Presidenti i Republikës, Ilir Meta në një intervistë të dhënë sot në mbrëmje për emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka shprehur mirënjohjen e madhe për ndihmën e dhënë nga Kosova për përballimin e pasojave të rënda të tërmetit në Shqipëri.
“Falenderim të madh dhe shumë mirënjohje për Kosovën për gjithçka ka bërë dhe po bën. Reagimi i autoriteteve kosovare ka qenë i menjëhershëm. Ndihma ka qenë profesionale dhe masive”, është shprehur Meta.
I pyetur nëse do ta mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare lidhur me tërmetin, Meta ka sqaruar se “unë prej kohësh e kam shprehur angazhimin tim për të mbledhur Këshillin e Sigurisë Kombëtare për këtë çështje, por edhe për çështje të tjera. Padyshim dhe në të ardhmen mund të mblidhet. Por më e rëndësishme tani është të merret seriozisht zgjidhja e problemeve me të cilat përballen aktualisht banorët më të prekur nga tërmeti”, – u shpreh Meta.