Serbia dhe Bosnja kanë kërcënuar Prishtinën zyrtare se nëse nuk heq tarifat për mallrat në këto dy vende deri më 1 korrik, ku edhe do mbahet takimi i liderëve të Ballkanit Perëndimor në Paris, do të shqyrtojnë vendosjen e kundërmasave. Ka qenë ministri serb i Tregtisë, Rasim Lajiç si dhe ministri i Tregtisë dhe Marrëdhënieve Ekonomike i BeH, Mirko Sharoviç, të cilët thanë se kushti për këtë është heqja e pakushtëzuar e taksave të Prishtinës zyrtare.
BE-ja do të minojë besueshmërinë e vet dhe vendet e këtij rajoni do të humbasin një mundësi tjetër për rimëkëmbjen ekonomike dhe normalizimin e mundësive politike.
Lajiç përkujton se që nga 21 nëntori i vitit të kaluar, kur janë vendosur masat, e deri më 21 maj, Serbia ka dërguar në Kosovë 189,5 milionë euro më pak mallra në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, që paraqet një rënie prej 80 për qind.
Ministri Sharoviç tha se në gjashtë muajt e fundit Bosnja ka shënuar rënie të dërgimit të mallrave në Kosovë prej 97 për qind, ose 27 milionë euro më pak në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.