Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Zëri i Amerikës: Gjykata Kushtetuese njeh Xhaferllarin si anëtare të saj

Nga Ejona 0

Në Shqipëri, Gjykata Kushtetuese duket ka njohur si anëtare të saj zonjën Marsida Xhaferllari, kandidaten e emëruar nga presidenti Ilir Meta. Gjykata i ka dërguar presidentit dhe parlamentit listën me anëtarët e vet që plotësojnë kushtet për të qenë pjesë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ku mungon emri i zonjës Arta Vorpsi e cila u konsiderua e zgjedhur automatikisht, si e para e listës dërguar nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Noftimi i Gjykatës erdhi në ditën kur parlamenti përmes një rezolute e konsideroi si një akt të pavlefshëm dekretin e presidentit Meta për zonjës Xhaferllari, dhe i kërkonte Gjykatës që të krijonte kushtet që zonja Vorpsi të niste detyrën

Ndërsa prej ditësh po vijon me tone të larta debati për dy emrat e zonjës Arta Vorpsi dhe Marsida Xhaferllari, të cilat rezultojnë, në mënyra të ndryshme, të jenë të emëruar për të njejtin post vakant të Gjykatës kushtetuese, kjo e fundit, duket se ka njohur si anëtare të saj zonjën Xhaferllari.

Në një njoftim që Gjykata bëri publik sot, mbi listat e anëtarëve të saj që plotësojnë kushtet për të qenë pjesë e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, vërehet se në këto lista, përveç dy anëtarëve të zgjedhura nga parlamenti, anëtarit tjetër Besnik Muci, dhe zonjës Vitore Tusha e cila mban dhe funksionet e kryetares së Gjykatës, është dhe emri i zonjës Xhaferllari, si anëtare e institucionit më të lartë ligjor të vendit, dhe jo ai i zonjës Vorpsi. Kjo e fundit u konsiderua e emëruar pasi ishte e para në listën e kandidatëve dërguar presidentit, i cili nuk e ushtroi kompetencën brenda 30 ditësh. Ajo u paraqit sot në Gjykatën Kushtetuese, sikundër dhe zonja Xhaferllari e cila mbrëmë bëri betimin para presidentit.

Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili përmban listën me anëtarët e saj, erdhi pikërisht në ditën kur parlamenti nga ana e tij votoi një rezolutë përmes së cilës e konsideronte të pavlefshëm dekretin e presidentit Meta, dhe i kërkonte madje Gjykatës dhe institucioneve të tjera që të mundësohej fillimi i detyrës për zonjën Vorpsi.

Në fjalën e tij në parlament, kryeministri Edi Rama u shpreh se përpara se parlamenti të zgjidhte dy anëtarët e vet dhe të merrte të mirëqenë shpalljen si anëtare të zonjës Vorpsi, “ne jemi dakordësuar 100% me aleatët strategjikë dhe i jemi referuar 100% opinioneve të dhëna nga ekspertët e tyre, të cilët janë pjesë integrale e të gjithë procesit të reformës në drejtësi, ekspertët e EURALIUS-it dhe ekspertët e OPDAT-it”.

Zoti Rama tha më tej se nuk ka asnjë institucion që mund të bëjë interpretime e të thotë që Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e ka gabim. “Natyrisht, gjithkush ka të drejtë të bëjë interpretime politike dhe të bëjë interpretime mediatike, por nuk ka askush të drejtë që interpretimet t’i kthejë në instrument për të kundërsulmuar dhe jo vetëm kundërsulmuar, por edhe për të mos iu bindur institucioneve të pavarura të drejtësisë. Është shumë e thjeshtë. Të gjitha diskutimet e tjera janë “dokrra hini”, kur thoshte At Gjergj Fishta”, u shpreh zoti Rama.

Sipas rezolutës, akti i presidentit Meta është vlerësuar “i paprecedentë” dhe “një përpjekje për të bllokuar dhe zvarritur procesin e formimit të Gjykatës Kushtetuese”. Kjo e fundit, reagoi lidhur me dokumentin e parlamentit, duke shpjeguar se “nuk e ka ende kuorumin e nevojshëm për të shqyrtuar dhe vendosur në seancë gjyqësore dhe nuk mund të ushtrojë kompetencat e saj lidhur me zgjidhjen e konfliktit të kompetencave midis pushteteve apo organeve kushtetuese, si dhe as ato kompetenca që lidhen me shqyrtimin e kushtetutshmërisë së akteve të nxjerra nga organet e pushtetit publik”.

/VOA

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej