Nga Ismail Kadare
Të thuash për një libër se është i rëndësishëm, në pamje të parë duket se nuk ke thënë ndonjë gjë të veçantë. Shprehja përdoret për një shumicë librash, për arsyen e thjeshtë se bota në të cilën jetojmë është plot çështje të ndërlikuara, për të cilat librat, dëshmitë dhe idetë ende mungojnë. Megjithatë ka mungesa që janë më të ndjeshme se të tjerat, rrjedhimisht, ka botime me rëndësi të veçantë, ndër të cilat hyn, pa dyshim, ky libër i Eni Vasilit për gratë e dënuara për vrasje. Vrasja është e vjetër sa bota. Është vrarë në të gjitha kohërat e në të gjithë popujt, me raca e kultura të ndryshme, të zhvilluar e të pazhvilluar, në rende tiranike dhe demokratike. Është krijuar gënjimi se me instituimin më të madh të vrasjes, që është lufta, etja për të ka pasur gjasë të shuhet. Ose e kundërta, të shtohet. S’ka ndodhur as njëra, as tjetra. E njëjta gjë mund të thuhet për rendet liberale ose tiranike. Për këto të fundit është krijuar iluzioni se kur shteti vret, vrasësit tulaten. Për ngjashmëri, në shtetet demokratike, ku vrasje shtetërore s’ka, vrasësit i vijnë në ndihmë të ëmblit shtet, për të kryer atë që demokracia nuk lejon…
Libri i Eni Vasilit nuk mëton të merret me tiparin universal të dukurisë. As të shtrojë pyetje, për të cilat përgjigjet janë shpesh të pamundura. Siç e ka treguar vetë, profesioni e ka shtyrë gazetaren e re jo thjesht tek pyetja, përse kishte ende vrasje në këtë botë, duke përfshirë edhe vendin ku ajo jeton. Por tek pyetja, përse arrinin të vrisnin pikërisht ato që e krijonin jetën, gratë. Në shtjellime të tilla, në kohën kur një pjesë e botës sundohej nga mendimi marksist, shkaqet kërkoheshin në radhë të parë, në kushtet ekonomike e shoqërore, etj., me të cilat marksizëm leninizmi kishte arritur të trulloste shkollat dhe akademitë. Autorja ka pasur fatin të mos jetë ndikuar nga gjithfarë doktrinash të zbrazëta, duke na dhënë kështu një libër të qartë, me një qasje të drejtpërdrejtë ndaj vetë dramës dhe personazheve të saj. Rrëfimet e grave vrasëse janë aq tronditëse, sa nuk përbën ndonjë metaforë, por një të vërtetë bindëse shprehja se, duke vrarë dikënd, ato kanë vrarë në radhë të parë, veten. Jo vetëm kaq, por autorja vetë na zbulon vuajtjen e asaj, në kohën që kërkon të kuptojë atë që shpesh ngjan si e pakuptueshme.
Për libra të një natyre të tillë, lexuesi ka të drejtë të dijë arsyen për të cilën ato janë shkruar, për të shkuar më tej tek çështja themelore: a ka shpresë që ky problem kaq i dhimbshëm të ketë një kufizim, një tkurrje? Këto personazhe thellësisht dramatike janë gra dhe vajza shqiptare, ato që i kemi ndeshur shpesh në rrugë, në jetën e përditshme, por që befas shfaqen këtu, prapa hekurave të burgut. Shqyrtimi me gjakftohtësi e paanësi i kësaj çështjeje i ka munguar e vazhdon t’i mungojë mendimit shqiptar. Nga klisheja se qëndrimi ndaj grave është pasojë e ndikimit turkoosman, tek ideja tjetër se ky qëndrim është në traditën shqiptaroeuropiane, e cila në këtë fushë nuk është për t’u lakmuar, shtrihet një përftim i paqartë e shpesh kaotik. Teza e dytë, e cila lidhet me prirjen për të kërkuar në jetën shqiptare shenjat dhe standardet europiane është, sipas çmitizuesve shqiptarë, jo vetëm e kotë, por shprehje e provincializmit dhe e servilizmit ndaj Europës, shoqëruar me etnocentrizëm e një sërë kotnish, gjysma të huajtura prej amerikano palestinezit Eduard Ben Said. Problemi i përkatësisë europiane të shqiptarëve vazhdon të shkaktojë acarim tek një pjesë e çmitizuesve. Gjallërimi i tyre pas rënies së komunizmit ka qenë, veç të tjerash, mëse i habitshëm. Kur një vend del nga diktaturë e treguar me gisht, gjëja e parë pas shembjes së saj, është shembja e miteve të saj. Në Shqipëri, në vend që të ndodhte kjo, u bënë përpjekje për diçka të kundërt: kthimin e pasionit çmitizues drejt epokës skënderbejane, veçanërisht kundër europianit të madh, Kastriotit, atij që u përpoq si askush të ndalte shkëputjen e Shqipërisë nga Europa.
Më pas pasioni vazhdoi kundër Rilindjes kombëtare, asaj që në programin e saj për Shqipërinë e ardhshme, vuri si model Zvicrën. E më pas, sulmit s’i shpëtoi as themeluesi i shtetit shqiptar, Ismail Qemali. Çështja e Europës qysh në fillimet e saj ka pasur lidhje me thelbin e problemit: qenien e vetë Shqipërisë. Ideja se principatat e Arbrit nuk mund të ishin veçse europiane, nuk lindi në salla universitetesh, por ditën që ato, bashkë me lirinë, e humbën kontinentin e vet. Aksioni i Skënderbeut ishte i pandarë nga kjo ide. Ndaj fill pas rebelimit të tij, gjëja e parë që bëri ishte aleanca e ngutshme me princat e Europës. Prania e trupave të tyre në kështjellat shqiptare ishte një dukuri e kohës. Historiografia komuniste u përpoq më vonë ta linte në hije këtë prani, me përjashtim të rasteve kur s’fshihej dot, si ai i qindra ushtarëve italianë të vrarë në betejën e Beratit. Skënderbeu e bëri Europën aq të rrokshme sa që, për të dhënë vetëm një shembull, s’përbënte ndonjë habi që ajo niste te kështjella e Lezhës, vetëm disa kilometra larg kryeqendrës shqiptare të Krujës. Aksioni i nisur prej Kastriotit, u thye më pas, por jo ideja e tij. Këtë e kuptuan shqiptarët për fat të keq, e kuptuan gjithashtu kundërshtarët e tyre, por në kah të mbrapshtë, si një mënyrë e vetme për të pasur një Ballkan e një Europë juglindore pa shqiptarë.
Pa u zgjatur në dramën e dëbimit të një populli, mund të thuhet se pas përdorimit të armëve e të shpërnguljeve, shkurt, pasi u provua gjithçka për heqjen e shqiptarëve prej Europës, mbeti vetëm karta e fundit: heqja e Europës prej shqiptarëve. Ky akt i errët nisi me ndalimin e gjuhës shqipe, një nga krimet më të rralla dhe më mizore në historinë e botës. Shteti osman s’ka kërkuar asnjëherë ndjesë për këtë krim. Përkundrazi, po të shfletohet shtypi turk i fillimit të shekullit XX, do gjendet jehona e ashpër kundër “pabesisë së shqiptarëve”, të cilët, duke qenë ende shtetas të kësaj perandorie, kur erdhi puna tek alfabeti i gjuhës shqipe, pas lejimit të saj, duke e sfiduar perandorinë, zgjodhën alfabetin latin. S’mund të thuhej se shqiptarët, në raste të ndryshme, kishin bërë gjithmonë zgjedhjen më të mirë. Ata kishin bërë gabime, si gjithë ballkanasit, si popujt e tjerë të kontinentit. Por, me mbrojtjen kryeneçe të gjuhës shqipe, si shenjën e parë të kombit, ata e shpallën atë si një urdhër të epërm. Mbi të u bazua toleranca shekullore fetare, një nga vlerat që i bënte nder përpara Europës dhe botës. Shqiptarët i ruajtën shenjat bazike të qytetërimit europian natyrshëm, ngaqë për mirë apo për keq, i përkisnin atij universi. Sipas një shpalimi të cekët dhe me ngjyrim romantikopatriotik, gjendja e palakmueshme e femrës në botën shqiptare, është shpjeguar më së shumti si ndikim osman.
Për të qenë të drejtë duhet të pranojmë se kjo klishe nuk është e saktë. Qëndrimi ndaj grave ka qenë dhe vazhdon të mbetet një nga keqkuptimet më të mëdha të krejt njerëzimit, duke përfshirë edhe qytetërimin europian. Ndonëse ndodhet në zonën më të emancipuar të botës, Europa gjithashtu ka borxhet e saj ndaj kësaj drame. Borxhi shqiptar është, në radhë të parë, pjesë e tij. Ndërsa sprapsja e ndikimit osman, kur ishte fjala për gjuhën shqipe, ishte e prerë, tek çështja tjetër madhore, ajo e femrës, kjo sprapsje, duke qenë e ndjeshme në thelb, ngjante më pak e bujshme. Femra shqiptare në tërësinë e saj nuk u mbulua. Madje Shqipëria do të ishte, vite më pas, shteti i parë i Europës që, qysh në vitet ‘30, që do të ndalonte shaminë, me dekret shtetëror. Sfida të tjera, siç ishte sublimimi pa asnjë kufi, i bukurisë femërore, qysh në mesjetën e vonë (portretizimi i famshëm i femrës shqiptare prej Pjetër Bogdanit “veshur me diell, mbathur me hanë”, për të dhënë vetëm një shembull, do ta vërtetonte këtë. Kundërthënia midis sublimimit në art dhe shpërfilljes në jetë, është një tipar i hershëm shqiptar dhe kontinental. Ndërgjegjësimi për këtë është i rëndësishëm sepse kur një popull ose një kontinent i tërë, merr përgjegjësinë për mangësitë e veta, pikërisht tek kjo përgjegjësi gjendet edhe shpresa për kapërcimin e së keqes.
Libri që kemi përpara shtjellon një nga dosjet më delikate të të gjitha kohëve: gratë vrasëse, ose më saktë, gratë që kanë vrarë. Ato janë si të tjerat, të reja, ose jo, nëna, motra, dashnore, bashkëshorte. Vetë ky kushtëzim bart me vete rrezikun e moskuptimit, të sentimentalizmit e të rënies në moralizim. Autorja ia ka dalë t’i shmanget kësaj. Ajo nuk merr as qëndrimin e një gjykatëse e as të një avokateje. Nuk fajëson, as përligj. Drama e këtyre grave i kapërcen kufijtë e çdo seance gjyqësore. Duam apo s’duam, ato bëjnë pjesë në kalendarin dhe në trazimin tonë të përbashkët. Dhe përtej tyre, në shpresën për t’i kapërcyer ato.
* Kjo është parathënia që shkrimtari i njohur ka shkruar për librin “Unë kam vrarë”, të gazetares Eni Vasili