Zbardhet vendimi për heqjen e depozitave të ujit nga tarracat e pallateve

Lexo edhe

Tërmeti i fortë i 26 nëntorit, i cili shënoi disa viktima, vuri në dukje rrezikun që sjellin mijëra depozitat e ujit mbi tarracat e pallateve të vjetra në Tiranë.

Këto depozita, për shkak të peshës, por edhe amortizimit, rrezikojnë seriozisht banorët, pasi dëmtojnë konstruksionin mbajtës të tarracave. Bashkia e Tiranës ka miratuar një vendim të posaçëm, i cili shpjegon procedurat e heqjes së tyre, por edhe shpreh se përgjegjësia kryesore në gjithë këtë proces është e banorëve dhe administratorëve të pallateve.

Sipas vendimit, në të gjitha pallatet e banimit ku nuk ka pasur dëme nga tërmeti i datës 26 nëntor, do të hiqen përkohësisht nga tarracat e përbashkëta të pallateve të banimit të gjitha depozitat e ujit, deri në momentin që asambletë e bashkëpronarëve dhe administratorët të jenë pajisur me raportin e hartuar nga eksperti licencuar mbi qëndrueshmërinë konstruktive të tarracës dhe objekteve në bashkëpronësi.

Ky proces është përgjegjësi e banorëve dhe duhet të ndiqet nga vetë banorët e pallatit, në bashkëpunim të ngushtë me administratorin e pallatit. “Për këto objekte banimi, asambletë e bashkëpronarëve dhe administratorët brenda datës 30 janar 2020, duhet të jenë pajisur me raportin e inxhinierit konstruktiv të licencuar mbi qëndrueshmërinë e tarracës së pallatit. Një kopje e këtij raporti i dorëzohet dhe Drejtorisë së Objekteve në Bashkëpronësi pranë Bashkisë Tiranë, e cila sipas rastit njofton strukturat përkatëse. Asambletë e bashkëpronarëve dhe administratorët e pallateve në bashkëpunim dhe me strukturat përkatëse të Bashkisë Tiranë, jo më vonë se data 30 janar 2020 të identifikojnë vendet e përshtatshme për vendosjen e depozitave të përbashkëta të ujit”, thuhet në vendim.

Asambletë e bashkëpronarëve dhe administratorët e pallateve të banimit duhet të marrin masa për lokalizimin dhe vendosjen e depozitave të përbashkëtave të ujit në ambiente të përshtatshme dhe të izoluara. Vendosja e depozitave të përbashkëta të ujit, përveç garantimit të sigurisë për jetën dhe shëndetin e vetë banorëve, do të sjellë edhe një mirëadministrim të depozitave dhe furnizimit me ujë.

 

Të Lidhura

Para

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *