuk po përpiqem të “damkos” apo të përkufizoj si të tillë, çdo politikan apo subjekt politik, por përgjithësoj rastin për të kuptuar sesa masiv është fenomeni. Edhe kur ka ndonjë apo disa politikanë që nuk pajtohen… e ndoshta ndoshta ngrenë krye… them se është pak, por e sigurtë që nuk e kanë të gjatë jetën në politikë.
Jemi të gjithë dakord me deklaratat e shumicës apo edhe të opozitës, kur thonë se ligji duhet të zbatohet me përpikmëri, por a ndodh kështu në fakt?
Janë të rralla rastet, kur ngjarje të bujshme që implikojnë politikën me krimin, kanë mundur të identifikojnë “fajtorin e vërtetë”, të paktën në sy të njerëzve ose sa për sy e faqe. Edhe në këtë situatë, do i rikthehesha mendimit tim se “mbetet jetim”.
Tashmë çështja nuk është vetëm nëpërmjet individëve ose bandave, por besoj që zinxhiri i lidhjeve shkon përtej e çështja molepset edhe më tepër, koklavitet hera-herës me qëllim.
As për Habilajt, as për Shullazërat, as për Çapjat, Çelajt (në këtë rast nuk i referohem në fakt fiseve apo individëve, por fenomenit, krimit të organizuar e asëve nën mëngë) e as shumë të tjera çështje nuk besoj se do të gjendet rruga e së vertetës, e asaj të vërtete që duhet të ofrohet për qytetarët, për secilin nga ne dhe jo asaj që fshihet nën rrogoz dhe shitet si e tillë sespse kështu duhet. Nuk jam pesimiste por jam realiste kur them se e tillë është situata, përsa kohë thuhet se “peshku qelbet nga koka”, por në vendin tonë destinacioni i qelbëzimit është në çdo anë, diku nga koka e diku nga këmbët, diku çalon policia, diku prokuroria, diku pushteti e diku tjetër gjë…
Të gjithë ne, gjykoj se jemi të ndërgjegjshëm dhe aq të zotë për të dalluar të vërtetën nga e pavërteta, të gjithë mund ta kuptojnë se ngjarjet apo faktet e servirura nga media, janë de jure të paverifikueshme (sepse kështu ndodh në shumicën e rasteve, në rastin më të mirë, hetimi nuk mbaron kurrë ose harrohet brenda pak…), por de fakto janë lehtësisht të provueshme.
De fakto ngjarjet e bujshme kriminale (sikur të mos mjaftonin ato me të cilat përballemi thuajse çdo ditë, por me përmasa më të vogla), vërtetojnë lehtësisht atë që ndodh brenda territorit shqiptar dhe jashtë tij. Nëpërmjet tyre është qartësisht e prekshme lidhja e krjmit me politikën, vetëm se asnjëra palë (qoftë e majtë apo e djathtë) nuk e pranon, por vetëm sulmon e anatemon kundërshtarin. Dhe në fund “viktima” e kësaj lufte që gjeneron (përveç disa të arrestuarve apo në rastin më të keq eleminime fizike) shuma të mëdha parash dhe fuqizim të tejskajshëm të individit apo interesave të tij, mund të jetë një i tretë… qytetari, votuesi, krerë lokalë të institucioneve apo organizmave të ndryshëm, mund të jetë “korrieri” apo vartësi i pushtetarit, i liderit, shefit e kështu me radhë.
Shqipëria është një habitat, në të cilin rriten e lulëzojnë pa hesap këto ngjarje, këto afera, këto biznese apo këto lloj “industrish” të fitimit të parave.
Vendi ynë është një inkubator, brenda së cilit gjejnë terren dhe kushte shumë të favorshme mirërritjeje të tilla fenomene si droga, korrupsioni, trafiku i armëve e të tjera, aq sa edhe të huajt “na kanë zili”, a thua se kemi qenë kaq të mirëpërgatitur për të trajtuar ose “më mirë akoma”, për të administruar e drejtuar klane mafioze, për t’u pasuruar nga kultivimi e trafikimi i lëndëve narkotike apo i armëve, për të mashtruar me aq lezet e finesë sa të sigurohen votat, për të qënë kaq eskpertë sa për të “mbuluar diellin me shoshë” në afera korruptive e kriminale.
Kohë bandash, kohë tritolesh e larje hesapesh…
Por, ndoshta nuk duhet të shqetësohemi së tepërmi, duke qenë se “çudia më e madhe tre ditë zgjat”, jo për gjë, por në një vend si ky yni, me 300 ditë me diell nga 365 që ka viti kalendarik, është e lehtë të eklipsohen edhe këto raste të bujshme duke u arkivuar për për t’u rihapur si background në një tjetër rast analog.