Sulmet e PD-së për ish-ministrin e Arsimit, Kastriot Islami, i cili akuzohej se kishte mbyllur shkollat në fillim të vitit 1991. Si e mbrojtën Adil Çarçani e Shane Korbeci. Pse Agolli pranohej më shumë nga PD si kandidaturë për kryetar të Parlamentit të parë pluralist. Pjesë nga debati në seancën e dytë parlamentare të 17 prillit 1991
U zgjodh deputet i Partisë së Punës së Shqipërisë në Parlamentin e parë pluralist, por gëzonte respekt edhe në radhët e deputetëve të Partisë Demokratike. Ishte shkrimtari Dritëro Agolli, i cili u propozua nga Partia Demokratike për kryetar të Kuvendit të Shqipërisë në seancën dytë parlamentare më 17 prill 1991.
Duke qënë se deputetët e PD-së nuk mund të zgjidhnin një kandidaturë të tyren për kryetar të Kuvendit të Shqipërisë, pasi ishin vetëm 78 deputet përkundrejt 169 të PPSH-së vendosën të mbështesin kandidaturën e Dritëro Agollit. Ndërkohë që PPSH e kishte propozuar Kastriot Islamin si kandidaturë për kryetar të Kuvendit të Shqipërisë. Kandidatura e Islamit hasi në kundërshtime të opozitës, pasi si ministër i Arsimit kishte marrë një vendim me peshë gjatë protestave studnetore duke ndërprerë mësimin, me qëllim ndaljen e protestave kundër sistemit komunist. Në këtë pikë u përqëndruan gjithë kundërshtitë e PD-së. Debati zhvillohej në seancën e dytë parlamentare më 17 prill 1991. Azem Hajdari dhe Arben Imami ishte dy prej deputetëve që kundërshtuan kandidaturën e Kastriot Islamit për kryetar Kuvendi. Ja si e argumentuan ata votën kundër Islamit:
Azem Hajdari – Me leje, Azem Hajdari, i rrethit të Shkodrës. Unë kam një vërejtje për Kryetarin, që propozohet nga grupi i deputetëve, Kastriot Islami. Nuk e quaj të arsyeshme, të më fali zotëria, që Kastriot Islami të kryesojë Kryesinë e Kuvendit Popullor. Arsyeja kryesore është mbyllja e shkollës. I vetmi Ministër Arsimi që del në pension sapo merr detyrën. Universiteti i Tiranës e dimë si është katandisur. Jemi studentë, në rrugë, pa kushte, luftuam për pluralizmin, luftuam për lirshmëri, na hodhën në rrugë dhe vitin tjetër Universiteti i Tiranës, zoti Çarçani, mund të fillojë vetëm me vitet e para, sepse vitet e tjera po na i braktisin nga mungesa e shkollës. Për këtë arsye unë nuk e quaj të arsyeshme. Jam dakord të jetë çdo lloj deputeti tjetër, por jo irritues, përveçse Kastriot Islami. Të më falni zotëri.
Arben Imami – Me leje, Arben Imami, deputet i rrethit të Tiranës. Mendoj që figura e zotit Islami, si shkencëtar, si pedagog mund të jetë një figurë me një reputacion shumë të mirë, me një pozitive nga kushdo. Por për veprimin e parë në arenën politike të zotit Islami, siç ishte mbyllja e universitetit, mbyllja e shkollës, e asaj shkolle për hapjen e së cilës kanë derdhur gjak shqiptarët, mua më duket se është një veprim i pamenduar, mirë paraqitja e kandidaturës së tij.
Në kohën kur po diskutohej kandidatura e Islamit, ku Shane Korbeci, ish-ministrër në qeverinë e fundit komuniste dhe ish-kryeministri I kësaj qeverie, Adil çarçani, e mbronin Islamin, deputetja e Partisë Demokratike, Natasha Lako propozoi një tjetër emër nga Partia e Punës së Shqipërisë si kandidat më konsensual për kryetar I Kuvendit. Ishte shkrimtari dritëro Agolli. Ai gëzonte respektin e deputetëve të Partisë demokratike edhe pse ishte në partinë kundërshtare. Ja si e argumentuan deputetët e PD-së mbështetjen e tyre për Agollin.
Natasha Lako – Natasha Lako, deputete e Korçës. Unë kam një propozim në emër të disa deputetëve, 12 deputetëve këtu, me respekt për çdo deputet që është këtu. Dritëro Agolli mund të jetë i përshtatshëm për kryetar Kuvendi. Të lexoj unë emrat, meqë m’u kërkua; është e nevojshme, apo jo?
Skënder Dika – Ne jemi të ndërgjegjshëm që jemi pakica në Kuvend dhe nuk pretendojmë që të rrëzojmë një kandidaturë që propozon Partia e Punës dhe të vëmë një tjetër. Unë jam ndër të paktët krijues, jam pishtar, quhem Skënder Dika, deputet i Shijakut, dhe pajtohem me kërkesën e mëparshme për zotin Dritëro Agolli, duke analizuar mbi bazën e reputacionit të gjerë që ka ai, si kombëtar dhe ndërkombëtar. Ne të gjithë jemi shqiptarë, pjesëtarë të këtij kombi, i njohim mirë, si njërin ashtu dhe tjetrin; nuk duhet marrë fare në analizë se kush është shoku i propozuar më parë, por kur i krahasoj këta të dy, është në nderin e gjithë Parlamentit, pa parë interesat e një partie, që në krye të Kryesisë të këtij Parlamenti të parë pluralist shqiptar të jetë një personalitet i tillë i rangut si Dritëro Agolli.
Adil Çarçani – Deputetët e Grupit të Partisë së Punës nuk e morën fjalën, nuk e ulën figurën, por e ngritën. Nuk thonë që Kastriot Islami është një figurë…, e vlerësuan figurën e tij. Vunë në dukje vetëm kritika që i bëjnë atij lidhur me vendimin që, siç u shpjegua, ishte kolegjial me të tjera institucione arsimore. Vetëm për këtë, të ulësh figurën e një njeriu që i dha besimin populli dhe të krijosh dyshimin se nuk është në gjendje të kryejë një funksion që jeta do ta tregojë. Sigurinë e japin ata që e paraqitën dhe diskutuan që ai është në gjendje ta kryejë këtë funksion. Ajo që thoni ju, akti i mbylljes së shkollave, do të diskutohet më vonë në këtë Kuvend sa i drejtë ka qenë.
Shane Korbeci – Shane Korbeci, deputet i rrethit të Tiranës. Së pari, për propozimin që bëri Leontiev Çuçi, në emër të disa deputetëve unë e mbështes, se te shoku Kastriot për këtë periudhë, kaq kohë sa kam që njihem me të në Qeverinë e Punës, kam krijuar përshtypjet më të mira për të, jo vetëm për aftësitë e mira që u përmendën këtu nga deputetë të tjerë, qofshin ato teknike apo shkencore, po dhe si një kuadër i përgatitur që do të dijë me dinjitet e personalitet të drejtojë këtë Kuvend pluralist.
Së dyti, mendimi im është që këtu u hodhën dy propozime. Propozimi i parë nga Leontiev Çuçi, u bë dhe një propozim nga një grup tjetër. Unë do të thosha që ne do të hedhim njëherë propozimin e shokut Leontiev e pastaj propozimin tjetër. Ta votojmë; mendoj që argumentet apo diskutimet mund të bëhen; secili ka të drejtë. Ne duhet ta hedhim në votë këtë propozim se ne miratuam dhe rregulloren që do të bëhet me votim të hapur.
Deputetët e PD-së kërkuan që dy kandidaturat Agolli e Islami të hidhëshin në votim dhe procesi të kryhej me votë të fshehtë. Por këtë mënyrë e kundërshtuan fort deputetët e PPSH-së, të cilët kërkuan hedhjen në votim të propozimit të parë, kandidaturën e Kastriot Islamit dhe votimi të kryhej i hapur. Dhe kështu ndodhi.
Pas një debate të gjatë për mënyrën e votimit, Kastriot Islami u zgjodh kryetar i Kuvendit me votat e deputetëve të PPSH-së.