Takimi në Katedrale mes Osmanit dhe Kurtit me Sekretarin Blinken, ja çfarë u diskutua

0
104

Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti u takuan me Sekretarin Blinken në Uashington, ku së bashku po marrin pjesë në varrimin e Madeliene Albright. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një postim në Facebook, ka treguar se çfarë është folur në takimin mes saj, kryeministrit Kurti dhe Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

“Gjatë ceremonisë së organizuar në nder të Sekretares Madeleine Albright, patëm mundësinë të takojmë Sekretarin e Shtetit Anthony Blinken. E falenderuam për kontributin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në forcimin e shtetësisë së Kosovës, si dhe për lidershipin e treguar nga SHBA-të në kohën kur paqja dhe demokracia në Evropë po cenohen sërish” – shkruan Osmani.

Më pas Osmani dhe Kurti morën pjesë në homazhet në nder të ish-sekretares së Shtetit, Madeleine Albright. Osmani shkruan se do të jenë gjithmonë falënderues për kontributin që ka dhënë Albright për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë.

“Sot, në Ëashington D.C., i dhamë lamtumirën e fundit mikes së madhe të Kosovës, gardianes së lirisë e demokracisë dhe zërit të fuqishëm të popullit tonë, Madeleine Albright. Jemi përgjithmonë falënderues për kontributin e jashtëzakonshëm të sekretares Albright për t’i dhënë fund gjenocidit serb në Kosovë, si dhe mbështetjes së saj të vazhdueshme për Kosovën e lirë, të pavarur, të zhvilluar e me vendin e merituar në arenën ndërkombëtare. Sekretarja Albright e njohu dhimbjen e popullit tonë, e ne do ta vazhdojmë përpjekjen e saj, për ta avancuar dhe për ta mbrojtur demokracinë! Miqësinë me Amerikën e kemi të përjetshme, siç do ta kemi kujtimin për Sekretaren Albright”, shkruan Osmani.