Ka than' i moçmi: 

Nuk mund të punojmë për vendin tonë, po nuk patëm një dashuri për çdo cep të Shqipërisë."

                                                                                                 - Mit'hat Frashëri

Manastiri “kërthiza” e gjuhës zyrtare shqipe, Shqipëria i ka “borxh” konsullatën

Nga Media 0

Nëse ka një qytet më të rëndësishëm për shqiptarët ky është Manastiri. Aty është themeli i gjithçkaje shqiptare. Aty nisën proceset e mëdha shqiptare, u zhvilluan, aty ishte shpirti i kulturës, alfabetit shqiptarë, i rrënjëve shqiptare. Por fatkeqësisht ai vend është sllavizuar tashmë. Ai vend i rëndësishëm për shqiptarët jeton si i thonë me “grahmat” e fundit. Shtëpia e Alfabetit i ngjan një vendi horror, të harruar dhe të abuzuar. Kjo është e patolerueshme. Ai është një qytet që nuk i përketë politikës, por shqiptarëve. Në Manastir ka 17 konsullata, ruse, serbe, kroate, greke, izraelite etj., vetëm Konsullatë të Shqiperisë nuk ka.

“Shpesh shtëpia e alfabetit ka qenë cak sulmesh qyqare që përmes këtij ataku ata tregonin  dhe nxirrnin vrerin e urrejtjen kundër historisë, gjuhës dhe traditës shqiptare aty. Fatmirësisht kanë mbetur disa organizime, qoftë edhe njëherë në vit, vetëm për të ruajtur atë pjesë të mbetur kombëtare në atë qytet.Kjo traditë duhet vazhduar, por edhe Shqipëria nuk duhet të qëndrojë indiferente ndaj Manastirit. Duket sikur ata e kanë hequr nga memoria atë vend të shenjtë të shqiptarisë. Shqipëria duhet të hapë një konsullatë  të saj në atë qytet shqiptar një ditë e më herët  dhe duhen shfrytëzuar gjithë potencialet që Manastirin tonë duhet t’ua ngulisim gjithë brezave tjerë që vijnë  sepse po e heshëm atë, po e lamë në dorë të tjerëve, atëherë do t’a zhbëjmë gjithë atë mision të rilindasve shqiptarë dhe gjithë atë histori dhe vlerë shqiptare”, thotë Urim Saliu, analist politik.

Edhe pse politika zyrtare e Shqipërisë nuk ka ngritur zërin për këtë çështje intelektuale, opinionistë, gazetarë etj., nga Shqipëria mbështesin idenë për hapjen e Konsullatës së Shqipërisë në Manastir.

I vetëmi politikan i Shqipërisë që këtë çështje e ka aktualizuar në nivel më të lartë politik ka qenë kryetari i Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU), Shpëtim Idirizi i cili që në vitin 2011 ka kërkuar që të hapet Konsullata shqiptare në Manastir.

“Në Manastir ka 17 konsullata, ruse, serbe, kroate, greke, izraelite etj., vetëm Konsullatë të Shqipërisë nuk ka. Manastiri ka qenë qendër e shqiptarisë, efekti do ishte sepse nuk do kishte asimilim kaq të vrullshëm dhe racizmi vendor do zbutej. Pra Konsullata do ishte një vend mbrojtës diplomatik i shqiptarëve etnik”, thekson Arben Llalla, historian.

Nga ana tjetër, kryetarja e Shoqatës Joqeveritare ” 22 Nëntori” nga Manastiri, Sibela Alimovska thotë se ajo në emër të shoqatës që drejton disa herë ka ngritur zërin për këtë çështje por ka hasur në vesh të shurdhër kërkesa e tyre për hapjen e konsullatës së Shqipërisë dhe Kosovës në Manastir.

“Disa herë jemi drejtuar Tiranës dhe Prishtinës zyrtare përmes medias, duke e parë të arsyeshme se lajmi do të arrijë në veshin e pushtetit të Shqipërisë dhe Kosovës me kërkesë që ta gjejnë mënyrën dhe kohën e vërtet që sa më shpejt të ketë një përfaqësi konsullore, shpresa jonë ishte për këtë vit por ja që Ilir Meta nuk e bën këtë punë gjatë viztisë së tij që do t’ia bëjë Manastirit”, thotë Sibela Alimovska, kryetare e Shoqatës Joqeveritare ” 22 Nëntori” nga Manastiri.

Përndryshe, historia shqiptare tregon se në Manastir kanë vepruar intelektualët shqiptar nga familja Qiriazi, Kostiri, Myfti Rexhep Voka, etj. Në Manastir lindi Alfabeti i njësuar i gjuhës shqipe, pra ky qytet historikisht është “kërthiza” e gjuhës zyrtare shqipe. Në Manastir janë botuar edhe shumë vepra shqipe në kohën e pushtimit osman, Manastiri është qyteti i rezistencës kombëtare.

http://zhurnal.mk/content/?id=17112021322270

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej