Sipas vendimit, në të gjitha pallatet e banimit ku nuk ka pasur dëme nga tërmeti i datës 26 nëntor, do të hiqen përkohësisht nga tarracat e përbashkëta të pallateve të banimit të gjitha depozitat e ujit, deri në momentin që asambletë e bashkëpronarëve dhe administratorët të jenë pajisur me raportin e hartuar nga eksperti licencuar mbi qëndrueshmërinë konstruktive të tarracës dhe objekteve në bashkëpronësi.

Ky proces është përgjegjësi e banorëve dhe duhet të ndiqet nga vetë banorët e pallatit, në bashkëpunim të ngushtë me administratorin e pallatit. “Për këto objekte banimi, asambletë e bashkëpronarëve dhe administratorët brenda datës 30 janar 2020, duhet të jenë pajisur me raportin e inxhinierit konstruktiv të licencuar mbi qëndrueshmërinë e tarracës së pallatit. Një kopje e këtij raporti i dorëzohet dhe Drejtorisë së Objekteve në Bashkëpronësi pranë Bashkisë Tiranë, e cila sipas rastit njofton strukturat përkatëse. Asambletë e bashkëpronarëve dhe administratorët e pallateve në bashkëpunim dhe me strukturat përkatëse të Bashkisë Tiranë, jo më vonë se data 30 janar 2020 të identifikojnë vendet e përshtatshme për vendosjen e depozitave të përbashkëta të ujit”, thuhet në vendim.

Asambletë e bashkëpronarëve dhe administratorët e pallateve të banimit duhet të marrin masa për lokalizimin dhe vendosjen e depozitave të përbashkëtave të ujit në ambiente të përshtatshme dhe të izoluara. Vendosja e depozitave të përbashkëta të ujit, përveç garantimit të sigurisë për jetën dhe shëndetin e vetë banorëve, do të sjellë edhe një mirëadministrim të depozitave dhe furnizimit me ujë.