Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Sot kam menduar të iki nga Shqipëria!

Nga 27.al 0

Nga Osman Stafa

Zakonisht jemi mësuar që për çdo skandal që përfshihen persona të caktuar politikë, ne fillojmë gallatat, me statuse, ironizojmë. (Në këtë grup përfshihem edhe unë). Por nga sot nuk do qesh apo nuk do ironizoj më. Sot më shumë se çdo kohë tjetër ndjej detyrën për t’i shërbyer denjësisht këtij vendi.

Nuk mundet që t’ia lëmë Shqipërinë në dorë të hajdutëve, gënjeshtarëve, të korruptuarve, kriminelëve.

Po nuk mundemi ne t’ia lëmë Shqipërinë, këtyre politikanëve pa shtyllë kurrizore, të cilët marrin pushtetin me vjedhje, të cilët prej 30 vitesh nuk janë ngopur akoma duke na zhavtur neve të gjithëve.

Po nuk mundet t’ia lëmë Shqipërinë, sepse në fund jemi ne që do paguajmë çdo gjë, do e paguajmë shtrenjtë madje. Shumica po e paguan edhe sot. Nuk mund të flasin sepse u fluturon koka nga puna. Janë të detyruar njerëzit të mbajnë gojën mbyllur sepse pushtetari të kërcënon me të ardhmen e fëmijëve të t’u. Po kështu ne nuk kemi për t’u bërë kurrë, as si njerëz as si komb.

Shteti abuzon me tendera, abuzon me pushtetin, abuzon me lekët tona, vjedh dhe tjetërson verdiktin tonë si votues dhe ne akoma nuk ngremë krye, ne akoma nuk reagojmë. Po kaq të pafuqishëm jemi?

Po si t’ia besoj unë të ardhmen time në këtë vend këtyre politikanëve, të cilat i “fluturojnë” njerëzit e thjeshtë me një telefon, duke i kërcënuar? Kush janë këta? Po edhe sa do durojmë?

Sot, pasdite kam menduar ta braktis këtë vend. Të iki. Ashtu siç kanë bërë shoqëria ime. Kur i shikoj që janë shpërndarë nëpër botë dhe po ndërtojnë jetën e tyre shumë mirë, them, po unë, për çfarë të rri më?

Këtu çdo gjë është me mik, ose me lekë. Këtu s’ka më meritokraci. Ditët e fundit jam njohur me histori të atyre njerëzve të thjeshtë që janë në pikë të hallit dhe nuk gjejnë dot një punë.

Po këtu të rinjtë s’kanë më të ardhme. E kuptoni çfarë i ka bërë politika këtij populli?

A e dini që të rinjtë e Shqipërisë janë konsumatore të lëndëve narkotike më shumë se kurrë më parë?

A e dini se kërkesat e drejtorëve, (shtet-privat), karshi vajzave të reja, për të fituar një vend pune është favori seksual?

A e dini që Shqipërisë po i ikin mjekët e infermierët? Për 10 vite, vetë mjekët që kanë mbetur thonë që do përballemi me një krizë të frikshme të mungesës së bluzave të bardha?

A e dini që ilacet në Shqipëri u manipulohet data e skadencës? A e dini qe ilacet në Shqipëri nuk japin rezultat e janë të skaduara?

A e dini që ushqimet janë të skaduara dhe manipulohen? A nuk e kuptoni që po na vdesin njerëzit dita ditës? A e kuptoni çfare po konusmojmë?

A nuk e kuptojmë që arsimi në Shqipëri, ai fillor, i mesëm dhe i lartë është në ditën më të keqe? Shkojnë studentët në shkollë të lartë dhe nuk dinë akoma të shkruajnë shqipen stardarde minimale.

A nuk e shikojmë që Akademinë e Shkencave e merr një “shkenctar” i cili ofendon një gazetare që ditën e parë të punës.

A nuk i pamë kriminelët në Kuvend që ikën njeri pas tjetrit? Ata ishin deputetë. Dikush i vuri aty. Mbajti dikush përgjegjësi?

Po sa vrasje janë kryer e janë mbetur pa autor, sepse shefat e policisë sot sillen si gangsterë(jo të gjithë), dhe jo si ruajtës të rendit publik.

Po Shqipërinë që e kthyem në një hartë të drogës?

Po që duan të na kthejnë vizat?

Po Prokuroria e Përgjithshme ku është?

Po Gjykatat ku janë? Gjykata Kushtetuese?

Të gjitha këto janë përgjegjësi të pushtetit aktual qeverisës. Dhe nëse nuk reagojmë për çfarë ka ndodhur nesër do të jetë shume vonë. Ne do të legjitimojmë korrupsionin, vjedhjen që na bëhet, krimet e tyre, duke mos reaguar.

Çfarë duhet të ndodhë tjetër në këtë vend që të reagojmë duke e zëvendësuar të gjithë këtë klasë politike, me <25 vjeçarët intelektualë të vendit.

Klasa aktuale vendosi për gati 30 vite për të ardhmen e saj. Tani është koha jonë, nëse duam të kemi të ardhme, nëse jo, atëherë le të pranojmë të keqen që na ka rënë mbi kokë dhe të jetojmë me të.

Dhe kjo e keqe nuk pyet për socialist, demokrat, apo për këdo person tjetër që përfaqeson një bindje tjetër politike, kjo e keqe është mbi të gjitha kokat tonë dhe duhet të shpëtojmë. Ndryshe ky vend s’ka të ardhme. Ne s’kemi të ardhme. Pastaj kemi një rrugë, vetëm të ikim. Por unë nuk dua të iki, dua të qëndroj, e dua këtë vend, është mëmëdheu im…

Për një herë të vetme mendoni me mendje të kthjellet, pa menduar që je një demokrat apo socialist, çfarë të mirë i ka sjellë kjo politike këtij kombi? Më thoni vetëm një dhe unë nuk do të flas më.

Mendoni njëherë të vetme si Shqiptarë dhe hajde të reagojmë të gjithë bashkë. Ndryshe, e thash, të pranojmë të keqen, të jetojmë me të, të bëhemi të gjithë pa shtyllë kurrizore, të pamoralshëm ose të ikim dhe ta harrojmë Shqipërinë.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej