Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

VOA: Pallatet e dëmtuara nga tërmeti në Laç, të ndërtuara jashtë kushteve teknike

Nga Ejona 0

Laçi është një nga qytetet më të goditura në Shqipëri nga tërmeti i 26 nëntorit. I ndërtuar rreth 50 vite më parë si një qytet i punëtorëve të uzinës së superfosfatit, Laçi përbëhet nga një numër i madh banesash kolektive 4 dhe 5 katëshe.

Grupet e inspektimit, që po kontrollojnë gjendjen e pallateve, tashmë kanë përcaktuar si të pabanueshme 44 prej tyre, por inspektimi ende vazhdon duke rritur numrin e banesave që pritet të shemben për shkak të rrezikshmërisë së lartë për jetën e banorëve.

Gjovalin Voci, një punëtor ndërtimi, banues në pallatin 126 në qytetin e Laçit, thotë se është njoftuar nga bashkia për të lënë banesën pasi ajo do të shembet. Edhe ai, ashtu si banorët e tjerë të pallatit, po përpiqet të shpëtojë një pjesë të orendive përpara se pallati të braktiset. Gjovalini thotë se pallatet janë ndërtuar pa asnjë kusht teknik dhe në një zonë që më parë ishte kënetë.

“Kjo është ndërtu rreth viteve 1986,1987 dhe këtu ka qenë një vend kënetë, vend grumbullimi mbeturinash. Ndërtimet janë pa asnjë lloj kriteri. Unë jam marrë me ndërtim, kam punu në Itali 8 vjet dhe kam punu 20 vjet për këtë ndërtesë, por ky ndërtim është totalisht jashtë parametrave se është pa arkitra, pa kolona, pa asnjë lloj lidhje. Është çarë muri, është bërë fare jashtë parametrave.”

Inxhinieri Vlash Gega, me një përvojë të gjatë në fushën e ndërtimit, thotë se kur janë ndërtuar këto pallate nuk është parashikuar që të përballojnë tërmete si ai i 26 nëntorit.

“Në përgjithësi, rreziku më i madh është tek banesat shumëkatëshe, ose kolektive, të ndërtuara para viteve ’90, që kanë probleme serioze që në projektimin e tyre, sepse nuk janë parashiku kondicionet sizmike të kësaj kohe. Po e themi hapur se zona e Kurbinit është me rrezik të lartë nga goditjet sizmike. Ndërkohë që ndëtesat, në kohën kur janë ndërtuar, nuk janë parashikuar situata në të cilën ndodhemi sot.”

Edhe pallatet e Thumanës, që u shkërmoqën nga tërmeti i 26 nëntorit duke marrë jetët e 24 banorëve, janë ndërtuar në vitet e fundit të periudhës së komunizmit, në territorin e ish-kënetës së Thumanës.

Inxhinieri Gega thotë se ndërtesat kolektive në qytetin e Laçit i përkasin periudhës së komunizimit, para vitit 1990, ndërsa pas kësaj periudhe në Laç janë ndërtuar vetëm tre ndërtesa të larta, të cilat, sipas ekspertëve, nuk kanë pësuar dëmtime. Ndërkohë, përveç qytetit të Laçit, dëmtime serioze janë rregjistruar edhe në zona të tjera të Bashkisë Kurbin.

“Në shtator në fakt, goditja më e madhe dhe rreziku ka qenë te ndërtesat e vjetra të ndërtuara para vitit ’90, kryesisht të mbuluara me çati me konstruksione druri, pa breza antisizmik, por kësaj rradhe, goditja ishte më e madhe dhe kryesisht janë shumë të rrezikuara ndërtesat e larta, katër dhe pesë katëshe. Por, në zonën e Mamurrasit, të Laçit, por edhe të Milotit ka dëmtime serioze dhe komisionet do vazhdojnë verifikimin dhe do të shpallin shumë ndërtesa të pabanueshme.”

Pas shembjes së kontrolluar të pallateve të dëmtuara nga tërmeti, në Laç pritet të ndërtohet një lagje e re për banorët që humbën banesat. Ekspertët që po verifikojnë gjendjen pas tërmetit thonë se është e rëndësishme të ruhen parametrat teknikë përballë emergjencës për të strehuar banorët.

Video duke klikuar mbi link.

/VOA

 

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej