Tirana ka trefishin e farmacive që duhet të kishte bazuar në numrin e banorëve. Plot 800 farmaci numërohen në kryeqytet, ndërkohë në të gjithë vendin janë 1400 farmaci të regjistruara në QKL. Mjafton të shkosh pranë spitaleve për të parë morinë e farmacive që të tërheqin vëmendjen me llambushkat jeshile. Farmacitë e shumta në një qytet, ngjitur njëra-tjetrës, nuk janë një shenjë e mirë. Pranë spitaleve si QSUT dhe Spitali i Traumës numërohen në mbi 50 farmaci të ndryshme, që shpesh herë janë të lidhura me mjekë të specialiteteve të ndryshme që arrijnë të lexojnë edhe recetat plot gabime drejtshkrimore të mjekëve sikur t’i njihnin më parë.
Ndërkohë të gjitha vendet e Bashkimit Europian përdorin dy kritere për hapjen e farmacive që janë kriteri i largësisë dhe kriteri i numrit të popullsisë. Në legjislacionin shqiptar ka qenë e shkruar se farmacitë hapen 100 deri në 150 metra larg njëra-tjetrës ose 1 për 3 mijë banorë. Sot që po flasim me heqjen e këtyre kritereve dhe mos kontrolli nga autoritete përkatëse (Urdhri farmacistit, qëndra e kontrollit të barnave, etj) ka bërë të mundur një përhpaje biznesi shumë pranë spitaleve dhe qëndrave ambulatore pasi këto sipërmarrës shfrytëzojnë faktin se spitalet dhe qëndrat janë pa ilaçe.
Shpesh herë mjekët japin edhe receta me barna jashtë listës së miratuar nga Ministria e Shëndetësisë për të favozuar kompani farmaceutike të interesuar të sheshin produktet e tyre të palicensuara. Përhapja e farmacive të shumta në Tiranë është edhe një këmbanë alarmi për institutcionet e Shëndetësisë. Jetëgjatësia në vend është 74 vjeç për meshkujt dhe diku tek 80 për femrat, por mos kurimi shtyn në konsumim të ilaçeve që servieren shtrenjtë nga famarcitë. Në Shqipëri nuk është problem të gjesh barna, por cilësia e tyre, përbërja mund të jetë vrasëse, duke nisur që nga produktet ndihmëse e deri te ilaçet vetë.
Të parët për konsum ilaçesh në Europë
Familjet tona 3.4 për qind të buxhetit të tyre mujor ja dedikojnë kujdesit për shëndetin, ndërsa familjet në Europë 3.9 për qind. Sipas INSTAT, 75.4 për qind të shpenzimeve për shëndetësinë familjet i çojnë për konsumim medikamentesh, ndërsa pjesa tjetër shkon për shërbime mjekësore. Në Europë, sipas të dhënave te OECD-së, ky raport përmbyset. Në vendet e BE shpenzimet për ilaçe zënë 7-15 për qind të shpenzimeve për shëndetësinë. Por përqindja vjen e rritet në vendet që janë anëtarësuar me vonë në BE, të tilla si Hungaria, Greqia, Lituania etj ku përqindja e shpenzimeve për medikamenteve zë mbi 20 për qind të shportës së shpenzimeve për shëndetësinë.
Importi i ilaçeve
Gjatë periudhës janar-gusht 2017 importet e produkteve farmaceutike pësuan një rritje vjetore 14 % në vlerë dhe 7 % për qind në sasi. Sipas të dhënave të INSTAT gjatë 8- mujorit u importuan 3374 tonë produkte farmaceutike në krahasim me 3128 tonë në 8-mujorin 2016. Në të njëjtën periudhë të vitit 2015 ishin importuar 2702 tonë medikamente, raporton Monitor. Fatura totale e importeve për periudhën janar-tetor 2017, ishte 19,961 milion lekë të reja. Ndërsa në peshë sipas raportimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave importi për peridhën janar-tetor 2017, ishte 4,266 ton produkte farmaceutike, raporton faktor.al
Shqipëria, i vetmi vend europian që nuk është anëtar i Farmakopesë Europiane
Po çfarë është Farmakopeja Evropiane? “Farmakopeja Evropiane është një referencë pune për të garantuar kontrollin e cilësisë së medikamenteve në shtetet anëtare të saj, e jo vetem. Misioni i saj kryesor është që të japë kontribut në të drejtën e çdo individi për të pasur medikamente cilësore.” Keshtu, ne si studentë të Farmacisë, shumë natyrshëm na lindën disa pyetje: Si ka mundesi që Shqipëria mbetet akoma një vend vëzhgues prej kaq vitesh, e jo anëtare e organizatës? A është e drejtë që një farmacist shqiptar të mos ketë mundësi të bëhet pjesë e kompetencave shkencore e profesionale në nje rreth më të gjërë Evropian? A është e drejtë për pacientin shqiptar të mos jetë, edhe ai, nën ombrellën mbrojtëse të Farmakopesë Evropiane? Si ka mundësi që Shqiperia nuk konkurron në tregun farmaceutik Evropian? (Shtetet e tjera të Ballkanit tashmë ekportojnë në BE edhe sepse produktet e tyre janë pjesë e Farmakopesë Evropiane)
Nuk mund të jetë Shqipëria një ishull i vetëm mes Europës ku standartet e sigurisë dhe cilësisë së Farmakopesë Europiane nuk janë të detyrueshme!
http://www.faktor.al/2017/12/16/tirana-nje-qytet-i-semure-konsumon-3-mije-ton-ilace/