Ministri i Financave në Kosovë, Hekuran Murati, është përballur me një situatë të pakëndshme, pasi anëtarët e Partisë Socialdemokrate, e kanë sulmuar në një mënyrë të pazakontë duke i hedhur miell, ndërsa kanë filmuar edhe momentin e kësaj ngjarje. Videon e ka postuar kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj në rrjetet sociale, i cili e ka quajtur aktin “aksion simbolik për punëtorët”.
“Nuk mund të normalizohet lufta e pa precedent që Hekuran Murati u ka shpallur punëtorëve. Prandaj, aksion, ndërhyrje, rezistencë” – shkroi ai.
Dardan Molliqaj, tashmë kryetar i PSD-së, ka qenë dikur anëtar i Vetëvendosjes, partisë në pushtet në Kosovë.
Ky akt vjen në kohën ku sindikatat në Kosovë po protestojnë e po futën në grevë për rritje pagash, si edhe për të marrë 100 euro shtesë për përballimin e rritjes së çmimeve. Por, ditën e sotme, kryeministri i Kosovës Albin Kurti bëri me dije se Qeveria ka hartuar një paketë ndihme për të përballuar inflacionin, e cila do të kushtojë në total 150 milionë euro.