Ka than' i moçmi: 

"Populli nuk e pëson duke qenë i ditur."

- Pjetër Bogdani  

Efekti vetting: Ngritja e shpejtë e SPAK dhe FBI-së shqiptare, prangat VIP nga janari

Nga Ejona 0

Gjykata Kushtetuse tashmë e mori vendimin e saj për vetting-un; dhe është marrë vesh kush ka votuar pro dhe kush kundër.

Vetëm dy anëtarë të saj, Gani Dizdari dhe Vladimir Kristo kanë votuar kundër ligjit të vetting-ut duke kërkuar rrëzimin e tërësishëm të tij.

Dhe siç dihet, këta janë dy zyrtarë me lidhje të forta me PD-në.

Gani Dizdari, ka ardhur në majën e drejtësisë nga Tropoja, si një prurje klasike e PD-së, e cila e ka pas emëruar edhe në kupolën e Prokurorisë së Përgjithshme, ku punoi derisa doli privat si avokat. U emërua në Kushtetuese në vitin 2011 në kulmin e Berishës.

Ndërkaq, Vladimir Kristo ka patur që në “agim” të karrierës së vetë një lidhje të fortë me qeverisjen e PD-së, pasi ka qenë zëvendësministri i Drejtësisë i kabinetit të parë të drejtuar nga Aleksandër Meksi në 1992-shin, por pas largimit të Fehmi Abdiut u emërua si kryetar i Gjykatës Kushtetues, natyrisht pas fitores së PD-së. Aq lidhje të fortë ka Kristo me Berishën, sa kur doktori ishte President e emëroi atë si kryetar i KQZ-së për referendumin e Projekt-Kushtetutës së vitit 1994 që humbi fuqishëm në popull.

Por tani që u miratua vetting-u ç’ndodh?!

Institucionet e reja të drejtësisë sërish janë peng i Kushtetueses, pasi PD dërgoi dje një ligj tjetër të reformës, siç është ai i qeverisjes së organeve të drejtësisë, ku hyjnë Këshilli i lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i lartë i Gjyqësorit.

Dhe këto institucione pritet të ngrihen dalë ngadalë.

Por, vetting-u është kaq i rëndësishëm, pasi nga ai varet ngritja e dy institucioneve të reja që janë gati tashmë: Byroja Federale e Hetimit dhe Prokuroria Speciale.

Menjëherë pritet që Grupi Monitorues Ndërkombëtar që përbëhet nga Euralius dhe Obdat, pra SHBA dhe BE, të nisin hetimin e pasurisë dhe moralit të kandidatëve për agjentë të FBI-së shqiptare dhe të SPAK.

Kandidatët janë marrë me kohë dhe në Tiranë kanë mbërritur dy prokurorë amerikanë, një agjent i FBI-së amerikane dhe dy prokurorë nga Kroacia dhe Rumania, të cilët do të nisin përzgjedhjen e emrave të këtyre institucioneve.

Fiks dy javë më përpara, ambasadori amerikan Donald Lu ka lajmëruar ardhjen në Tiranë të një prokurori federal dhe agjenti të FBI-së, të cilët do të ndjekin ngushtë ngritjen e Prokurorisë Speciale dhe Byrosë Federale të Hetimet.

Ata janë Marc Chutkow dhe Robert F. Beeckman, të dy me një profil të qartë dhe përvojë në operacionet antikorrupsion.

Marc Chutkow ka qenë shef i sektorit kriminal në Prokurorinë e Michigan-it në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në një periudhë të gjatë kohe ka shërbyer dhe si Shef i Sektorit Antikorrupsion.

Ai ka ndjekur më shumë se 30 raste të nivelit të lartë të korrupsionit, kryesisht në Bashkinë e Detroit, duke përfshirë dhe ish-kryetarin e atyshëm edhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Ai ka punuar edhe si prokuror në zyrën e Seattle. Është diplomuar për ligj në Universitetin e Yale dhe ka marrë masterin në Universitetin e Chicagos.

Robert Beckman është një agjent special i FBI-së, i njohur shumë në publikun amerikan për raste të bujshme hetimi në fushën e korrupsionit.

Ai së bashku me prokurorin Chutkow kanë ndjekur në vitin 2002 rastin e korrupsionit të madh në Bashkinë e Detroidit, ku përfundoi në burg kryebashkiaku Kwame Kilpatrick. Njihet si person mjaft korrekt dhe është portretizuar nga media amerikane si një mjeshtër i gjetjes së parave të fshehura në kompani offshore dhe llogari fantazmë.

Gjatë një dalje shtypi në Konferencën antikorrupsion, ambasadori i SHBA-së, Donald Lu ka paraqitur gjyqtarët dhe prokurorët specialë të SHBA-së, të cilët janë tashmë në Shqipëri për të ndihmuar kryerjen e kësaj reforme.

Më lejoni të falënderoj pjesëmarrësit tanë të shumtë që sjellin përvoja antikorrupsioni nga Kroacia, Rumania dhe ekzotiku Detroit i Miçiganit – Gjykatësen Koraljka Bumci, Prokuroren Florentina Mirica, Prokurorin Federal të Shteteve të Bashkuara Marc Chutkow dhe Agjentin Special të FBI-së Robert Beckman.  Jemi të përkushtuar që të kemi një diskutim të gjallë dhe të sinqertë gjatë këtyre tri ditëve”, tha Lu para dy javëve.

Të gjitha database-t e zyrtarëve të korruptuar shqiptarë tashmë janë gati dhe hetimet kanë bazë të sigurtë për të vazhduar, sepse ndodhen në zyrën e Reinhard Priebes në Bruksel.

Por, gjithçka do të varet nga shpejtësia e operacioneve të SPAK dhe BKH dhe eventeve politike që do të ndjekin Shqipërinë, të cilat priten të jenë mjaft të zhurmshme që të mbulojnë tringëllimën dhe bujën e prangave VIP.

/tesheshi.com/

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>