Nga Enkel Demi
Në fakt, pas ditës së djeshme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duhet një një ndjenjë e fuqishme vetëkontrolli për të mos rënë pre e emocioneve. Dje, nuk është vjedhur një mandat deputeti, ai i Shpëtim Idrizit, por dje është ndotur sërish e sërish një proces i tërë zgjedhor. Mediat afër qeverisë që bënin tifo kundër “çamit të pabesë” raportuan se në 64 kuti PDIU shtoi vetëm pesë vota, por bëjnë sikur nuk e shohin që në 64 kuti, në 62 prej tyre numërimi nuk përputhet me procesverbalet. Kjo do të thotë që nuk ka rëndësi si janë votat në kuti, rëndësi ka si mbush formularin numëruesi i qeverisë, i cili u vërtetua që herë-herë ka blerë edhe numëruesin e opozitës.
Partitë që kanë patur pjesërisht numërues ose nuk kanë patur fare të këtillë, u është ndarë vota si plaçkë lufte mes PD-së dhe PS-së. Kjo u vu re në një kampion të vogël vetëm me 64 kuti. Mendoni sikur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të lejonte hapjen e kutive të Qarkut të Tiranës, lëre pastaj të gjithë Shqipërisë. Metologjia e ndjekur për shfromuar vullnetin e zgjedhësve tani është e qartë ditës për diell. Padyshim që Partia Socialiste ka fituar zgjedhjet, por tepsinë e ka marrë vetëm duke grabitur mandate sa majtas-djathtas.
Kaq gopsek u tregua Edi Rama sa pranoi më mirë të bënte pis gjithë procesin zgjedhor se sa të lejonte një mandat të ligjshëm, të cilin tek e fundit e ka në kuti. Trendy i numërimit të djeshëm tregoi që jo vetëm Shpëtim Idrizi është përtej pragut 3 për qind, por ka gjasa me shumë e më shumë vota sesa duan ta mbajnë peng. Loja që u bë edhe dje me fletët e pavlefshme ka të dhëna të sigurta që është bërë kudo, por sidomos në Kavajë, ndërsa ka rritur artificialist pragun që kryetari i PDIU-së mos të hyjë në Kuvend. Hapja e të gjitha kutive e nxjerr në këtë rast mbretin lakuriq dhe nuk është çudi që të rrëfejë realitete të tjera elektorale që tremb jo vetëm PS-në, por edhe PD-në. Prandaj ai votim i djeshëm unanim i KQZ-së për të mos hapur kutitë, flet për shtypjen e dhunshme të vullnetit votuesëve.
Nga ana tjetër, duhet qëmtuar me shumë vëmendje cila është arsyeja e gjithë kësaj urrejtje ndaj Shpëtim Idrizit dhe partisë së tij, e cila megjithëse pati një rritje spektakolare në këto zgjedhje nuk ia doli dot mbanë të çojë ligjvënës aq sa i takojnë. Eleminimi i tij nga Kuvendi është burim i një urdhëri politik që nuk ka të bëjë vetëm me intrigën e korridoreve të politikës shqiptare. Tani, kudo rrëfehet historia e një pabesie që kurrë nuk ndodhi dhe askush nuk e mendoi të ndodhte, por që dikush duhet ta paguajë, sepse sulltanit i është mbushur mendja nga paranoja e tij e frikës, se e kanë tradhëtuar. Kaq i fortë dhe ngjitës ka qenë ky ankth, sa njerëz që flenë në një shtrat me pushtetin si Batoni para zgjedhjeve shpërthenin, mallkonin, paralajmëronin që do gëzonin vetëm që Shpëtim Idrizi mos të ishte më deputet. Pse gjithë ky merak? Dhe pse ndaj Idrizit?
Vjedhja e mandatit të Shpëtim Idrizit pa dyshim është dhurata më e çmuar që i bëhet fqinjit tonë jugor, trofeu i një lufte që shqiptarët dhe qeveritë e tyre përherë e humbin, sepse para grekut e ulim kokën si manarë, ani se ndonjëherë blegërimat me zë të çjerë e të lartë na ngjajnë si kanosje bishash, por delja nuk bëhet shtazë. Tani që Greqisë i dhamë aq deputetë sa donte dhe i hoqëm qafe kryetarin e çamëve, në veri po shpikim Jugosllavinë e vjetër, të presim çdo të enjte si do të na ndriçojë Batoni, komandanti i tij, se punët do të shkojnë mbroth.