Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Të qeverisësh sondazhet

Nga Media 0

Nga Gentian Gaba

Ajo e mbrëmshmja ishte një dalje televizive e mbrothtë për Edi Ramën. Ndryshe nga pak javë më parë, ku kishte përdorur çdo qelizë të qenies së tij për të hedhur poshtë pyetjet dhe komentet e gazetarëve, vaktësia e debatit e bëri të dukej si një anije në erë të mbarë. Në dy orë arriti të mos fliste për asgjë serioze. Anashkaloi tema si përgjimet e Dakos dhe “dorëheqjen” e Xhafaj, duke arritur klimaksin me tentativën për të rehabilituar figurën e Saimir Tahirit, me një mohim në “prime time” të viteve të arta të kanabisit, 2015-2016.

Po me të njëjtën siguri mohoi edhe plagën e shitblerjes së votave, e cila është faktuar jo vetëm nga OSBE, por edhe nga një studim i BE-së, sipas të cilit 20% e votave në zgjedhjet e shkuara kishin qenë objekt pazari. Për Kryministrin 74 mandatet nuk ishin rezultat i këtyre fenomeneve, por i fuqisë së partisë së tij, e cila sipas sondazheve që ka kryer, nëse do të votohej sot, do të fitonte e vetme 78 deputetë. Shifra, sigurisht ngjall shumë pikëpyetje, pasi një shpërblim i tillë zgjedhor do të thyente çdo lloj parashikimi racional apo analize politike.

Megjithatë, pa qëmtuar gjynahet e një qeverie që sipas Kryeministrit nuk konsumohet kurrë, pikëpyetja e madhe që lind nga pasioni i Ramës për sondimin e opinionit është: A mund të qeveriset me sondazhe? Sigurisht sondazhet janë pjesë e mënyrës me të cilën politikanët njihen me humorin e opinionit publik, pasi tashmë fushatat elektorale janë të përhershme. Megjithatë, nga çka Rama deklaron, dhe gjithë ushtria e përpunuesve të konsensusit që ai ka në shërbim konfirmon në tavolinat kryeqytetase, ku kryqëzohen fatet e atyre që punojnë në këtë fushë, jemi përballë një ankthi zgjedhor që tejkalon vullnetin për të qeverisur.

Pra, nuk bëhet fjalë për sondazhe nëpërmjet të cilave njihen dhe analizohen dinamikat e shoqërisë shqiptare, por për hulumtime mbi të cilat bazohet vendimmarrja dhe artikulimi publik i Kryeministrit. Një qeveri e opinionit me tipare populiste, e cila e bazon mbijetesën, aty ku nuk ndërhyn dot “Niçja”, mbi zgjidhje dritëshkurtra që ngopin oreksin ditor të elektoratit. Pasi opinioni që matet çdo ditë, shpërblehet çdo ditë me populizmin që lyp. Kurse tema me interes kombëtar si borxhi publik, investimet e huaja apo largimi i shqiptarëve, zgjidhja e cilave ka nevojë për guxim politik, janë thjesht psalmi luftarak i qershoreve të fushatave elektorale. Megjithatë, sondazhet nuk yshtin vetëm frikën për ankthet e përditshme të Kryeministrit, por kanë edhe një dimension ndoshta më të rëndësishëm. Kur Rama shfaqet fituesi i zgjedhjeve që ende duhen mbajtur, përdorimi i sondazheve që askush nuk ka parë, por që ai zbulon në emisione televizive, nuk shërbejnë si mjet për t’u njohur me atë çka elektorati mendon, por si një tjetër instrument i komunikimit politik.

Sondazhet janë mjete jo perfekte, sikurse mund të dëshmojnë edhe zgjedhjet në shtete më demokratike se i yni, të cilat shpesh herë dështojnë në matjen e opinionit. Prandaj, në këtë rast, përdoren për ta ndërtuar atë, sidomos me mbështetjen e mediave që ka në dispozicion. Artikulimi mbi një fitore të qartë, sipas sondazheve, kërkon të krijojë te qytetarët një ‘efekt zinxhir’ që quhet bandwagon; që nënkupton ‘hipjen në karrocën e fitimtarit’. Është një fenomen i njohur në shkencat politike, sipas të cilit elektorati, kryesisht ai gri apo të pavendosurit, rreshtohen më lehtë pas asaj partie, apo politikani, që në dukje ka një epërsi në opinionin publik. Sipas kësaj strategjie, nuk ka aspak rëndësi sa reale janë sondazhet e Ramës, mjafton që mediat të përcjellin këtë mesazh në opinionin publik, pa asnjë dyshim apo sondim autonom të elektoratit. Gjë që ato po bëjnë shumë mirë, madje prej kohësh.

Përballë kësaj situate, Rama nuk ka përse të shqetësohet për qeverisjen e vendit; i mjafton të qeverisë sondazhet.

http://politiko.al/te-qeverisesh-sondazhet/?fbclid=IwAR10zGoixap9Ihem04xjf_Eu3T6T1ePrhEX2cogWr5M-LzVihZUVDc-_cuA

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithsej