Pjesa më e madhe e emigrantëve shqiptarë që zgjedhin Anglinë për të jetuar vijnë nga veriu i Shqipërisë.
Ambasadori britanik në Tiranë, Duncan Norman duke folur nga qyteti i Dibrës, ka deklaruar se 60% e shqiptarëve në Angli vijnë nga veriu i Shqipërisë.
“60% e shqiptarëve që vijnë në vëmendje të autoriteteve britanike për çështje të emigracionit apo aktivitete kriminale vijnë nga tre rajone në veri të Shqipërisë; Kukës, Dibër e Shkodra, zona që përbëjnë 15% të popullsisë së vendit”, ka thënë Duncan.
Ambasadori britanik ka theksuar se duhet më shumë bashkëpunim mes autoriteteve britanike dhe shqiptare për të luftuar kriminalitetin.
“Duhet bashkëpunim i mirë me autoritetet shqiptare, Reforma në Drejtësi është me rëndësi në Shqipëri. Luftë jo vetëm krimit por edhe tërheqjes së investimeve të huaja. Ne presim të shohim zbatimin e Vettingut. Kemi bashkëpunim shumë të mirë me Ministrinë e Brendshme”, ka thënë më tej ambasadori britanik në Tiranë, Duncan Norman.