Ka than' i moçmi: 

"Dy bija të përmallshme, gurë të paçmuar, si hyj po ndritni ju, Kosovë e Çamëri."

- Asdreni

Gënjeshtra e qeverisë; ndalimi i importit të mbetjeve nuk i dëmtoi ricikluesit

Nga Skenderi 0

Nga Gjergj Erebara

Megjithëse qeveria dhe ricikluesit pretendojnë se industria e mbetjeve është në prag të falimentimit për shkak të ndalimit 3 vjeçar të importit, bilancet e kompanive anëtare të Shoqatës së Riciluesve tregojnë se biznesi i tyre është shtuar në volum gjatë viteve të fundit ndërsa asnjëra prej tyre nuk duket se është në vështirësi të mëdha financiare apo në prag falimenti

Ligji i ri që lejon importin e mbetjeve, i miratuar me votat e qeverisë së qendrës së majtë të kryeministrit Edi Rama, është mbështetur në një premisë të thjeshtë, sipas të cilës, ndalimi i importit të materialeve të riciklueshme në vitin 2013, po e çon industrinë e riciklimit drejt falimentimit, duke rrezikuar vendet e punës që ajo ka krijuar dhe mundësinë për të ricikluar mbetjet që prodhohen në vend.

Por ndryshe nga sa pretendon qeveria, të dhënat financiare të industrisë së riciklimit të analizuara nga BIRN, tregojnë që jo vetëm ky sektor nuk është në prag të falimentimit, por madje ai ka regjistruar rritje që nga ndalim i importit të mbetjeve nga jashtë tre vjet më parë.

Bilancet e kompanive anëtare të Shoqatës së Ricikluesve, shoqata që kërkoi ndryshimin e ligjit dhe lejimin e importit të mbetjeve, të publikuara nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, tregojnë se biznesi i tyre ka qenë në rritje përgjatë viteve të fundit pavarësisht bllokimit të importit ndërsa asnjëra prej këtyre kompanive nuk duket se gjendet në prag falimenti.

Njëkohësisht, pretendimi i qeverisë dhe i deputetëve nismëtarë për investime të stërmëdha të kësaj industrie duket se nuk mbështetet nga bilancet zyrtare të këtyre kompanive.

Ligji i importit të mbetjeve kundërshtohet fort nga shoqëria civile dhe grupimet mjedisore, të cilat druhen që me lejimin e importit në vend do të hyjnë mbetje të rrezikshme me ndihmën e organizatave kriminale, që kanë potencialin ta kthejnë Shqipërinë në koshin e plehrave të Europës.

Qeveria i hedh poshtë pretendimet e mjedisorëve dhe aktivistëve, duke nënvizuar se e ka përmirësuar ndjeshëm ligjin dhe kontrollet doganore që nga ndalimi i importit të mbetjeve tre vjet më parë, dhe i sfidon ato që mendojnë ndryshe duke i anatemuar si “sharlatanë.”

Por megjithatë, kur BIRN iu drejtua me pyetje konkrete qeverisë se ku bazohen deklaratat e saj për investime prej qindra miliona eurosh të bëra nga industria e riciklimit dhe përfundimi sa kompanitë përbërëse të sektorit po hasin vështirësi të mëdha financiare, kryeministri Edi Rama nuk u përgjigj.

Kakofonia e shifrave

BIRN analizoi bilancet e pjesës më të madhe të anëtarëve të Shoqatës së Ricikluesve, të renditur në faqen zyrtare të shoqatës ara.org.al dhe grumbulloi të dhënat e tyre financiare për vitet 2010-2015 për të ballafaquar bilancet me pretendimet e qeverisë, e cila ka deklaruar në shumë raste se ligji që lejon importin e mbetjeve është i domosdoshëm për të shpëtuar industrinë e riciklimit nga falimenti.

Relacioni i ligjit “Për disa ndryshime në ligjin nr. 10,465 “për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”, publikuar në faqen zyrtare të Parlamentit, sugjeron se investimet në “industrinë e riciklimit zënë rreth 120 milionë euro” dhe se në këtë sektor janë të punësuar mbi 35 mijë punonjës. (Linkrelacioni).

Asetet e 10 kompanive të riciklimit, bilancet e të cilave u analizuan nga BIRN, tregojnë rritje nga 2.5 miliardë lekë më 2010 në 5.3 miliardë lekë më 2015.

Asetet e 10 kompanive të riciklimit, bilancet e të cilave u analizuan nga BIRN, tregojnë rritje nga 2.5 miliardë lekë më 2010 në 5.3 miliardë lekë më 2015.

Kryeministri Edi Rama shkoi më tutje kur deklaroi në faqen zyrtare të kryeministrisë se në këtë sektor “janë investuar 273 milionë euro” dhe se këtu punësohen 3173 punonjës të siguruar dhe 30 mijë të tjerë të punësuar indirekt.

Deputeti Eduart Shalsi si dhe kryeministri Edi Rama në mënyrë të përsëritur kanë deklaruar se ligji që lejon importin e mbetjeve është masa që shpëton nga falimenti industrinë e riciklimit dhe kanë argumentuar se sipas tyre, kjo industri është vazhdimisht e rrezikuar nga falimenti.

“Ne jemi shumë të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e këtij hapi që ne hodhëm. Do të ishte fatale që të ndodhte ajo që ne filluam të shohim, falimentimi zinxhir i kompanive ose spostimi i tyre në vende të tjera” deklaroi Rama më 26 shtator, ndërsa qytetarët po përgatiteshin për protestë kundër vendimit.

Shoqata e Ricikluesve rendit 16 kompani si anëtare në faqen e saj zyrtare, kompani që përfaqësojnë një numër më të vogël biznesmenësh, të cilët prezantohen në shoqatë me më shumë se një kompani. BIRN gjeti në QKR bilancet e 10 prej këtyre kompanive, përfshirë kompanitë më të mëdha të sektorit, Edipack dhe Everest.

Bilancet e këtyre dhjetë kompanive asetet totale të tyre në vitin 2015 qenë 5.2 miliardë lekë (37,8 milionë euro), e cila është shumë larg shifrës së pretenduar nga kryeministri për investime me vlerë 273 milionë euro e gjithashtu, është shumë larg edhe pretendimit të relacionit të ligjit të mbrojtur nga deputeti Eduart Shalsi për investime në masën 120 milionë euro.

Xhiro në rritje

Të ardhurat e 10 kompanive të riciklimit, bilancet e të cilave u analizuan nga BIRN, tregojnë rritje nga 2.1 miliardë lekë më 2010 në 3.3 miliardë lekë më 2015.

Të ardhurat e 10 kompanive të riciklimit, bilancet e të cilave u analizuan nga BIRN, tregojnë rritje nga 2.1 miliardë lekë më 2010 në 3.3 miliardë lekë më 2015.

Shqipëria vendosi të ndalojë importin e mbetjeve për qëllime riciklimi në tetor 2013, pasi qeveria e re e majtë zbatoi premtimin e saj kryesor elektoral. Qeveria paraardhëse e pati lejuar importin në ligjin e vitit 2011, duke dhënë licenca importi për një numër kompanish. Por pavarësisht se importi i mbetjeve u bllokua në fund të vitit 2013, xhiroja e kompanive që veprojnë në këtë sektor nuk pësoi rënie. Përkundrazi, xhiroja u rrit.

Në vitin 2013, kur importi i mbetjeve qe i lejuar, të dhjetë kompanitë, bilancet e të cilave u gjendën në QKR, kishin një xhiro të përbashkët prej 2,6 miliardë lekësh ndërsa në vitin 2014, kur ndalimi i importit hyri në fuqi, xhiroja u rrit në 2.8 miliardë lekë e në 2015 u rrit më tej në 3.2 miliardë lekë. Në krahasim me vitin 2010, kur xhiroja totale qe 2.1 miliardë lekë, xhiroja është rritur me 54 për qind. Xhiroja totale e tregut ka gjasa të jetë më e madhe se sa kaq për shkak se këtu janë përfshirë vetëm 10 kompanitë kryesore.

Lejimi i importit më 2011 dhe ndalimi i tij më 2013 nuk duket të ketë shkaktuar as ndonjë rritje dhe as ndonjë ulje të jashtëzakonshme në xhiron e këtij sektori. Fitimet neto të deklaruara nga kompanitë e analizuara kanë qenë të luhatshme, nga 77.9 milionë lekë në vitin 2010 në 30.1 milionë lekë më 2015 ndërsa shënuan kulmin në vitin 2012 me 172.5 milionë lekë.

Edipack, kompania kryesore e sektorit të riciklimit, e cila prodhon ambalazhe kartoni, e rriti xhiron e vet në mënyrë konstante nga 158 milionë lekë në vitin 2010, në 376.1 milionë lekë në vitin 2015. Kompania tjetër kryesore, Everest IE, të cilën kryeministri e vizitoi me pompozitet, e rriti xhiron e vet nga 183 milionë lekë më 2010, në 346.9 milionë lekë më 2015.

Mes kompanive të tjera, nga një numër të vogël që kanë shënuar humbje në raste të ndryshme por bilancet nuk tregojnë ndonjë shenjë se ndalimi i importit të mbetjeve më 2013 ka shkaktuar ndonjë deformim të madh në tregun e riciklimit.

Fitimet e 10 kompanive të riciklimit, bilancet e të cilave u analizuan nga BIRN, tregojnë luhatje, por asnjëra prej tyre nuk shfaqet me humbje të mëdha apo e rrezikuar nga falimenti.

Fitimet e 10 kompanive të riciklimit, bilancet e të cilave u analizuan nga BIRN, tregojnë luhatje, por asnjëra prej tyre nuk shfaqet me humbje të mëdha apo e rrezikuar nga falimenti.

Ekonomiksi i mbetjeve

Pjesa dërrmuese e plehrave apo mbeturinave që prodhon Shqipëria aktualisht përfundojnë në landfille, digjen në qiell të hapur apo hidhen ku të munden pavarësisht nëse janë të rekuperueshme ose jo.

Statistikat mbi mbetjet e prodhuara, ato të hequra apo të ricikluara janë të dyshimta. Instituti i Statistikave prodhon raporte vjetore të bazuara mbi të dhënat e furnizuara mbi bazën e një anketimi, por të dhënat nuk janë tërësisht të besueshme.

Sipas këtyre të dhënave, prodhimi i mbetjeve tipike familjare për frymë gjatë vitit 2015 qe plot 396 kilogramë. Problemi është se në të gjithë vendin, nuk është e qartë se si prodhohen këto statistika e si peshohen mbetjet. Në shumë landfille nuk ka peshore dhe ekspertë me të cilët foli BIRN, thanë në kushtet e anonimatit se ka arsye për të dyshuar që mungesa e peshoreve nëpër landfille shërben për të mos matur siç duhet peshën reale të mbetjeve të hequra nga kompanitë e kontraktuara për këtë shërbim nga bashkitë.

Aktualisht Shqipëria riciklon vetëm një pjesë të mbetjeve me vlerë të konsiderueshme tregtare, të cilat janë plastikat e llojeve të ndryshme dhe metalet. Ricikluesit e varfër, përgjithësisht nga komuniteti rom, paguhen 30 deri në 40 lekë për çdo kilogram plastikë ose hekur ndërsa letra paguhet shumë më lirë, në masën 8-10 lekë për kilogram dhe rrjedhimisht, është më pak e ricikluar.

INSTAT vlerëson se nga mbetjet që prodhon Shqipëria, ricikloi 25 për qind në vitin 2015, 22 për qind në vitin 2014 dhe 24 për qind në vitin 2013. Në rast se do të lejohen të importojnë mbetje të riciklueshme si lëndë e parë nga jashtë, leverdishmëria e kompanive të riciklimit për të grumbulluar mbetjet që Shqipëria prodhon sakaq do të varet nga çmimet me të cilat kjo industri do të mund të blejë mbetjet në vende të tjera si dhe nga kostoja e transportit.

Qelqi, një mbetje që zë një pjesë shumë të madhe të volumit total të mbetjeve, aktualisht nuk riciklohet për shkak se Shqipëria nuk ka fabrikë qelqi ndërsa çmimi i importit është shumë i ulët. Mbetje të tjera si pajisjet elektronike apo bateritë thjeshtë përfundojnë në landfill.

Aktualisht, mbi 40 për qind e popullsisë së Shqipërisë nuk shërbehet me shërbimin e heqjes së mbeturinave. Qeveria nuk ka shprehur ndonjë shqetësim dhe as ndonjë plan për të ndryshuar këtë realitet.

/Reporter.al/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

gjithsej