Me 55 mjekë dhe infermierë të vdekur si pasojë e komplikacioneve nga koronavirusi, komuniteti i mjekëve në Shqipëri po ngre pikëpyetje të reja nëse mbrojtja e personelit ishte e mjaftueshme dhe nëse fatalitetet mund të parandaloheshin.
BIRN
Në repartin e Neurologjisë në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza”, zyra e mjekut Drini Dobi qëndron e paprekur prej muajsh. Një kordele e zezë është vendosur në shenjë zie në krye të derës, ndërsa poshtë saj qëndrojnë dedikime të printuara kolegësh.
Drini Dobi –doktor shkencash në Neurologji, u infektua nga virusi SARS- CoV-2 në nëntor 2020 dhe u kurua fillimisht në spitalin Infektiv në Tiranë. Por gjendja e tij u rëndua dhe pas një fushate për mbledhje fondesh online, ai u transferua në Itali për trajtim të specializuar.
Beteja e mjekut 51-vjeçar me COVID-19 u ndoq me ankth nga familjarët, pacientët dhe kolegët e tij në Shqipëri dhe diasporë, por ai nuk mundi t’i mbijetonte sëmundjes.
Doktor Drini Dobi është vetëm një nga mjekët që Shqipëria humbi në vijën e parë të frontit.
Të dhënat e siguruara nga Urdhri i Mjekëve dhe ai i Infermierëve tregojnë se komuniteti i vogël i punonjësve shëndetësorë në Shqipëri është ndër më të goditurit nga pandemia e COVID-19 mes vendeve të Ballkanit.
Që prej shpërthimi të pandemisë një vit më parë, 2227 persona humbën jetën si pasojë e komplikacioneve nga virusi SARS-CoV-2. Mes viktimave janë edhe 55 mjekë dhe infermierë –ose gati 2.4% e numrit total të fataliteteve.
Sipas Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, 30 mjekë humbën jetën gjatë vitit 2020 dhe 16 të tjerë në valën e dytë të pandemisë mes janarit dhe marsit 2021. Ndërsa Urdhri i Infermierëve raporton për 9 infermierë të vdekur të moshave nga 29 vjeç në 63 vjeç prej fillimit të pandemisë.
Ndonëse shifrat janë të pjesshme dhe jozyrtare, ato tregojnë se pandemia vrau gati 0.31% të personelit shëndetësor prej gati 17 300 vetësh në Shqipëri- ose 2 herë mbi normën e Maqedonisë së Veriut dhe 4 herë mbi atë të Serbisë.
Humbja e mjekëve dhe infermierëve nga pandemia e COVID-19 konsiderohet një goditje e rëndë për sistemin shëndetësor shqiptar, që lëngon prej vitesh nga eksodi dhe mungesa e specialistëve të shëndetit publik. Pikëpyetje të reja janë ngritur gjithashtu nëse masat e marra për mbrojtjen e tyre kanë qenë të mjaftueshme apo nëse disa nga vdekjet mund të parandaloheshin.
“Në Shqipëri nuk u bë kurrë as testimi i mjekëve, ishin apo jo të sëmurë, dhe as testimi i pacientëve që vinin për shtrim,” thotë me keqardhje mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti.
“Punëdhënësi është përgjegjës për të ruajtur shëndetin e tyre në punë dhe nga ky aspekt duhej të ishte bërë më shumë,” shtoi ai.
Ministria e Shëndetësisë nuk iu përgjigj kërkesave të përsëritura mbi numrin e të infektuarve dhe viktimave mes personelit shëndetësor në Shqipëri.
Nën ankthin e infektimit
Sipas Indeksit Global të Sigurisë Shëndetësore 2019, pandemia e gjeti Shqipërinë me nivele të ulëta të burimeve njerëzore dhe personelit shëndetësor –ku numërohen 4677 mjekë (përfshi edhe spitalet private) si dhe 12, 350 infermierë gjithsej.
Me shpërthimin e pandemisë, shumë gjëra ishin të paqarta me përjashtim të faktit se mjekët, infermierët dhe personeli tjetër shëndetësor do të ishin ndër kategoritë më të rrezikuara.
Ndonëse Ministria e Shëndetësisë e përqendroi trajtimin e pacientëve me COVID-19 në Tiranë dhe përmes mjekëve të familjes në distancë, spitalet rajonale dhe ato bashkiake u ekspozuan gjithashtu ndaj mijëra pacientëve të infektuar dhe frikës ndaj infektimit.
Me përjashtime të rralla, numri i punonjësve shëndetësorë të infektuar nuk është raportuar përgjatë një viti të pandemisë. Por me hartimin e planit të vaksinimit në muajin shkurt, Ministria e Shëndetësisë zbuloi se gati 10% e të infektuarve ishin pjesë e personelit shëndetësor.
Emine Ismaili, infermierja 56-vjeçare e spitalit rajonal të Fierit është njëra prej tyre. Ajo kujton se është ndër të parat “bluza të bardha” që u shtrua në spitalin COVID 1 në Tiranë, pas disa muajsh pune me turne të zgjatura dhe me kujdesin maksimal për të mos u infektuar, për shkak se i shoqi është një pacient kronik me diabet.
Kur simptomat e para u shfaqën, Ismaili nuk donte ta besonte se ishte infektuar.
“Nuk e harroj, u përpoqa ta mbaj temperaturën në kontroll… Nuk kisha dyshime, thosha është lodhje. Nuk kisha asnjë mundësi konstatimi, ishim të gjithë në tension pune dhe padije,” thotë ajo.
Ismaili tentoi të vetëkurohej me vitamina intravenoze dhe një skaner i nxorri mushkëritë e saj të pastra. Por situata ndryshoi shpejt brenda pak ditësh dhe kolegët e nisën me urgjencë në drejtim të Tiranës.
Tetë muaj pasi i mbijetoi betejës me COVID-19, Emine Ismaili kujton se sfida më e madhe ishte ajo psikologjike.
“Kjo sëmundje është këtu në kokë,” tha ajo, ndërsa drejtoi gishtin drejtues në një anë të kokës. “Fati im i mirë që im shoq nuk u infektua, se unë nuk do t’ia falja kurrë vetes,” shtoi ajo.
Edhe kirurgu 45-vjeçar, Edlir Shuke përjetoi ditë të vështira në fillim të nëntorit, pasi rezultoi pozitiv me COVID-19. Shuke tregon se u infektua bashkë me 3 kolegë të tjerë ndërsa po operonin një pacient me apendesit akut- që siç rezultoi më pas, ishte gjithashtu i infektuar.
“Kalova ditë të rënda, kur mjekoja veten pas testit pozitiv. Temperaturë, ulje e oksigjenit, të gjitha nga kushtet e spitalit në shtëpi, dhe me shumë mbështetje emocionale nga bashkëshortja,” kujton Shuke, i cili i mbijetoi COVID-19 së bashku me bashkëshorten.
Betejën me COVID-19 ai e kujton të frikshme dhe rraskapitëse.
“Simptoma të paparashikueshme veç temperaturës së dukshme, ngulçeve në frymëmarrje, edhe pse kaq i padukshëm,” e përshkruan ai.
Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero kuroi me qindra pacientë dhe mori një dozë të vaksinës Phizer, përpara se të rezultonte pozitiv me COVID-19 në muajin shkurt. Në një intervistë në zyrën e tij, Pipero tha se e përjetoi me ankth infektimin dhe sëmundjen.
“Duke qenë se jemi shumë të ekspozuar, duke prekur shumë pacientë dhe duke ditur më shumë për sëmundjen, ne si mjekë e përjetojmë më keq,” tha Pipero, duke shtuar “unë vetë e kam përjetuar keq”.
Pipero theksoi se pandemia i ka vendosur bluzat e bardha nën një presion të jashtëzakonshëm përgjatë një viti –në situata të shoqëruara shpeshherë me tension, ankth dhe frikë.
“Është e vështirë të mjekosh veten, po më e vështirë është të jesh mjeku i fëmijës tënd të prekur nga virusi. Janë emocione shumë të forta të luftosh për jetën në një fushë të padukshme,” shtoi ai.
Drejtoresha e spitalit të Fierit, Nevila Doko Shuke mendon se personeli shëndetësor është më i rrezikuari, pavarësisht mbrojtjes së ofruar nga masat e ndërmarra. Ajo e konsideron testimin si një armë të fortë në mbrojtjen e “bluzave të bardha”.
“Marrja e tamponit të shpejtë tani e rrit më shumë sigurinë e personelit mjekësor,” shtoi ajo.
Humbje të pazëvendësueshme
Në qytetin e Vlorës në jug të Shqipërisë, mjeku gjinekolog Harilla Thanasko e ndoqi me ankth betejën e kolegut të tij, Leonard Kamberi dhe fundin e saj të dhimbshëm më 7 dhjetor 2020.
Mjeku obstetër gjinekolog, Leonard Kamberi humbi jetën në moshën 47-vjeçare si pasojë e komplikacioneve nga COVID-19 dhe pak orë më vonë erdhi në jetë vajza e tij e shumëpritur, Aurora.
“Ai nuk e pa dot vajzën. E panjohura e mori dhe pak kohë më vonë erdhi në jetë vogëlushja e tij,” tregon me trishtim doktor Thanasko.
Leonard Kamberi ishte më i vogli i një familjeje me pesë fëmijë nga Narta, i diplomuar shkëlqyeshëm në La Sapienza dhe me përvojë profesionale në spitalin e Breshias. Ai u kthye në Shqipëri në vitin 2015, ku punoi si gjinekolog dhe akademik në universitetin “Ismail Qemali” në Vlorë.
“Mjeku Leonard Kamberi ishte një koleg dhe shok i jashtëzakonshëm,” thotë Thanasko, ndërsa kujton se shpresuan deri në fund se ai do ta fitonte betejën me COVID-in.
Edhe mjeku Altin Cekodhima, i afërm i doktor Leonardit e kujton atë si natyrë optimiste deri në çastet e fundit, kur terapinë ia drejtonin në distancë kolegët e tij në Itali.
“Ai u mund nga virusi,” thotë Cekodhima, i cili pasi kujton mjekët Bledi Nini, Drini Dobi dhe Gerond Husi, shton: “duket se Perëndia zgjodhi më të mirët”.
Për mjekët dhe kolegët e tyre, Shqipëria humbi nga pandemia asete të pazëvendësueshme në mjekësi, të cilët krijuan vlera në fushat e tyre si dhe në marrëdhëniet me pacientët.
“Puna e tyre e papërtuar ka shpëtuar qindra jetë dhe nuk mundën dot t’ia dilnin, pasi virusi në trupa të ndryshëm ka reagime të pallogaritshme,” shtoi Cekodhima.
Mes komunitetit të mjekëve, vdekja e parë u shënua më 30 qershor 2020 me pedagogun e Fakultetit të Mjekësisë, Arjan Pushi, i cili e humbi betejën me COVID-19 në moshën 58-vjeçare.
Për kryetarin e Urdhrit të Mjekëve, Fatmir Brahimaj, kjo fatkeqësi krijoi pikën e parë të bashkëpunimit për përballimin e kësaj beteje përmes informimit të publikut, por edhe vetë komunitetit të mjekëve.
“Të gjithë u ndanë nga jeta në krye të detyrës, ashtu të heshtur dhe plot sakrifica,” thotë Brahimaj. “Në tunelin e errët të frikës nga pandemia, mjekët u bënë drita,” shtoi ai.
Mjeku Ilir Alimehmeti –një ndër zërat më të moderuar gjatë pandemisë tha se kishte humbur miq dhe profesorë nga COVID-19, por edhe kolegë, që ndonëse nuk i njihte personalisht, i lidhte puna e përbashkët.
“Të kesh një ekspozim kaq të madh, rreziku është çështje kohe…,” tha Alimehmeti. “Ne pamë mosha më të reja nga mjekët edhe pse të shëndetshëm, disa morën doza virale më të larta në ato spitale ku punojnë, pasi është profesioni më i ekspozuar ndaj kësaj sëmundjeje,” shtoi ai.
Për mjekun Pëllumb Pipero, dhimbja për humbjen e kolegëve shumëfishohet edhe nga fakti se kontributi i tyre nuk mund të zëvendësohet.
“Tashmë kemi kolegë të tjerë që po luftojnë me vdekjen,” tha Pipero. “Duke qenë se jemi të ekspozuar, mundësia për ta kaluar rëndë është më e madhe,” shtoi ai.
Një sëmundje profesionale?
Ndërsa pandemia e COVID-19 ka shkaktuar vdekje në krye të detyrës mes punonjësve shëndetësorë në të gjithë botën, një diskutim i ri është hapur për përfshirjen e koronavirusit në listën e sëmundjeve profesionale.
Sipas kryetarit të Urdhrit të Mjekëve, Fatmir Brahimaj, një debat i tillë po diskutohet sot edhe në Organizatën Botërore të Shëndetësisë.
“Duhet ndërmarrë një nismë për të vlerësuar kontributin e mjekëve të ndarë nga jeta në krye të detyrës, si pasojë e COVID-19,” sugjeron Brahimaj.
Ideja e tij gjen mbështetje mes mjekëve të tjerë në Shqipëri.
Sipas mjekut epidemiolog, Ilir Alimehmeti, çdo sëmundje infektive është një sëmundje profesionale për mjekët dhe personelin tjetër shëndetësor, të cilët janë të rrezikuar për shkak të punës së tyre.
Alimehmeti është kritik me diferencat në shpërndarjen e pajisjeve speciale mbrojtëse mes spitaleve COVID dhe qendrave të tjera shëndetësore, ndërsa thekson se disa prej vdekjeve mund të parandaloheshin, sidomos ato ku personeli mjekësor nuk kishte lidhje direkte me trajtimin e virusit.
“Është shteti që duhet ta ofrojë mbështetjen për mjekët si për familjet e policëve, duhet të jetë një status i veçantë shoqëror, se humbën jetën në krye të detyrës,” thotë Alimehmeti. “Eshtë një obligim që duhet të kalohet dhe të familja për mjekët që humbën jetën,”shtoi ai.
Për mjekun infeksionist, Pëllumb Pipero, beteja me pandeminë do të jetë e gjatë, ndonëse ai thekson se tashmë ka më shumë dritë në fund të tunelit. Megjithatë, Pipero bën thirrje që qeveria e sotme apo ajo e nesërme të mos i lërë mjekët në harresë.
“Të mos mungojë suporti për të gjithë ata që humbën njerëzit e dashur dhe janë në vështirësi, e në veçanti të mos harrohen mjekët. Ndoshta do të duhet mbështetje me akte ligjore për mjekët dhe qytetarët, që humbën shtyllat e familjes,” përfundoi Pipero.