Nga Ilir Babaramo
Sulltani nuk kishte kaq dorë të lirë në pashallëkun e Shkodrës apo atë të Janinës sa kishte këtë të enjte Erdogani në Kosovën e Hashim Thaçit. Rrëmbimi i pesë mësuesve dhe një doktori me shtetësi turke, me leje të rregullt qëndrimi në Kosovë, në rrethana ende të pasqaruara plotësisht dhe më pas deportimi i tyre në Turqi ka topitur gjithë opinionin publik në Prishtinë. Rrëmbimi i tyre ka ndodhur në shkelje të rëndë të çdo të ligji e kodi, përfshirë dhe atë zakonor. Të gjithë e dinë se gjithë këtë katrahurë që e ktheu Kosovën në një territor zulush e ka gatuar Hashim Thaçi. Parlamenti i Kosovës duhet të nisë menjëherë procedurën e impeachment ndaj presidentit të republikës, jo thjesht për atë që ka ndodhur, por për të izoluar një njeri që përgatitet të bëjë thagma të tjera vetëm të shpëtojë lëkurën.
Kosova ka legjislacionin më të mirë në Europë. Ka ligjet që mbrojnë më shumë se kudo të drejtat e njeriut. Të gjitha përfunduan në një letër pa vlerë, kur zarat e Thaçit që kanë pushtuar gjithë institucionet e Kosovës në periudhën e mbretërimit të klanit “Pronto”, rrëmbyen pa asnjë procedurë, pa i çuar më parë në gjykatë, pa u dhënë asnjë mundësi mbrojtjeje gjashtë intelektualëve, të cilët rrezikohen të dënohen me vdekje nga një regjim që i ka shpallur luftë gjithë Perëndimit. Procesi i deportimit përcaktohet qartë me ligj. Të deportuarit duhet t’i nënshtrohen të paktën dy shkalle gjykimi dhe më pas duhet të frimosë ministri i drejtësisë për dëbimin e tyre. Asgjë e tillë nuk ndodhi. Hashim Thaçi e ktheu Kosovën në një republikë gangsterash.
Nuk mjafton vetëm shkarkimi i zyrtarëve që zbatuan këtë skenar. Ata duhet të arrestohen dhe dënohen për shpërdorim detyre dhe shkelje të të drejtave themelore të njeriut. E megjithatë dhe kjo masë do ishte e pamjaftueshme. Parlamenti i Kosovës duhet të nisë procedurën që t’i japë fund ciklit aventurier, në të cilin Hashim Thaçi po e fut Kosovën.
Që prej dhjetorit, Thaçi ndihet si një ujk që po e fusin në kafaz. Por, gjithmonë ka vepruar si dhelpër, duke hedhur gurin dhe fshehur dorën. Fillimisht tentoi të anullojë ndryshimet kushtetuese që mundësojnë krijimin e Gjykatës Speciale. E mbani mend reagimin e Perëndimit. Ambasadori britanik foli për “natën më të errët në Kosovën e pasluftës”, ndërkohë që ai amerikan mblodhi “komandantët” dhe ua bëri të qartë se nëse anullohet gjykata speciale marinsat do hynin në Parlament. Kaluan ca kohë dhe Thaçi bashkë me mediat e oligarkëve nuk e përmendin më këtë nismë. Megjithatë, krijimi i gjykatës qëndron si shpata e Damokleut, ndërsa të gjithë bëjnë sikur nuk e shikojnë. Në të gjitha proceset e mëparshme kundër komandantëve të UÇK, Thaçi ia ka hedhur paq. Rramushi, Fatmiri me shokë kanë bërë dhe burgun e tij. Këtë herë duket se nuk do ia dalë pa lagur. Për këtë arsye nuk gjen qetësi. Ka zgjedhur të përdorë taktikën e Haxhi Qamilit: me kaos zgjidhet gjithçka.
Në pak muaj ka përdorur gjithçka për t’i dëshmuar Perëndimit se është i domosdoshëm, duke provokuar kriza të njëpasnjëshme dhe për të treguar më pas se vetëm ai mund t’i zgjidhë. Hodhi në tregun mediatik përmes altoparlantëve gagaçë të tij idenë e ndarjes së Kosovës, tezën e Qosiçit, tezë që e ka aq për zemër Vuçiç, i cili thotë se duhet një marrëveshje që dhe Serbia të fitojë diçka. Po përmes zarave të tij hodhi idenë e çmendur të kombit kosovar, sipas të cilës askush tjetër, veç tij duhet të flasë për Kosovën me Serbinë.
Aventura më e fundit ishte ajo e show-t mediatik që bëri me Gjuriç. Tashmë, të gjithë në Prishtinë e dinë se ajo ishte një mise en scene me regji të përbashkët me Vuçiç. Të dy do përfitojnë: Thaçi statusin e paprekshëm që duhet të gëzojë babai i kombit kosovar, ndërsa Vuçiç të maksimalizojë kërkesat e tij në negociata, bisedime në të cilat Presidenti i Kosovës ka hyrë pa një mandat nga parlamenti, të cilat zhvillohen në mungesë totale transparence.
Kriza më e fundit e provokuar nga Thaçi duhet të shërbejë si shtysë për t’i dhënë fund ballos me maska që po luhet nga partitë e Kosovës. I pari që duhet ta mbështesë impeachment duhet të jetë Kadri Veseli. Vetëm në këtë mënyrë do jetë i besueshëm, kur lë të kuptohet se kërkon të dalë nga hija e “gjarpërit” apo se kërkon ta pastrojë PDK nga klani “Pronto”. Nëse nuk bëhet pjesë e këtij procesi atëherë dëshmon se gjithçka është farsë dhe fati i tij është i lidhur me atë të Thaçit si ai i dy vëllezërve siamezë.
Albin Kurti duhet të jetë patjetër në vijën e parë të këtij procesi. Me apo pa të drejtë, gjithmonë e ka vizatuar presidentin si të keqen më të madhe të politikës së Kosovës. LDK-së i krijohet mundësia të dëshmojë, nëse ka qenë vërtet viktimë e intrigave të Thaçit apo kënaqej me ca poste ministrash në bashkëqeverisje. Testi mbetet më i vështirë për deputetët e Grupit të Pavarur, të cilët duhet të dëshmojnë se nuk janë vegla që Thaçi, devollët dhe argati i tyre medialë përdorën për të përçarë partinë më të madhe, të vetmen hapësirë politike që nuk kontrollohet nga oligarkët. Për Ramushin nuk besohet se do ketë dilemë. Politikanin që mendohej se do drejtonte më dorë të fortë qeverinë, gjatë javës së fundit, Hashimi e katandisi në njeriun më të pafuqishëm politikisht, madje më pak të informuar se dhe Adem Grabovci qeverinë e mëparshme.
Mbi të gjitha, përtej çdo kalkulimi politik, klasa politike duhet të tregojë një minimum përgjegjshmërie, jo vetëm për të mbrojtur Kushtetutën, por dhe Kosovën nga një president që shkel kushtetutën, nga një njeri që ndihet si ujk që po e mbyllin në kafaz.